Kili do të ketë mundësinë të mbrojë titullin në Kupën e Amerikës pasi siguroi kalimin në finalen e turneut pas një fitoreje me shifrat 2-0 kundër Kolumbisë.
Kampionët në fuqi siguruan shumë shpejt kalimin e tyre pasi realizuan dy herë me Aranguiz dhe Fuenzalida brenda 11 minutave të para.
Një stuhi shumë e fortë mbi Çikago dhe rreziku nga rrufetë, bëri që pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje të shtyhej për më shumë se dy orë.
Me rikthimin e skuadrave në fushë, Kolumbia u përpoq të ndryshonte fatin e ndeshjes, por kartoni i kuq i Karlos Sançez në minutën e 57 prishi planet e kësaj skuadre që u dorëzua pa bërë shumë rezistencë.
Ashtu si një vit më parë, Kili do të luajë në finale kundër Argjentinës, të cilën në verën e vitit 2015 e mundi falë gjuajtjeve të 11-metërshave.