Vila si Zorro kerkon fitoren ndaj Vllaznise

Vila si Zorro, kërkon fitoren ndaj Vllaznisë

Dëmtimi që pësoi në Vlorë e detyron Emiljano Vilën që të dielën të luajë me maskë ndaj Vllaznisë. Në daljen e djeshme para mediave, Vila ka pohuar se për Partizanin nuk ka rrugë tjetër veç fitores, ndonëse shkodranët janë konsideruar si "macja e zezë" e kryeqytetasve. partizaniPërpos sukseseve të "demave", Vila pret që edhe korçarët të bëjnë hapa falsë.

Durrsaku pohon se Partizani e ka grupin e duhur për të bërë kthesën dhe ata do të luftojnë deri në fund që titullin ta fitojnë që këtë sezon. Shpresohet që duke nisur nga Vllaznia e në vazhdim të mos ketë më vend për përsëritjen e gabimeve të minutave të fundit.

Pas barazimit në Vlorë, ku nuk shfrytëzuat dot hapin fals të Skënderbeut, fitorja ndaj Vllaznisë bëhet detyrim për Partizanin...

Është e vërtetë që kemi lënë pikë në përballjet me Vllazninë. Edhe vjet ka qenë e njëjta histori. Besoj se do të fitojmë kësaj radhe. Do të futemi në fushë vetëm për fitore, duke ditur që kemi ecur keq në këto ndeshjet e fundit. Na kanë zhbilancuar hapat falsë, barazimet në minutat e fundit, ndaj shpresoj të bëjmë kthesën këtë fundjavë.

Vllaznia ju ka hapur punë në vitet e fundit dhe jo më kot konsiderohet si një "mace e zezë" për "demat". Si e shikoni sfidën e nesërme?

Deri tani është e vërtetë, ka qenë një "mace e zezë" për ne. Megjithatë, në ndeshjen e së dielës besoj se do të kthehen gjërat në favorin tonë. Nuk kemi rrugë tjetër, përveç fitores. Kemi bërë shumë hapa falsë. Shpresoj se këto që na kanë ndodhur neve, barazimet në minutat e fundit, t'i kalojë edhe Skënderbeu tani, në mënyrë që të rikuperojmë distancën prej 5 pikësh nga kreu. Që në ndeshjen me Vllazninë besoj se do të jemi në rrugën e duhur.

Tri barazime dhe një fitore në katër ndeshjet e fundit duket diçka e papranueshme për një ekip që pretendon titullin...

Normal që është e papranueshme, por kështu e ka futbolli, prandaj është aq i bukur. Të gjithë: stafi, presidenca dhe djemtë e ekipit shpresojmë deri në ndeshjen e fundit. Kemi aq mundësi për të dalë kampionë. Kemi një grup futbollistësh, që dinë ta ngrenë kokën në momentet e duhura.

Partizani shënon një gol, por më pas ju tërhiqeni në mbrojtje të rezultatit, çka ju ka kushtuar shumë në fund...

Ekipi ynë gjithmonë ka hyrë për të fituar. Natyrisht, ka edhe luhatje në fushën e lojës. Kemi kaluar në avantazh dhe më pas jemi tërhequr, por nuk besoj se ka qenë ky shkaku. Ka qenë një ngërç i yni në ndeshjet kur kemi pësuar gola në fund. Nuk na ka thënë dikush, as na ka dhënë urdhër për t'u tërhequr mbrapa e për të mbrojtur rezultatin. As trajneri nuk e ka bërë këtë. Këto janë momente të ndeshjes, kur mund të gabosh e të pësosh.

Për shkak të dëmtimit që morët në Vlorë, ndaj Vllaznisë pritet të luani me maskë. A përbën ndonjë shqetësim për ju?

Kam dy ditë që e kam vënë maskën në stërvitje dhe kam pak vështirësi, por shpresoj që në ndeshjen me Vllazninë të jem në rregull. Madje, uroj që maska të jetë një ogur i mirë për fitoren.

Përgatiti: ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama