Vilson Blloshmi ne perkthimet e Hygoit

Vilson Blloshmi në përkthimet e Hygoit
Ekskluzive / Nga dosja operative e poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi dalin tri fletore me përkthime dhe shënime ditari. Me mirëkuptimin e SHIK-ut, i vëllai i ka në duar dhe po punon për botimin e tyre. Vend kryesor zë përkthimi i Viktor Hygoit, një dramë, poezi dhe eseistikë filozofike

Bedriu ka pasur mirëkuptimin e SHIK-ut, thotë poeti Sadik Bejko duke treguar si dolën “në mënyrë ilegale” kopjet e tri fletoreve të Vilson Blloshmit. Dihet që ligji nuk e lejon hapjen dhe bërjen publike të dosjeve operative si ajo që përmban përgjime ndaj Vilson Blloshmit (1948-1977) i ekzekutuar me pushkatim bashkë me Genc Lekën (1943-1977) më 17 korrik 1977 në Përroin e Firarit, një rrëpirë nën majën e malit të Zgarës, dhjetë kilometra larg Librazhdit.

Bedri Blloshmi ka vite që merret me kërkimet e gjurmëve dorëshkrimore të të vëllait. Hetimi i tyre çoi në arrestimin e Vilsonit.

“Është nxjerrë vetëm poezia, tani mbeten përkthimet dhe letërkëbimet”, thotë autori i monografisë “Vilsoni dhe Genci”, Sadik Bejko. “Për letërkëmbimet ka për të qenë më e vështirë sepse bashkë me to do dilnin edhe emra të personave të cilët i kanë dërguar në organet e Sigurimit”.

Në prill 1976 kur u arrestua Bedri Blloshmi u sekuestrua çdo fije letër e Vilsonit, madje edhe letrat e dashurisë të së shoqes, Diana. Pak muaj më vonë, në gusht, u arrestua dhe poeti, dhe hetimi i tij nisi mbi bazë të dorëshkrimeve të tij. Së fundi, në një të përditshme, është botuar dosja hetimore e Vilson Blloshmit marrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme. Një ekip i tërë duhej të ishte marrë me dorëshkrimet e tij. Bejko thekson që hetimi pat filluar me një strofë nga “Ester” tragjedia e Zhan Rasinit, të cilën e kishte përfshirë në një poezi të vetën. “Jo pa qëllim e nisin me “Esterin”, - komenton Bejko. Ata donin të zbulonin nëse ai ishte i pakënaqur nga sistemi, dhe të ishe i pakënaqur nga sistemi do të thoshte ta shpallje veten armik të tij.” Bejko shton se hetuesit, duke iu referuar përkthimeve të Blloshmit, kanë gjykuar Bodlerin dhe zënë faqe të tëra pyetjet që i bëjnë rreth simbolistit. Ai pati përkthyer nga frëngjishtja të ashtuquajturit “poetë dekadentë” si Teofil Gotje, Stefan Malarme, Pol Verlen, Sharl Bodler. Prej këtij të fundit janë zbuluar përkthime të reja si për shembull “Pendim i vonët” nga “Lulet e së keqes”.

Ai kishte krijuar një antologji të vetën me kaq sqimë me poetët francezë të cilët nuk i ka përkthyer të gjithë.

Fletorja tjetër është me përkthime të eseistikës së Viktor Hygoit mbi Dante Aligierin dhe Ulliam Shekspirin. “Hygoi ka qenë poeti i tij i dashur, - shton Bejko, - por veten e ka treguar si përkthyes shumë të mirë sonetet e Bodlerit”. Sipas Bejkos, përkthimi vende-vende i eseistikës së Hygoit duket që është bërë jo si qëllim më vete dhe ky “kriter” ka për të qenë pak problematik për botimin në formë antologjie për të cilin po punojnë Bedri Blloshmi dhe Sadik Bejko.

Qëllon që mes fletoreve ka poezi origjinale dhe shënime në formë ditari, për të cilat është pak herët të gjykohet. Pak prej tyre po i shkëpusim. Janë vargje të vitit 1975:

Të egër neve heshtnim, në gji të natës qetë
Për gaz e brengë e djall ne fare s’bisedonim
Mbi tëmtha hap i kohës ndonëse na shkelte lehtë
Na shkrojti rëndë me thembër diçka për këtë jetë
Por oh! U zhdukën fjalët sa nisëm t’i lexonim!
Në një nga fletoret është përkthimi i plotë i novelës filozofike “Zadik” i Molierit, e cila deri në atë kohë ishte përkthyer në shqip pjesë-pjesë. Vilsoni punonte në minierë ndërkohë që i kushtohej frëngjishtes së tij që e pat mësuar në mënyrë autodidakte.

Fletorja e tretë përmban përkthimin e plotë me shkrim dore të një ndër dramat e para të Viktor Hygoit, e quajtur “Hernani”. Lënda është akoma në shqyrtim.

Tek fletoret e zbuluara në dosjen operative ka edhe fletë ditari, prej të cilit hartuesi i botimit të ardhshëm e gjykon herët të shkëpusë diçka apo ta komentojë.

Ndërsa kërkon shpjegime përse pikërisht këta autorë dhe këto pjesë, Bejko thotë se një 28-vjeçar si ai që e dinte se nuk mund të botonte kurrë, pra nuk mund t’i ndante me botën dhe me njerëzit “përsetë” e jetës, “kërkonte një shpjegim për veten. Them se është e njëjta arsye përse është lexuar shumë nën diktaturë”.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama