Gardiania që gjobiste biznesmenët, bashkë me ish-gardistin, e niste joshjen në lokal, ku punonte pasditeve, ndërsa në momentet e “zbulimit të tradhtisë“, ajo bënte sikur nuk ishte pjesë e skenarit. Të tjera detaje zbulohen nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, 2 ditë pas arrestimit të dy 28-vjeçarëve, Klodiana Driza dhe Ermal Mrruku, të cilët gjobisnin biznesmenët në Tiranë, duke zbatuar thuajse të njëjtën skemë.
Dashuria dhe kurthi
Preja më e majme e dy shantazhuesve, sipas hetuesvve i përket një ndërtuesi emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai sips tyre është detyruar të paguajë 60 mijë euro dhe t’i japë dy apartamente Ermal Mrrukut, të dashurit të Klodiana Drizës vetëm që historia e tij të mos merrej vesh në familje dhe ai të shpëtonte prej tyre. Sipas prokurorisë, më 5 shtator të këtij viti, në Policinë e Qarkut Tiranës, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim i dëmtuari E.H., banor i qytetit Tiranë. Në kallëzimin e tij ai është shprehur se gjatë muajit qershor 2013 është njohur me një femër që e identifikonte me emrin Klodiana Driza nga Tirana, e cila punonte si kameriere në lokalin me emrin “Top Bast” në zonën e njohur si “Misto Mame”. Njohja midis tyre ka avancuar dhe më 11 qershor 2013 kanë vendosur të lëvizin së bashku nga Tirana me autoveturën e kallëzuesit, tip “BMW”. Në dalje të Tiranës për në drejtim të Elbasanit, në afërsi të një karburanti mjetit që drejtohej prej E.H, brenda së cilës ishte edhe Klodiana Driza, i është prerë rruga nga një autoveturë me xhama të zinj. Prej saj ka dalë Ermal Mrruku, me pistoletë në dorë, duke i kërcënuar të dy se do t’i vriste. Në vijim, biznesmeni tregon se, nën presionin e armës së zjarrit, është larguar nga timoni i veturës dhe është zhvendosur në në ndenjësen e parë të pasagjerit, ndërsa nga vendi i parë i makinës ka lëvizur dhe Klodiana, duke kaluar në sedijen e pasme. Mjetin ndërkaq e mori për ta drejtuar Ermali.
Mjeti me të tre personat brenda lëvizi në drejtim të Krrabës. Më pas ata kanë devijuar rrugën kryesore dhe duke lëvizur në një rrugë të pa asfaltuar kanë përfunduar në afërsi të një liqeni të vogël. Si rrugës dhe aty, Ermali ka vijuar kërcënimin, duke pretenduar se e kishte fyer, pasi shoqërohej me gruan e tij, me të cilën bashkëjetonte. Në këtë vend, po sipas kallëzuesit, Ermali ka qëlluar dy herë me pistoletë për ta kërcënuar dhe duke i bërë presion atij i ka kërkuar si shpagim ndaj veprimeve të tij, t’i jepte makinën si dhe një shtëpi. Këto objekte i akuzuari mësohet se i ka kërkuar ndërsa ai ishte vënë në dijeni se kallëzuesi merrej me biznes. I ndodhur në këto kushte, biznesmeni iu ka rrëfyer hetuesve se kishte rënë dakord me të, që ti jepte makinën dhe një shtëpi, por me qëllim që t’a linte të qetë. Më pas Ermali e ka detyruar biznesmenin të bëjë një fotografi, duke u përqafuar me Klodianën, e cila ishte aty. Kjo fotografi, sipas kallëzuesit, do të shërbente për Ermalin që t’i bënte shantazh te familja, e kryesisht e bashkëshortja e tij. Po ashtu, Ermali kërcënonte edhe Klodianën dhe e ka qëlluar me shuplakë disa herë, duke u munduar të krijojë idenë se ajo nuk ishte pjesë e skenarit të përgatitur më parë prej tyre. Makinën, tip BMW, po atë ditë ia ka shitur Ermalit, për 1 milionë lekë, me kontratë te noteri, por pa i marrë lekë, teksa pas një jave Ermali i mori edhe një apartament. Por përndjekja nuk qe e thënë të mbaronte me kaq, pasi 2 javë më vonë Ermali i kërkoi një tjetër apartament për Klodianën, me sipërfaqe prej 63 metra katror, kurse në gusht të 2013-ës, i mori 30 mijë euro, pasi pretendonte se ishte duke mbyllur një çështje gjyqësore. Sakaq, nga shtatori i këtij viti, deri në shkurt, i mori edhe 30 mijë euro të tjera.
Biznesmeni “peng” në Baldushk për 2 mijë euro
Sipas prokurorisë, më 10 korrik të vitit të kaluar, në Policinë e Tiranës ka bërë kallëzim shtetasi A.XH., me banim në Tiranë. Ai ka kallëzuar se në lagjen e tij kishte njohur para disa kohësh një vajzë me emrin Klodi, e cila punonte në një pikë lotarie sportive, për llogari të një personi i cili njihej me emrin Ermal, i cili në vijim i është prezantuar si bashkëshorti i saj. Pas njohjes më këtë vajzë, ai vijoi kontaktet me të, duke u takuar në disa raste jashtë ambienteve të punës së saj. Në takimin e datës 6 korrik 2013, me kërkesë të Klodit, biznesmeni tregon se është diktuar nga Ermali, i cili i është prezantuar si bashkëshorti i saj. Vendi i takimit me Ermalin ka qenë rruga afër në Selitë, në afërsi të një universiteti privat në kryeqytet. Aty Mrruku, nëpërmjet kërcënimit, i ka marrë të dy në makinën e tij dhe i ka dërguar në afërsi të fshatit Baldushk. Aty ai ka zbritur nga makina biznesmenin dhe duke e kërcënuar për takimin me bashkëshorten e tij, i ka kërkuar në formë “gjobe” fillimisht një sasi parash prej 5 mijë eurosh e në vijim 2 mijë euro të tjera. Kallëzuesi pretendon se ka pranuar kërkesën e Ermalit, me qëllim shmangien e konfliktit me të, dhe sipas bisedës së bërë në këto kushte, duhet ti jepte paratë deri më 15 korrik.