Belgjika do të jetë kundërshtarja e Uellsit në çerekfinalet e Euro 2016. Belgët e drejtuar nga Mark Vilmots kanë fituar 4-0 ndaj Hungarisë në një sfidë ku rezultati nuk pasqyron saktësisht atë që ndodhi në fushën e lojës.
Belgjika kaloi shumë shpejt në avantazh me anë të Tobi Alderueireld, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 10. Por pas disa minutave "tronditje" edhe Hungaria u zgjua nga gjumi, duke rrezikuar portën e Kurtua, për ta kthyer këtë në një prej ndeshjeve më të hapura të turneut.
Skuadrat krijuan dhe humbën shumë raste për t'u shënuar në minutat në vazhdim, falë edhe formës së mirë që treguan Kirali në njërën portë dhe Kurtua në portën tjetër.
Megjithatë, Belgjika mbylli hesapet e kualifikimit në minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht ishte Batshuai i cili dyfishoi shifrat në minutën e 78, vetëm dy minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës, pas një asisti perfekt të Hazard.
Vetë mesfushori çoi në 3-0 shifrat pas një aksioni individual spektakolar kur regjistrohej minuta e 80 e ndeshjes.
Ndërkaq, goli që vulosi rezultatin përfundimtar u realizua nga Karrasko kur regjistrohej minuta e parë shtesë e ndeshjes.