Përfaqësuesja e Polonisë i bëri një fillim shumë të mirë pjesëmarrjes së saj në Euro 2016, ku shumëkush e sheh si një prej ekipeve që mund të bëjë surprizën në këtë turne. Polakët dominuan plotësisht takimin kundër Irlandës së Veriut, por në fund arritën të fitonin vetëm 1-0 kundër debutuesve të turneut.
Plani i Irlandës së Veriut në ndeshjen e saj të parë në një aktivitet të tillë ishte shumë i qartë: të bllokonte me çdo mënyrë sulmuesin e rrezikshëm Robert Levandovski dhe të ruante të paprekur rrjetën. Plani funksionoi mjaft mirë në pjesën e parë, ku pavarësisht dominimit absolut të polakëve, MekGovern u tregua i vëmendshëm ndaj çdo gjuajtjeje të kundërshtarëve.
Por edhe portieri irlandezoverior u dorëzua në minutën e 51-të të ndeshjes, kur partneri i sulmit i Levandovskit, Arkadiuz Milik, gjeti hapësirën e duhur për të dërguar topin në rrjetë, në atë që rezultoi të ishte goli vendimtar i takimit.