Tanimë në moshën 78-vjeçare, Drita Ivanaj, pas plot 7 dekadash është rikthyer në strehën ku e përzunë së bashku me familjen në 7 prillin e vitit 1939. Është rikthyer, siç thotë në një intervistë të gjatë për gazetën “Shekulli”, jo thjesht për të rifituar pronën që i takon me të drejtë, por për të ngritur aty një fondacion që do të mbajë emrat Martin dhe Mirash Ivanaj, babait dhe xhaxhait, të cilët dhanë shumë për Shqipërinë në një periudhë të errët për të, sa sakrifikuan gjënë më të shenjtë që kishin, familjen. Drita Ivanaj, flet në këtë intervistë për jetën e saj në mërgim, kujtimin e fundit me babain, punën në kompaninë automobilistike italiane “Fiat”, ndryshimet që kishte pësuar shtëpia dhe çdo të bëhet më tej me këtë banesë, që dikur mbante 17 mijë libra.
Për të gjithë ata që nuk ju njohin, kush është Drita Ivanaj?
Unë jam bija e Martin Ivanajt, njëkohësisht edhe mbesa e Mirash Ivanaj, ish-ministër i Arsimit në vitet ‘30, figura shumë të njohura në Shqipëri. Kam jetuar jashtë por megjithatë jam kthyer në Shqipëri pas gati 50 vitesh, për të riparë jo vetëm vendin tim të origjinës por edhe sepse kam dashur gjithmonë të bëj diçka për Shqipërinë çka uroj ta vazhdoj edhe më tej tani që e fillova.
Kur ikët nga kjo shtëpi?
Kam ikur nga kjo shtëpi në prill të vitit 1939. Në fillim kam jetuar në Itali, me mamanë time. Jam ndarë me babain ditën e pushtimit fashist të Shqipërisë në 7 prill 1939. Ai vdiq shpejt në Stamboll. Nuk pata mundësi ta shikoj më. Isha vetëm 5 vjeç kur e pashë për herë të fundit. Po kaq kur e lashë këtë shtëpi. Së bashku me nënën u nisëm në Itali ku jetuam për 12 vite. Në fillim të viteve ‘50, emigruam në ShBA, ku edhe vazhdova studimet. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam jetuar në shtetin e Nju Jorkut.
Kur u kthyet në Shqipëri për herë të parë? Kishit një motiv?
Në Shqipëri për herë të parë u riktheva në vitin 1993. Arsyeja për të cilën u riktheva ishte pasi m’u bë një ftesë për të marrë dekoratën që iu dha xhaxhait tim Mirashit. Ishte një ceremoni që zhvillohej në qytetin e Shkodrës. Që nga ajo kohë jam rikthyer në Tiranë të paktën dy herë në vit. Arsyeja nuk ka qenë thjesht për të rimarrë pronën time, absolutisht jo për vete. Unë dëshiroja ta kisha këtë shtëpi si një mundësi për krijimin e një baze për fondacionin “Ivanaj”, në nder të emrit të babait dhe xhaxhait tim. Një fondacion e kisha krijuar në Nju Jork, ndërsa të dytin kisha dëshirë ta krijoja këtu.
Ruani ndonjë kujtim nga babai dhe xhaxhai?
Shumë, shumë pak. Isha shumë e vogël. Kujtoj vetëm që isha në ballkonin e shtëpisë. Në atë kohë Tirana ishte bosh. Kishte vetëm 3 shtëpi në këtë zonë. Po qëndroja në ballkon me mamanë time kur pashë babain dhe xhaxhain tim që na përshëndetën. Ata nuk kishin ndërmend të na linin në këtë moment. Ata dolën nga shtëpia në mëngjes si në të gjitha ditët e tjera, u drejtuan nga qendra ku kishin zyrat e tyre dhe nuk u kthyen më.
Sa vetë jetonit në këtë shtëpi? Ç’ndodhi më tej me vilën?
Kjo shtëpi është ndërtuar nga babai dhe xhaxhai im. U zhvendosëm këtu kur shtëpia kishte përfunduar. Xhaxhai ynë Mirashi, jetonte me mua, nënën dhe babain. Ai kishte ndërtuar edhe një tjetër shtëpi ngjitur pas nesh. Kemi jetuar bashkë, por pak sepse shtëpia sapo kishte përfunduar, kur Shqipëria u pushtua nga Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura Italiane. Që nga ajo ditë ne nuk mundëm ta gëzonim më, pasi shtëpia u konfiskua. Ajo mbeti kohë pas kohe në duart e njerëzve të tjerë. Pas italianëve natyrisht erdhi fundi i luftës. Sapo xhaxhai im u rikthye në Tiranë ai u vendos në këtë shtëpi, kjo edhe për faktin se vëllai i tij dhe babai im Martini kishte ndërruar jetë në Stamboll. Në fillim të viteve ’50, menjëherë pasi xhaxhai im u burgos, kjo shtëpi u shtetëzua. Në vitin 1970, ndërtesa shërbeu si rezidencë e Ambasadës Hungareze për disa kohë, për t’u kthyer më tej në zyra të Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe të Gardës së Republikës deri 3 vite më parë. Kohë kur unë më në fund futa këmbët në shtëpinë time.
