Argjentina ka mundur me rezultatin 2-1 Kilin në ndeshjen e parë të saj në grup në Kupën e Amerikës, një hakmarrje e vogël për disfatën në finalen e edicionit të kaluar. Lionel Mesi qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stolin e rezervave për shkak dëmtimi, por në fushë nuk mungoi spektakli falë Ever Banegas dhe Angel Di Marias.
Dyshja ishte e pandalshme dhe në pjesën e dytë vulosi suksesin e kësaj sfide. Fillimisht ishte Banega që pasoi për Di Marian në minutën e 51-të për golin e avantazhit. 8 minuta më vonë, Di Maria i ktheu borxhin me një pasim perfekt, ndërsa Banega nuk e kishte të vështirë të mposhtte portierin Bravo për herën e dytë.
Fuenzalida shënoi golin e nderit për Kilin në minutat shtesë të ndeshjes, gjatë të cilës fitorja e Argjentinës nuk u vu thuajse asnjëherë në diskutim.