Pas humbjes me Shqipërinë, nuk janë ndalur më. Në 10 korrik, në "Stade de France", Franca dhe Portugalia do të përballen në finalen e madhe të Europianit pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive.
Dy ish-rivalet e Shqipërisë në grupin kualifikues të "Euro 2016" (duhet përmendur gjithsesi se ndeshjet me Francën vlenin si miqësore), për herë të fundit në një ndeshje zyrtare janë thyer pikërisht nga skuadra e Xhani De Biazit.
Luzitanët nuk njohin më humbje që prej sfidës së parë kualifikuese ndaj Shqipërisë më 7 shtator 2014 (i ndëshkoi Bekim Balaj). Ashtu siç nuk njeh humbje as Franca që prej disfatës në "Elbasan Arena" falë golit spektakolar të Ergys Kaçes me goditje dënimi.
Në një prononcim për "Panorama Sport", Xhani De Biazi thotë se ndihet mirë që edhe skuadra e tij do të zbresë me një "rekord" në "Stade de France" të dielën. "I kemi mundur dhe më vjen mirë që kjo kujtohet. Është diçka që ndodh një herë, maksimumi dy herë në jetë, sepse diferencat me ta, si me Portugalinë ashtu edhe me Francën, janë shumë të mëdha", u prononcua trajneri i kuqezinjve.