Vikena Kamenica Eksperimentimi me vepren Rossiniane

Vikena Kamenica:
E në raste të tilla emocionet edhe i rikthehen. Kështu ndodhi edhe me çmimin e dhënë para disa ditësh nga ambasada franceze. Këtë pret edhe nga "Berberi i Seviljes", vepër të cilën është impenjuar ta "formëzojë" me vokalin e saj për t'u paraqitur së shpejti para publikut të Teatrit të Operës...

Ju jeni vlerësuar me një çmim nderi nga ambasada franceze në kuadër të Ditëve të Frankofonisë. Ç'domethënie ka për ju kjo?

Diçka që nuk e prisja dhe vërtet shumë interesante. Që kur kemi realizuar "Kohën e qershive" më 2002, me Luiza Xhuvanin dhe Ndriçim Xhepën, bazuar mbi këngët legjendë që kanë bërë historinë e muzikës franceze, më lidhi fort një ndjesi me këtë kulturë si dhe me frankofonët shqiptarë. Që atëherë kam punuar në vepra të ndryshme, si: Notre Dame de Paris-Coçiante / Faust- Gounod / Carmen- Bizet, etj. Me një telefonatë nga Ministria e Jashtme më njoftuan se isha përzgjedhur për një lloj akordimi si një nga përfaqësueset e dialogut interkultural. Një eveniment goxha zyrtar ku vetë Kryeministri i Shqipërisë dorëzoi këto akordime. Ajo që has më shpesh në Shqipëri është që gjithmonë vlerësimet kanë një anë korruptive. Ndërsa për mua kjo ishte një surprizë e madhe dhe që e ndjeva veten të vlerësuar dhe të nderuar dhe mbi të gjitha për atë kulturë që s'është aq komerciale dhe me aq popullaritet. Për mua ky ishte një sadisfaksion i madh.

Cilat janë angazhimet tuaja aktuale në fushën e muzikës?

Një punë individuale mbi një nga veprat më të mëdha dhe virtuoze të G. Rossinit, siç është "Berberi i Seviljes". Nëpër botë këngëtarët bëjnë specializime për stile të ndryshme dhe për atë Rossinian shumë të veçanta, për shkak të virtuozitet dhe teknikës delikate që kërkon, por në Shqipëri jemi mësuar të eksperimentojmë, të provojmë. Jam në një fazë që po i bëj vetes një sfidë. E ndiej që do të më kërkojë më shumë kohë, por me thënë të drejtën më intrigon shumë dhe i jam dhënë me shumë shpirt. Edhe kjo fazë më jep shumë kënaqësi dhe mezi pres t'ia shtoj repertorit tim.

Prej disa vitesh jeni pjesë e artistëve të TKOB. Si e shihni situatën brenda këtij institucioni?

Si shumë nga institucionet shtetërore që ushtrojnë aktivitet të plotë në Shqipëri dhe TKOB-i ka pasur uljet e ngritjet e tij ndër vite. Por për periudhën 7-vjeçare që unë jam në opera, këto vite të maestros Ciko kanë qenë nga më produktivët dhe më demokratikët e me një thyerje të plotë të monotonisë artistike. Me prezantime të stileve të ndryshme muzikore dhe me tolerancë të plotë, ku gjithmonë të rinjve që mbarojnë shkollën iu krijohej mundësia për audicione në vepra të ndryshme dhe për t’u mbajtur afër skenës. Në këtë muaj, teatri ka patur një gjendje tensioni dhe kemi shpresuar që të çojë në zhvillim dhe jo në shkatërrim, sepse nuk është në të mirë të askujt. Do të doja të ndalesha më tepër, por mbase ia lëmë një teme më të zgjeruar dhe ku pikësynimi i plotë të jetë ai i mbrojtjes së vlerave.

Nga gjithë rolet e realizuara deri tani në skenën operistike kë do të veçonit? Janë plot role për t'u përmendur, të përgatitura me shumë dashuri dhe përkushtim. Por kuptohet që secili prej tyre ka pasur veçorinë e vet dhe pak vështirë t'i ndaj duke qenë se u përkasin karaktereve të ndryshme: që nga një vajzë e thjeshtë deri tek një cigane rebele apo një gruaje me një temperament të vështirë. Gjithsesi, po më pyet relativisht herët, sepse shumë role i kam akoma ëndërr për të realizuar.

Ku gjendeni më mirë mes muzikës operistike dhe asaj të lehtë?

Jam diplomuar më 2001 si këngëtare lirike në Akademinë e Arteve. Spektri im është pak më i gjerë se muzika klasike, operistike. Jam aktivizuar edhe vazhdoj me muzikën e lehtë, musicalin, etj. Shqipëria është vend i vogël dhe për më tepër të merresh vetëm me një gjë të mbyt dhe natyra ime nuk e duron absolutisht këtë. Kam dalë në skenë që kur isha 16 vjeç e s'mund të ndalesha vetëm në një kalendar operistik. Jam munduar për të krijuar një balancë mes të dyjave, por tashmë në këtë periudhë jam angazhuar pak më shumë në opera. Kjo edhe për një lloj sfide me veten. Jam e intriguar për të provuar diçka te re e të shoh veten ndryshe. Sidomos për fazën që është muzika e lehtë në Shqipëri, në kohën e degjenerimit dhe të antivlerave.

Ç'mund të thoni për Vikenën jashtë skenës, në të përditshmen e saj?

Një aktivitet të zakonshëm shumë të thjeshtë dhe me shumë punë. Impenjimi familjar zë një pjesë të rëndësishme të së përditshmes time, si dhe shoqëria që s'duhet harruar, sepse tek unë përbën një komponent të rëndësishëm të së përditshmes.

Cilët janë ata persona që kanë ndikuar më së tepërmi në formimin tuaj artistik?

Padiskutim ata që kanë rrënjosur bazën e formimit tim artistik janë familja ime. Por një falënderim do të shtoj gjithmonë për pedagogët e mi, si dhe për ata artistë miq, të cilët me dashuri dhe përkushtim kanë lënë atë gjurmë të rëndësishme tek unë dhe me krenari them që nuk janë të paktë.

Bisedoi: B.Goce  Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama