Janë heronj. Pavarësisht se po kthehen në atdhe, ndërkohë që Europiani nuk ka mbaruar ende, lojtarët e Kombëtares do të priten me ceremoni shtetërore dhe si heronj. Festë në shesh, rrugë të rezervuara vetëm për parakalimin e kuqezinjve, si dhe takime me zyrtarë të lartë shtetërorë. Kjo është axhenda që pritet të ndjekë Kombëtarja gjatë ditës së sotme.
Ora 12:00 Avioni që do të sjellë kuqezinjtë është nisur nga aeroporti i Lanionit.
Ora 11:20 Futbollistët kanë takuar me radhë miqësisht në aeroport jo vetëm punëtorët e hotelit ku kanë qëndruar gjatë dy javëve të fundit, por edhe zyrtarët e pushtetit lokal dhe forcat e sigurisë të cilët i kanë shoqëruar gjatë ditëve të qëndrimit francez.
Me plis në kokë, kuqezinjtë kanë hipur në avion për t'u nisur drejt kryeqytetit shqiptar ku i pret një festë madhështore nga tifozët shqiptarë.
Ora 10:30 Kuqezinjtë janë larguar nga hoteli në drejtim të aeroportit të Lanionit
Takimet
Fillimisht kuqezinjtë do tw ndalen në Bashkinë e Tiranës për të marrë "çelësin" e kryeqytetit. Vizita e dytë do të jetë në Ministrinë e Jashtme. Kreu i këtij institucioni do të presë delegacionin kuqezi ku do të dhurohen pasaportat diplomatike që janë premtuar për lojtarët dhe stafin e kombëtares kuqezi. Më pas, Kryeministria do të jetë destinacioni në vijim të udhëtimit të Kombëtares. Kreu i Qeverisë do ta presë Kombëtaren për të bërë falënderimet zyrtare, përpos atyre që Rama ua ka përçuar me anë të telefonatës që pati me delegacionin kuqezi pas fitores me Rumaninë, ku edhe u akordua një shpërblim prej 1 milion eurosh.
Festa
Heronjtë pritet që të festojnë me popullin e tyre. Në "fan zonën", në sheshin "Nën Tereza", pritet që të ketë një ceremoni festive ku Kombëtarja do të ketë mundësinë që të jetë përballë tifozëve të saj në një tjetër festë që do të përmbyllë aventurën kuqezi në Europian.