Argjentina siguroi finalen e Kupës së Amerikës për vitin e dytë radhazi falë një fitoreje të lehtë 4-0 ndaj organizatorëve të SHBA, në një natë ku Lionel Mesi hyri në librin e rekordeve si golashënuesi më i mirë i kësaj përfaqësueseje.
Mesi shënoi golin e dytë të takimit me një goditje dënimi spektakolare në minutën e 32-të, duke çuar në 55 bilancin e tij personal me fanellën e Argjentinës.
Më përpara, "Pleshti" kishte dhënë asistin për golin e avantazhit të Lavecit që në minutën e 3 të sfidës. Ndërsa në pjesën e dytë, ishte Higuain që shënoi dy gola, një me asist nga Mesi, për të vulosur fitoren.
Tanimë Argjentina pret fituesen e çiftit Kili-Kolumbi për të mësuar se kush do të jetë rivali i saj në finale.