Viktori Puzanova per Onufrin dhe afresket e Valshit

Viktori Puzanova per Onufrin dhe afresket e Valshit
Viktori Puzanova i pa për herë të parë kishën e Shën e Premtes në Valsh dhe atë të Shën Kollit në Selcan të Elbasanit, në tetor të vitit 1951, në një ekspeditë informative. Në korrik të vitit 1952 i studioi me imtësi dhe bëri 9 kopje afreskesh që ndodhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Nga këto, 3 janë të Valshit dhe 6 janë të Shelcanit. Nga Valshi ka kopjuar Shën Spiridhonin, Shën Mërinë dhe një shenjtor të paidentifikuar. Në vitin 1953 ajo boton artikullin e saj të parë “Piktori shqiptar i shek.XVI Onufri nga Neokastra (Elbasani). Ajo studioi dhe vlerësoi lart Onufrin kryesisht nga pikturimi i afreskeve të këtyre kishave. Më poshtë po japim disa përcaktime të Puzanovës për artin e ikonografit shqiptar.

“Mjeshtri Onufri është piktor i lindur, që ka dorë shumë të sigurt dhe ndjenjën artistike të formës. Afresket e tij të çudisin me përpjesëtimet e përsosura, me plastikën e lirë në trajtimin e figurës, me elegancën dhe hollësinë e jashtëzakonshme të formës.” “Vepra e tij nuk tregon asgjëkund se Onufri kopjon makinalisht modelet e caktuara në Bizant, por ai krijon me guxim figura të reja. Kompozicionet e tij janë gjithnjë interesante dhe me jetë.” “Tek Onufri këto ngjarje ungjillore janë rritur e ndërlikuar nganjëherë në piktura zhanër. Tregimi i përmbajtjes së tyre, shpeshherë është i mbushur me detaje të jetës të cilat e interesojnë tepër artistin.” “Sidomos i duhet vënë kujdes ritmit shumë të hollë, kompozicionit të afreskut që tregon shijen e zhvilluar artistike dhe talentin e piktorit. Është shumë karakteristike, interesante dhe që nuk u përngjan pikturave të tjera kishtare, mënyra se si e trajton Onufri hapësirën që pikturon.

Për atë i gjithë pikturimi i kishës është një gjë e përbashkët…” “Te Onufri, ikonostasi është pikturuar edhe nga ana e brendshme e altarit, gjë që është shumë e rrallë.” “Si përfundim, ai ka kombinime pesë-gjashtë ngjyrash bazë që arrijnë në një harmoni të përsosur dhe japin përshtypjen e saturimit dhe pasurisë së kolorit.” “Këta tipa të marre nga jeta që e rrethonte, afër tij, me origjinë shqiptare, Onufri i ka vërejtur dhe zgjedhur me kujdes në mes të popullit të Shpatit.” “Format e Onufrit janë bërë delikate, të lehta të detajuara. Koloriti është bërë më i butë, më i ëmbël, stili më i lirë, më piktoresk.” “Ndjehet edhe madhështia e Onufrit si piktor. Pa dyshim ky e njihte edhe artin e Rilindjes. Me gjithë rigorozitetin e madh të tij bizantin, vendevende, sado që shumë larg, ndjehet jehona e Italisë. Në veprat e Onufrit ndjehet bukuria e kryeveprave të Rilindjes...” “Piktura e Onufrit qëndron shumë më lart nga piktura serbe e kohës së tij.”

***

Puzanova u jepte rëndësi të veçantë dy kishave të Shpatit. Ajo vizitoi gati gjithë kishat e Shqipërisë, në Berat, Korçë, Prespë, Breg, Gjirokastër, Rubik. Por rëndësi parësore kanë analizat që ajo bën pikërisht për ato dy kisha. Kur bisedonte për to sytë i shkëlqenin me një dritë të veçantë. 

Bio

Bizantologia ruse Viktori Puzanova (1893-1964) jetoi dhe studioi artin bizantin në Shqipëri për gati 20 vjet. Përkrah saj, studiuesi Theofan Popa deshifroi mbishkrimet bizantine gjatë periudhës 1967-1973. Ajo botoi 8 studime mbi artin bizantin. Kishte filluar ndërkohë të bënte kopjet e freskave të Onufrit dhe qysh në studimin e parë ajo do të merret pikërisht me këtë piktor. Prej saj ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë rreth 32 kopje figurash të veçanta apo freskash. Origjinalet e disa prej veprave që ajo ka kopjuar, sot nuk ekzistojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama