Dita e tretë e Euro 2016 ka dhuruar dy fitore 1-0 dhe një me rezultatin 2-0, në takimet e vlefshme për Grupet C dhe D të këtij turneu. Gjithçka filloi me ndeshjen e Grupit D mes Kroacisë dhe Turqisë, ku diferencën në fund e bëri goditja e jashtëzakonshme fluturimthi e Luka Modriç, duke i dhënë suksesin kroatëve.
Takimi i dytë i ditës ishte ai mes Polonisë dhe Irlandës së Veriut në Grupin C, ku goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Arkadiuz Milik, i cili i siguroi suksesin përfaqësueses polake.
Dita u mbyll me triumfin e Gjermanisë, e cila kaloi jo pa vështirësi duelin e saj kundër Ukrainës, një skuadër e cila do t'i krijojë probleme kujtdo në këtë turne nëse luan njëlloj edhe takimet e tjera. Sfida përfundoi me rezultain 2-0 për ekipin e Lëv, të vulosur nga shqiptari Shkodran Mustafi në minutën e 19-të të saj dhe Bastian Shvajnshtajger në minutat shtesë.