Violina e Stradivarit prek rekordin e $16 mln

Violina e Stradivarit prek rekordin e $16 mln
Një violinë e rrallë e mjeshtrit Stradivari, që dikur i përkiste mbesës së poetit anglez Lord Byron u shit për një shifër rekord prej 15.9 milionë dollarë në një ankand bamirësie për mbledhjen e fondeve në ndihmë të Japonisë të prekur nga katastrofa natyrore e 11 Marsit. Violina e prodhuar në vitin 1721 u ble nga një ofertues anonim për një vlerë 4 herë më të lartë nga rekordi i mëparshëm i vendosur në shitjet e produkteve të mjeshtrit italian.

Të ardhurat nga kjo shitje do të shkojnë në ndihmë të Japonisë nëpërmjet fondacionit Nippon për tërmetin dhe Fondit në Ndihmë të cunamit. Violina me emrin "Lady Blunt" u ofrua për shitje nga fondacioni Nippon për muzikën, që konsiderohet të jetë pronar i instrumenteve më të përkryera në botë të prodhuara nga Stradivari dhe Guarneri.

Organizatorët e ankandit thanë se shitja regjistroi një interes shumë të lartë në mesin e ofertuesve. Instrumenti që u shit, për 30 vite me radhë ka qenë në pronësi të Lady Anne Blunt, mbesa e Bajronit. Kjo violinë është një nga 600 violinat, violat dhe violinçelat që vazhdojnë të ekzistojnë të prodhuara nga dora e Antonio Stradivari. Hera e fundit që ajo u shit në publik ishte viti 1971, dhe në ato momente theu rekordin e 84 mijë paund.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama