Kanë kaluar më shumë se 24 orë tmerri dhe frike në bordin e anijes “Norman Atlantic”, e cila që prej orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm kur lëshoi sinjalin “SOS”, vazhdon ende të jetë në flakë. Tetë nga 22 shqiptarët që gjendeshin në bordin e anijes “Norman Atlantic”, janë shpëtuar. Ministria e Punëve të Jashtme i siguroi sot qytetarët shqiptarë, se të gjithë shqiptarët që ishin pjesë e anijes “Norman Atlantic” që u përfshi nga flakët, janë jashtë rrezikut, dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas MPJ-së, aktualisht po ju jepet ndihma e parë të gjithë të evakuuarve, dhe se të gjithë shtetasit shqiptarë nuk kanë asnjë problem me shëndetin. Për fat të mirë, shqiptarët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë listës së 7 shqiptarëve të shpëtuar i është shtuar edhe Brunilda Cazo. Djen u evakuan Refik Aliko,Sheraf Aliko, Donika Aliko,Jonel Lamcaj,Festim Cuci,Hasie Cuci, ndërsa një shtetas tjetër identiteti i të cilit ende nuk dihet, u transportua me helikopter në spitalin e Brindisit. Deri tani është regjistruar vetëm një viktimë me shtetësi greke, në tentativën për të braktisur anijen në flakë. Për të shpëtuar pasagjeri është hedhur në det.
Mediat italiane raportojnë dhe per dy të plagosur me pasagjerëve të anijes së përfshirë në flakë. Një ekip italian gjendet në bordin e anijes për të lehtësuar aksionin. Në anije është dhe një operator fluturimi si dhe ekipi mjekësor i përbërë nga mjekë dhe infermierë, për pasagjerët që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Mësohet se në bordin e tragetit ndodheshin 478 persona, 268 prej të cilëve me kombësi greke, mbi 100 italianë dhe 25 shtetas me pasaportë shqiptare, ndërsa 54 persona janë pjesë e ekuipazhit. Nacionalitetet jane: 234 grekë, një rumune, 2 rusë, 6 austriakë, 2 hungarezë, 10 zviceranë, një kroat, 8 gjeorgjianë, 5 sirianë, një suedez, një kanadez, 2 ukrainas, një egjiptian, 18 gjermanë, 54 turq, 2 afganë, 22 shqiptarë, një maltez, 7 bullgarë, 3 nga Maqedonia, dy britanikë, 22 italianë, 3 holandisht, 3 belgë, 9 francezë, 2 irakianë.
"4 të vdekur në bord"
Zyrtarisht flitet per nje te vdekur, një shtetas grek që u dërgua në Portin e Brindisit, por dëshmitë sipas medieve italiane pohojnë se janë 4 të vdekur në bord. Ka qenë një prej udhëtarëve të shpëtuar nga anija, që ka dëshmuar se ka parë në bordin e anijes katër persona të vdekur. Dëshmitari, një burrë me nënshtetësi turke, e dha deklaratën sapo mbërriti në tokë së bashku me 48 pasagjerë të tjerë të tragetit “Norman Atlantic”. Sipas tij, të vdekurit janë 2 gra dhe 2 burra.
“Katër besoj, sepse ishte errësirë dhe nuk dalloheshin qartë, por ishin katër”, shprehet dëshmitari teksa thotë se shumë njerëz përfunduan në det.
“Pashë shumë njerëz që ranë në det. Nuk e di ç’u bë me ta, nëse shpëtuan apo jo. Dëgjonim ulërima, shihnim tym, flakë dhe për 5 minuta, anija u përfshi e gjitha nga flakët. Mbeti shumë pak për t’u bërë. Ne mbetëm të izoluar në katin e fundit të tragetit”.