Kapiteni i Islandës, Aron Gunarson, ka bërë të qartë se kombëtarja e vendit të tij ka nga të mësojë atë që i nevojitet për të kaluar Francën në çerekfinalet e Euro 2016.
Gunarson, i cili është pjesë e ekipit uellsian të Kardif që nga viti 2011, mendon se Uellsi është shembulli perfekt për t'u ndjekur nga të gjitha ato që cilësohen si skuadra të vogla.
"Ashtu siç e dinim para turneut, ata nuk ishin favoritë për të ecur aq shumë dhe as në gjithashtu. Është kënaqësi kur i sheh dhe mendoj se tashmë të gjithë duhet ta shohin me seriozitet Uellsin. Ata kanë një ekip të mirë, lojtarë të mirë dhe një grup të bashkuar.
Kjo është diçka nga e cila ne mund të mësojmë shumë. Mendoj se jemi të ngjashëm me ta, sidomos për sa i përket dëshirës për të fituar ndeshjet", tha Gunarson, i cili dukej i pakënaqur me krahasimin që i bëhej vazhdimisht kësaj kombëtareje me Leisterin.
"Ne nuk po mundohemi t'i ngjajmë asnjë skuadre tjetër, ne jemi thjesht Islanda. Ky është identiteti ynë, si hyjmë ne në ndeshje. Është diçka fantastike të jesh pjesë e saj", theksoi kapiteni i Islandës.
"Franca është një tjetër ndeshje e vështirë për ne dhe ata kanë një skuadër shumë të fortë. Por përsëri, luhet 11 kundër 11 dhe fillon 0-0", paralajmëroi ai.