Vieri si opinionist sportiv Italia do jape shpirtin kunder Gjermanise

Vieri, si opinionist sportiv: Italia do japë shpirtin kundër Gjermanisë

Në orën 23:00 të së hënës së kaluar, Kristian "Bobo" Vieri bëri hyrjen e tij triumfale në studiot parisiene të "BeIN Sports Francë" me flamurin e Italisë. Një prej bomberave më të mëdhenj të të gjitha kohërave (9 gola në po kaq ndeshje mes Botërorëve 1998 dhe 2002) tani është një nga opinionistët kryesorë të rrjetit global sportiv, por që ndërkohë po e ndjek nga fusha (nga tribuna) Europianin e "axurrëve".

177500-christian-vierry

"Të hënën e kaluar, në 'Stade de France' fluturova në ajër me gjithë karrige pas golit të 2-0, i ekzaltuar nga kjo kombëtare plot vlera. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të luftosh për fanellën e kaltër dhe djemtë tanë kanë rizgjuar interesin e një kombi të tërë", nisi intervistën e tij 42-vjeçari për "Gazzetta dello Sport".

Bobo Vieri, duket sikur ka kaluar një shekull nga Botërori skandaloz i vitit 2014...

Këto dy aventura janë si nata me ditën, në çdolloj aspekti.

Çfarë i referoheni në veçanti?

Jam rikthyer të ndjek Italinë me pasion, shoh këta djem plot entuziazëm, të dashuruar me fanellën dhe rigjej tek ata të gjitha ato vlera që unë merrja gjithmonë me vete në kombëtare. Është kjo që njerëzit pretendojnë me të drejtë nga futbollistët e tyre dhe jo më kot pasioni në Itali ka kapur qiellin. Këtë e kuptoj dhe e dalloj qartë edhe nga rrjetet sociale, nuhas shumë krenari nga ana e tifozëve, kundrejt një grupi që në fushë nuk di të kursehet, jep gjithçka deri në pikën e fundit të djersës. Dhe kur lufton kështu, edhe rezultati kalon në plan të dytë, sepse ndonjëherë, të humbësh apo të fitosh është një çështje episodesh, çështje fati. Por nuk ka sukses më të madh sesa të fitosh zemrat e njerëzve të tu. Nëse e ke bërë këtë, atëherë je i fituar gjithsesi.

Kjo do të thotë se kjo Itali e ka fituar zemrën e Vierit tashmë...

Sigurisht. Për këtë arsye nuk do të mungoj as në Bordo, për ta mbështetur kombëtaren nga afër.

italie_espagne

Sa merita ka Konte në këtë kombëtare?

Është një sozi e tij. Kjo Itali ka karizëm, personalitet, di çfarë kërkon dhe arrin të marrë maksimumin. Pastaj, taktikisht Konte është një fenomen, gjithmonë në kërkim të risive. Me pak fjalë, një me bo... të mëdha. E them këtë sepse e ka gjithmonë në dorë skuadrën; kush nuk vrapon dhe nuk luan për fanellën përfundon në shtëpi. Për këtë arsye, njerëzit janë krenarë për këtë Itali, për 23 kampionët e saj dhe një trajner fantastik. Unë jam krenar!

Ne të medias po ju promovojmë si një mes bomberave më të fortë të historisë. Si profesor i zonave të rreptësisë, si e gjykoni "nxënësin" Graciano Pele?

Pele ishte fantastik kundër Spanjës. Luajti për skuadrën. Shpeshherë, ata që kuptojnë pak nga futbolli i quajnë thjesht zemërgjerë të tillë lojtarë, duke thënë se bëri vetëm 2-3 gjëra të mira për skuadrën. Por Pele, kundër Spanjës ishte fenomenal, sepse ishte mbi të gjitha falë tij nëse i gjithë reparti luajti mirë. Ai bën një punë ekzemplare kur luan me shpatulla nga porta; di të stopojë me trup, me kokë, mbron topin në tokë dhe i lejon mbrojtjes dhe mesfushës të marrë frymë lirisht. Bën sponda me kokë, njësoj siç i bën një fantazist me këmbë. Nga 8 topa të larta në zonën spanjolle, 7 i preku Pele, por ishte bukur ta shihje gjithmonë në mbështetje të shokut të skuadrës që ishte në vështirësi. Kur ke në skuadër një si ky, mbrojtja jote nuk do të ndihet kurrë në panik. Ai është një pikë referimi për të gjithë skuadrën, sepse mbrojtësit, ose edhe mesfushorët si Xhakerini, Parolo, Kandreva apo Florenci mjaftojnë t'ia pasojnë atij për të dalë nga telashet, apo për t'u nisur në shpejtësi në kundërsulm.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo ka shënuar edhe dy gola...

Po, dy gola gati identikë. Di të finalizojë, është një gjigant, por edhe kurajoz. Nuk ka frikë nga askush. Në këto kohë gjen mbrojtës monstruozë si kundërshtarë, por kur pashë që i vetëm Pele arriti të dominonte mbi dy kampionë si Ramos dhe Pike, atëherë asgjë nuk është e pamundur për atë.

Televizionet franceze janë të çmendur pas jush dhe mënyrës sesi ju e tregoni futbollin. Çfarë mendojnë "kushërinjtë" tanë për këtë bandë që ka krijuar Antonio Konte?

Gazetarët dhe media franceze ushqen një respekt të madh, sepse të mos harrojmë që në botë, neve na peshojnë jo pak 4 titujt botërorë të fituar. Jemi gjithmonë aty, gjithmonë gati dhe të mësuar për të mbijetuar, për të menaxhuar presionin dhe sidomos të mbrojmë në një mënyrë perfekte. Kompeticione si Europiani apo Botërori fitohen me mbrojtjen më të mirë. Deshamp e di më mirë se kushdo tjetër këtë, sepse ka luajtur te Juventusi, pikërisht si Konte. Në Itali rrihet me orë të tëra në fushë duke mësuar taktikën, duke provuar skema të ndryshme për ndeshja të caktuara. Për këtë arsye futbolli ynë do të mbetet gjithmonë fitues; i mohon hapësirat kundërshtarit, të mban dhe të vë nën presion. "Tiki-taka" është një stil për tri skuadra në botë maksimumi; Barcelonën, Bajernin dhe Kombëtaren spanjolle. Të tjera duhet të vrapojnë, të marrin me shqelma kundërshtarin, ose siç thuhet në zhargon të mbledhin drutë.

364073-Screen-Shot-2016-02-22-at-12.03.44-PM

Do të thoni se, pasi e nisëm si shumë naivë, tani, me këtë Europian do të rifitojmë respektin tonë në botë?

Tani, e gjithë bota i frikësohet Italisë. Fundja, kur ke një "të çmendur" në portë dhe mbrojtjen më të mirë në botë, është e thjeshtë t'i tërbosh të tjerët. Të na shënosh gol është shumë e vështirë, madje është e vështirë t'i afrohesh zonës sonë. Barzalji, Bonuçi dhe Kielini janë specialistët e vërtetë dhe të fundit të mbrojtjes së stilit të vjetër, sepse kaq të egër, pjesë- marrës dhe fizikisht të pathyeshëm ka pak në qarkullim. Të tjerët nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të mbrosh në Itali. Aty tentojnë të gjithë të paraprijnë kontaktin me topin, të kafshojnë kaviljet në çdo zonë të fushës dhe bërrylat janë si përkëdhelje të vazhdueshme.

Na flisni pak për "të çmendurin"?

Ishte muaji tetor i vitit 1997, luanim në Rusi, ndeshja e vajtjes së eliminatoreve për "Francë '98". Luhej në -16 gradë celsius. Binte borë dhe shi në të njëjtën kohë. Vdisje prej të ftohtit. Në një moment, Paljuka dëmtohet, kthej sytë nga pankina dhe shoh një 19-vjeçar që nuk kishte një qime të vetme në fytyrë, gati për të zbritur në fushë, por i veshur me një bluzë me krahë të shkurtra, ndërsa ne të tjerët kishim veshur tri bluza dhe streçe, por sërish dridheshim. Me pak fjalë, një i çmendur. Por një i çmendur fenomen, i cili mund të vazhdojë të presë topa deri në moshën 50-vjeçare. Pa dyshim më i madhi i historisë.

Bobo, mendoni se e mbylli Italia ciklin e Spanjës?

Mundet, por është edhe normale që pas tetë vitesh radhazi, nga 2008-ta e në vazhdim, ku ata nuk njihnin rivalë, ndërrimi i një gjenerate këtë do të sillte. Gjithsesi, nuk duken nënvlerësuar, sepse ata po rrisin një tjetër gjeneratë, e cila do të rikthehet fituese pa probleme.

Ku mund të arrijë kjo Itali?

Tani e pret Gjermania, më e fortë në botë në këtë moment, një skuadër pa pika të dobëta sipas meje. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por për një gjë jam i sigurt; djemtë tanë do të pështyjnë gjak, nuk do të kursehen dhe do ta na bëjnë krenarë. Jemi shumë të uritur, ndërsa gjermanët diçka mund ta kenë humbur rrugës pas Botërorit brazilian. Por, mbi të gjitha, pres një tjetër surprizë nga ana e Kontes, ndonjë shpikje të tijën dhe pikërisht për këtë arsye në Gjermani nuk janë aspak të qetë, sepse e dinë mirë, se ata që kanë më shumë për të humbur nga ky duel janë ata, kampionët e botës.

Keni parë ndonjë Vieri të ri në këtë Europian?

Jo, Vieri është i paimitueshëm (qesh)...

Cili lojtar ju ka surprizuar pozitivisht?

Paje, i Francës.

Po Vieri, do ta marrë apo jo këtë patentën e trajnerit?

Kini durim, siç kam unë dhe do t'i arrij të gjitha.

E shihni veten si një trajner të ardhshëm të kombëtares?

Kam qenë për 10 vjet bomberi i kombëtares, më mjafton kjo.

Është e vërtetë që disa ish-kolegë ju ka ofruar rolin e bashkëpunëtorit teknik?

Po, është e vërtetë. Por ata që më njohin e dinë mirë se çfarë tipi jam dhe çfarë mund t'i jap futbolli. Të shohim, por jam ende shumë i ri.

Dakord, ta mbyllim me "Gossip". Kur do të martoheni?

Herët a vonë, besoj se po...

Përgatiti: JETON STAMOLLA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama