Portugalia dhe Austria kanë dhuruar një nga ndeshjet më spektakolare të Euro 2016 deri tani, falë një loje shumë të hapur. Por çuditërisht, kjo ndeshje e luajtur në sulm nga të dy ekipet, është mbyllur me barazimin e bardhë 0-0.
Kristiano Ronaldo, në ndeshjen e tij të 128-të me fanellën e kombëtares, duke thyer rekordin e Luis Figos, u mundua të shënonte në çdo mënyrë në këtë duel. Por sulmuesi portugez nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës duke shpërdoruar disa raste të mira
Mundësia më e mirë iu shfaq në minutën e 79-të, pas një penalltie të fituar nga vetë CR7. Por Ronaldo gaboi nga pika e bardhë, duke goditur shtyllën e portës austriake.
Nga ana tjetër, edhe austriakët shpërdoruan disa mundësi të mira shënimi me Harnik dhe Alaba. Por në fund u desh të kënaqen me këtë pikë që i mban ende në garë për kualifikimin.