Vidhen për herë të dytë pllakat e Monumentit të Pavarësisë në parkun “Rinia” në kryeqytet. Dy nga pllakat që janë pjesë e objektit, të cilat kushtojnë secila nga 250 euro copa, janë shkulur nga pjesa ballore e monumentit. Bashkë me dy pllakat metalike të konstatuara të vjedhura ditën e djeshme shkon në pesë numri i pjesëve të monumentit, që janë vjedhur që prej hapjes së tij për publikun. Kjo është vjedhja e dytë e monumentit, për të cilin Policia ka nisur hetimet, ndërkohë që rasti i parë u shënua më 25 mars 2013.
Atë ditë, rreth orës 20:10, sipas Policisë dy persona kanë vjedhur tri pllakat metalike në pjesën e poshtme të monumentit. Një ditë pas ngjarjes, më 26 mars, policia deklaroi se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Amarildo Demiri, dhe Qemal Mustafa, 18 vjeç. Ata ranë në pranga, pasi në vendin e quajtur sheshi “Pavarësia”, shtetasi Qemal Mustafa është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke vjedhur pllaka e Monumentit të Pavarësisë. Pllakat e vjedhura disa muaj më parë u zëvendësuan, ndërkohë që dy prej tyre janë vjedhur sërish. Autorët e krimit kanë tentuar të vjedhin edhe pllakën e tretë të cilën e kanë shtrembëruar, por nuk kanë arritur ta heqin nga vendi. tr.so