Sa ka ndryshuar shtëpia nga periudha kur ju keni jetuar këtu?
Ka ndryshuar shumë. Shtëpia është modifikuar. Diku është shkëputur një pjesë dhe diku është shtuar. Shtëpia origjinale ka pasur 2 kate. Ajo kishte 14 dhoma. Nëna në kujtimet e saj më ka thënë se kishim një librari. Kishim një dhomë 15 metra e gjatë që ishte ndërtuar posaçërisht vetëm për të mbajtur librat e babait dhe të xhaxhait, kur raftet shkonin deri në tavan. Kishim 17 mijë volume me libra.
Ju keni nisur një punë. Çdo të ndodhë më tej me këtë vilë?
Tani do të shikojmë. Fondacioni është kulturor-edukativ. Është një vend ku uroj që rinia shqiptare të mund të kristalizojë idealet e saj, jashtë fesë dhe politikës. Unë kam projektet e mia që aktualisht janë ende në letra. Projekti më i afërt është stabilizimi i fondacionit këtu. Një ide është që t’u ofrojmë strehim personave që vijnë nga jashtë për të dhënë mësim këtu apo për të bërë konferenca dhe seminare. Mendoj që të kemi një qendër kulture të brendshme me internet në mënyrë që këtu të bashkohemi për të komunikuar me botën për të bashkëpunuar me shoqata të tjera kulturore. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me Arkivin Shtetëror Shqiptar dhe uroj që në të ardhmen ky bashkëpunim të jetë po kaq i frytshëm me të tjera institute akademike. Rinia shqiptare e sotme ka shumë cilësi dhe me këto cilësi mund ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes.
Mirashi dhe Martini, fati i keq i dy figurave kombëtare
Mirashi dhe Martini mbeten dy figura të shquara shqiptare të periudhës së viteve ’30. Martini ishte vëllai më i madh. Lindi në vitin 1988, ndërsa Mirashi më 1891, në qytetin e Podgoricës në Mal të Zi. “Babai im Martin ishte avokat. Të dy bashkë me Mirashin u diplomuan në Romë. Ata ishin shumë të lidhur me njëritjetrin që kur ishin fëmijë. Jetuan gjithmonë bashkë. Mund të jetonin edhe në Itali por ata vendosën të ktheheshin në Shqipëri sepse e dinin që këtu kishte shumë punë për të bërë.
Në fillim babai punoi si avokat në Shkodër dhe në Korçë, pastaj erdhi në Tiranë ku u bë gjykatës i Trupit Suprem dhe më vonë anëtar i Këshillit të Shtetit Shqiptar”. Mirashi ndoqi një rrugë tjetër në karrierë. Ai u dallua më së shumti për rolin që pati në vënien e gurit të themelit në “godinën” e arsimit shqiptar. Në vitet 1932-1935, Mirash Ivanaj mbuloi detyrën e ministrit të Arsimit në qeverinë e Pandeli Evangjelit.
Merita e tij më e madhe në punën si ministër ishte nisma për hapjen e shkollave publike. Në shtator të vitit 1934, në detyrën e Ministrit të Arsimit, ai paraqiti ligjin e ri për arsimin i cili synonte kthimin në arsim të detyruar të arsimit 5-vjeçar fillor. Po kështu një meritë e veçantë ishte edhe ligji i ri i Arsimit, i njohur si “Ligji Ivanaj” qëllimi i të cilit ishte krijimi i instituteve edukuese dytësore.
Si Mirashi ashtu edhe vëllai i tij Martini patën një fund të hidhur, ashtu siç ishte edhe vetë fati i familjes së madhe Ivanaj. Martini ndërroi jetë në Stamboll në vitin 1940 pas një sëmundje të rëndë, ndërsa Mirashi ndërroi jetë si i burgosur politik në 22 shtator të vitit 1953 në Tiranë. Drita, trashëgimtarja e vetme dhe e fundit e familjes Ivanaj thotë se vetëm në vitin 1995 mundi të sjellë në Tiranë eshtrat e babait i cili prehet pranë të vëllait, Mirashit.