Një dokument u publikua në gjuhën shqipe, në të cilin bëhet e ditur se dy prej viktimave të ngjarjes së Kumanovës, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, rezultojnë të arrestuar nga policia maqedonase e jo të vrarë.
Vërtetësinë e këtij dokumenti e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë, teksa ka publikuar edhe versionin e tij në gjuhën maqedonase, me të cilin kjo ministri ka informuar edhe ambasadën e Kosovës në Shkup.
Në të konfirmohet se mes personave të arrestuar nga policia maqedonase gjenden edhe Ndrecaj dhe Rizaj, të cilët më vonë rezultuan si të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Në fakt, në këtë listë paraprake - siç e quan kjo ministri, nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë, që humbën jetën gjatë aksionit policor në Kumanovë, por vetëm emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Begë Rizajt.
Ky dokument i Ministrisë së Jashtme mban datën 12 maj, ndërsa një ditë më vonë, përmes një komunikate zyrtare për mediet, Ministria e Brendshme e Maqedonisë i shpalli të vrarë Mirsad Ndrecajn dhe Beg Rizajn.