Videoja ku është filmuar vrasja e peshkatarit, Sokol Veizi, është shumë e qartë për grupin hetimor, për sa i përket përmbajtjes. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se personi “mister” që ka kryer filmimet ka qenë në një distancë shumë të afërt nga vendi i ngjarjes. Nga pamjet e sekuestruara gjatë arrestimit të Julian Sinanajt, shihet qartë i gjithë mekanizmi i ekzekutimit të peshkatarit nga Orikumi.
Videoja 60 sekonda
Videoja zgjat rreth një minutë dhe çdo lëvizje e 31-vjeçarit është e dokumentuar. Bashkëpunëtori i 31-vjeçarit ka filmuar nga një automjet, ku besohet se Sinanaj është larguar pas ekzekutimit të Sokol Veizit.
Ky detaj duket nga kamera që ka fiksuar ngjarjen, ku shihet xhami i makinës. Videoja nis me rrugëtimin e Julian Sinanajt duke shkuar në drejtim të peshkatarit. Ky i fundit ka qenë duke pirë i vetëm kafen e mëngjesit në një prej lokaleve të Orikumit. Vrasësi i është afruar dhe e ka pyetur për emrin. Në këtë moment Veizi është ngritur në këmbë dhe vihet re se mes tyre zhvillohet një bisedë e shkurtër. Sipas burimeve, thuhet se Julian Sinanaj, besohet se pasi e ka pyetur për emrin, i ka kërkuar një dokument identifikimi. Pa asnjë kundërshtim, Sokol Veizi ka nxjerrë portofolin që kishte në xhep dhe i ka dorëzuar kartën e identitetit. Vrasësi ka parë gjeneralitetet dhe më pas largohet në një distancë të shkurtër nga preja e tij. Nxjerr celularin nga xhepi dhe bën një bisedë shumë të shkurtër telefonike. Sipas burimeve, thuhet se ai ka biseduar me Andon Mëhillajn. Në përfundim të telefonatës, kthehet te peshkatari për t’i dorëzuar kartën e identitetit. Pas këtij veprimi ai e qëllon, duke e lënë të vdekur dhe më pas del prej lokalit. Kjo është përmbajtja e gjithë videos së vrasjes të peshkatarit.
Ditari
Një tjetër provë materiale që dokumenton vrasjen e Veizit, është edhe një bllok shënimesh që Julian Sinanaj mbante në banesë. Aty 31-vjeçari kishte shënuar ditën e saktë, orën dhe vendin e vrasjes së peshkatarit, i cili u vra në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit 2013, në një lokal buzë detit. Në sajë të këtij “ditari”, policia ka zbardhur edhe aktivitetin kriminal të Julian Sinanjat. Përveç vrasjes së peshkatarit, ai ka shënuar të dhëna për ekzekutimin e Agron Çelës, datat dhe vendet e vendosjes së eksplozivëve dhe bazën materiale që i shërbente për biznesin e vrasjeve. Gjithashtu për vrasjen e Sokol Veizit, 31-vjeçari ka pranuar se është porositur nga kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj. Thuhet se ata kanë pasur konflikte pronësie me Sokol Veizin dhe për të marrë pasurinë, që shteti ia kishte kthyer peshkatarit, ata e ekzekutuan. Për vrasjen e tij, Sinanajt iu premtua nga kushërinjtë një sipërfaqe toke prej 1500 metra katrorë, në qytetin e Vlorës. Porositësit nuk e mbajtën premtimin, por i dhanë vetëm një apartament, duke krijuar pakënaqësi te Julian Sinanj. Sipas të dhënave, Andon Mëhillaj katër ditë pas vrasjes së peshkatarit Sokol Veizi, ka shkuar në zyrën e noteres së identifikuar me inicialet, A.M., së bashku me Sinanajn për t’i “dhuruar” një apartament prej 64 metrash katrorë. Sinanaj është paraqitur te noterja me një prokurë në dorë, e cila ishte lëshuar nga njerka e tij, ku i lejonte që 31-vjeçari të nënshkruante marrëveshjen për apartamentin. Sipas A.M, ajo ishte e ligjshme, e për pasojë ka vijuar procedurat për nënshkrimin e kontratës. Klientët kanë pritur për disa minuta, derisa noterja të përpilonte dokumentin që bënte kalimin e pronësisë nga Mëhillaj te njerka e 31-vjeçarit. Ata nuk kanë folur për asnjë minutë, por kanë qenë të heshtur. Në fund, të dy kanë rënë dakord me marrëveshjen e bërë dhe kanë hedhur firmën. Pas 30 gushtit, njerka e Julian Sinanajt është bërë pronare e një apartamenti në qytetin e Vlorës. Ai ndodhet në hyrje të Orikumit, ndërsa mësohet se aty banonin familjarët e Sinanajt sidomos gjatë pushimeve verore.