Gjatë qëndrimit në Francë, në qytezën e Peros Girek, kombëtarja shqiptare ka krijuar miqësi me shumë prej banorëve vendas. Por sipas vetë mediave lokale, një banor i qytezës është kthyer në tifozin numër 1 të skuadrës kuqezi, që nuk ka ngurruar ta përshëndetë në mënyrën e saj gjatë largimit të djeshëm.
87 vjeçari Zhorzh Xhiamberini është një dashamirës i futbollit dhe fati e desh që shtëpia e tij të gjendej përballë me hyrjen e hotelit "L'Agapa", ku për më shumë se dy javë qëndroi delegacioni i kombëtares shqiptare të futbollit. Duke kryqëzuar rrugën çdo ditë me lojtarët, ai u kthye në një prej tifozëve më të zjarrtë të kuqezinjve dhe u miqësua shumë me ta.
Të gjithë pjesëtarët e delegacionit e kanë takuar para se të largoheshin përfundimisht nga Franca, ndërsa ai doli të përshëndeste djemtë kuqezi duke valëvitur një fanellë të kuqe.
"Është fanella e mbrojtësit Mërgim Mavraj. Erdhi më takoi pak ditë pasi mbërritën këtu. Kemi folur italisht meqë jam me origjinë nga atje dhe më dha këtë fanellë e disa dhurata të tjera. Kemi bërë edhe foto bashkë", ka treguar me krenari 87 vjeçari për lidhjen që ka krijuar me mbrojtësin shqiptar.
Për mediat lokale ai ka treguar gjithashtu se edhe 6 policët e zakonshëm që qëndronin para hotelit (procedura standard e sigurisë së UEFA-s) kishin qenë shumë miqësorë me të gjithë. Ndërkaq, ai kishte komunikuar edhe me gazetarët shqiptarë, të cilët ishin strehuar në oborrin e shtëpisë së tij gjatë një ditë me shi.
Në reportazhin e "Le Telegramme" tregohet gjithashtu se si delegacioni shqiptar ishte integruar brenda pak ditësh me qytezën. Nuk ishte e rrallë të takoje 2-3 futbollistë në qendrën tregtare të qytetit, apo ndonjë pjesëtar të stafit në restorantet e plazhit. "Ishin me të vërtetë simpatikë", shpjegon Bruno Malakarne, pronar i barit "Le Celtic" ku janë shfaqur pjësa më e madhe ndeshjeve të Europianit. "Kemi bërë selfie pa probleme me Canën apo Muratin".
Edhe një butik që ka vendosur ngjyrat kuqezi në vitrinë ka marrë komplimente. "Na kanë vizituar shumë tifozë shqiptarë. Edhe disa persona nga delegacioni erdhën e na falënderuan për dekorimin. U prekën shumë nga ky gjest".
Si Zhorzh, e gjithë qyteza u kthye në një tifoze të Shqipërisë dhe po ashtu si ai, shumë dolën në rrugë të përshëndetnin kuqezinjtë në momentin kur i dhanë lamtumirën Peros Girek.