Gjermania dhe Italia kanë mbyllur në barazim 1-1 kohën e rregullt dhe shtesat e ndeshjes çerekfinale të Euro 2016 pas golave të Ozil në minutën e 65 dhe Bonuçit në minutën e 77. Pas një serie të gjatë gjuajtjesh nga pika e bardhë e penalltisë, u deshën 9 të tilla për secilën skuadër, triumfoi Gjermania e cila kaloi në gjysmëfinalen e turneut.
Si Gjermania, ashtu edhe Italia e filluan ndeshjen shumë të kujdesshëm në prapavijë, edhe për faktin se Lëv dhe Konte kishin hedhur në fushë formacione me 5 mbrojtës të mirëfilltë.
Ndaj për shumë minuta, pavarësisht një dominimi në kontrollin e topit nga Gjermania, munguan gjuajtjet në portë.
Lëv u detyrua që në minutat e para të bënte një zëvendësim në radhët e skuadrës së tij, për shkak të dëmtimit të Khedirës, duke hedhur në fushë në vend të tij Shvajnshtajgerin, i cili barazoi rekordin e Kloses me 37 ndeshje të luajtura në fazën finale të aktiviteteve madhore.
Në pjesën e dytë, dukej qartësisht dëshira më e madhe e Gjermanisë për të gjetur sa më shpejt një gol për të zgjidhur ndeshjen. Minuta e 53 regjistroi rastin ideal për të shënuar nga skuadra e Lëv, me Tomas Myler, por gjuajtja e tij u devijua nga Florenci i cili shpëtoi portën italiane nga një gol i sigurt.
Insistimi i gjermanëve u shpërblye në minutën e 65 të sfidës, kur pas një aksioni në krahun e djathtë, Mesut Ozil kaloi në avantazh Gjermaninë.
Por Italia nuk u dorëzua dhe në minutën e 77-të gjeti golin e barazimit 1-1 me Bonuçin, pas një penalltie të shkaktuar nga Boateng.
Minutat e fundit nuk regjistruan raste të tjera për shënim, ndaj për të përcaktuar fituesin u deshën kohët shtesë.
Në shtesat e ndeshjes triumfoi frika për të mos pësuar një gol që mund t'u kushtonte shumë shtrenjtë, ndaj munguan edhe rastet për t'u shënuar në të dy portat. Kësisoj, emri i gjysmëfinalistes së tretë të Euro 2016 u përcaktua nga gjuajtjet e penaltlive.
Seria e penalltive
Insinje shënon, Zaza mbi traversë, Barzalji shënon, Pele dërgon topin jashtë, Bonuçi pret Nojer, Xhakerini shënon, Parolo shënon, De Shiljo shënon, Darmian pret Nojer
Kros shënon, Myler pret Bufon, Ozil godet shtyllën, Draksler shënon, Shvajnshtajger mbi traversë, Humels shënon, Kimish shënon, Boateng shënon, Hektor shënon