Violina e mbajtur peng

Violina e mbajtur peng
Dy ditë më parë, Ina Kosturi, pedagoge e jashtme për lëndën e violinës, në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve, u drejtua pranë gazetës “Shekulli” për të treguar një problem që vetëm përsëritet deri në mërzi, zvarritet dhe nuk gjen kurrë rrugën e zgjidhjes. 20 vjet dhe asnjë konkurs për të marrë në punë një violinist në katedër. Konkurse të reja nuk ka në mënyrë absolute. Ndërkohë vazhdon tradita e konkursve në degët e tjera të Fakultetit të Muzikës.

Titulli “Profesor i Asociuar” me të cilin Kosturi është vlerësuar këtë vit në mënyrë unanime nga Këshilli i Profesorëve, garanton përparësi ndër konkurrentë të tjerë jo të kualifikuar, siç e kërkon detyra dhe parashikon ligji. Madje, titulli garanton edhe kandidimin për dekan, por jo mundësinë e të qenit thjesht pedagog i brendshëm. Absurditet alla shqiptar! Violinistja hedh dritë mbi problematikën.

Ina Kosturi u diplomua në vitin 1992 në Akademinë e Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Foxhia, Itali. Në kohën që u kthye në Tiranë realizoi një sërë koncertesh recitale, si soliste me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit në periudhën 1993-1994, me orkestrën e harqeve, në formacionin e duos violinë-piano, si edhe një sërë koncertesh në Itali. Në kohën kur u punësua në TKOB, u bë pjesë edhe e stafit pedagogjik të Akademisë së Arteve si pedagoge e jashtme. Vinte me eksperiencën e një shkolle të vështirë, ku për të marrë diplomën duheshin kaluar 8 prova, aty edhe mësimdhënia në skenë para një komisioni.

Në akademi fillimisht kishte një normë të plotë orësh për 6 studentë. “Skena dhe pedagogjia ia hoqën “shijen e hidhur” të kthimit në një vend ku po ndërronte regjimi dhe ku të gjithë po mendonin të iknin”.

Çfarë ju pengon për të qenë pjesë e stafit të brendshëm të Universitetit të Arteve?

Megjithë problemet e tjera të një vendi në tranzicion, ky vend në katedrën e violinës ka mbetur peng. Është e vetmja katedër e pandryshuar, e për më tepër, tërësisht maskiliste.

Çfarë parashikon ligji?

Në bazë të vitit 2007 i ndryshuar, parashikohet se pedagogët e universiteteve duhet të kualifikohen deri në vitin 2012. Katedra aktuale e violinës përbëhet nga dy profesorë, dy profesorë të asociuar dhe një lektor, që duhet të kualifikohet. Atëherë përse duhet të mbahet katedra me një numër të madh pedagogësh të jashtëm pa kualifikimin e duhur, kur ligji e parashikon qartë kualifikimin? M’u desh të prisja shtesën nga MASH për të marrë studentin e dytë të normës së pedagogut të jashtëm. Ndërkohë të tjerë pedagogë të jashtëm vijojnë me norma të plota dhe japin mësim deri në master…

Numri i studentëve të violinës është i madh dhe nuk mbulohet me personel të kualifikuar dhe me personelin e brendshëm. Kjo katedër funksionon me një numër të madh pedagogësh të jashtëm, megjithëse lënda që jepet është kryesore në një shkollë arti. Pedagogët e jashtëm, sipas traditës, japin mësim në shumicës e rasteve fshehtas.

Thelbi i problemit qëndron te mungesa e konkurseve…

Nuk është bërë asnjëherë një konkurs përveç vitit 2006, ku dikush që kishte një vit që punonte, u zyrtarizua në vendin e tij të dikurshëm, i cili u ruajt shtatë vjet. Nga ai konkurs nuk ka dalë asnjë rezultat, madje nuk dihet se ku është dosja ime e dorëzuar me dhunë, se ishin mbyllur dyert e shkollës. Gjatë gjithë kësaj periudhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vënë në dispozicion rreth 30 vende, por ato asnjëherë nuk janë përdorur për violinën. E veçanta është që shkolla po mbushet me pianistë shoqërues dhe hera-herës sajohen lëndë të parëndësishme për të punësuar X-in dhe Y-in.

Në çfarë kushtesh punon një pedagog i jashtëm?

Paga e një pedagogu të jashtëm është qesharake. Merret një herë një vit dhe është e barabartë me rrogën e një muaji të një pedagou të brendshëm me të njëjtin titull që kam unë, me të vetmin ndryshim se unë kam plus edhe një diplomë perëndimore. Siguracion nuk bëhet fjalë, madje edhe bankomatin nuk ka shans ta njoh… (Qesh). Ligji nuk parashikon asgjë për kohën që duhet të presë pedagogu për t’u futur i brendshëm.

A keni tentuar të kërkoni vendin që ju takon në këtë katedër?

Kam tentuar për 8 vjet intensivisht. Dy letra i janë drejtuar kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe dy herë është marrë përgjigje pozitive që të rregullohet sa më parë kjo çështje. Po ashtu i janë dërguar letra edhe presidentit Moisiu dhe Topi, kryetares së kuvendit, ministrave të MASH-it në vazhdimësi dhe asnjë zgjidhje. Letrat respektive i janë dërguar edhe akademisë.

Po brenda Universitetit të Arteve? A nuk duhet filluar ankesa nga drejtuesi i saj?

Akademia do jetë së shpejti, me fillimin e vitit, në një periudhë zgjedhjesh… Kështu që duhen edhe votat e pedagogëve violinistë!!! Shpresojmë që kjo do të ndreqet.

Katedra e ngrirë

“Që nga ndryshimi i regjimit në Shqipëri, në këtë katedër vazhdojnë të japin mësim ish-pedagogët e mi. Aty ka nevojë për njerëz të rinj të kualifikuar të një brezi të ri, për një mentalitet të ri, siç ndodh kudo.

“Historikisht orët e violinës janë mbajtur fshehur dhe peng për t’u shpërndarë sipas miqësive dhe sipas një strategjie që po kthehet si strategji lufte tashmë për të mbajtur peng një vend pune. Duke mbushur katedrën me pedagogë të jashtëm, herë duke u mburrur e herë duke u justifikuar me punën e orkestantit, qoftë edhe të spalës, mbulohet vendi bosh i violinës dhe situata ngelet e pandryshuar. Në ndonjë akademi jashtë, orkestranët, spala të X ose Y orkestre, mund të justikoheshin, pasi ata për të qenë spala në një orkestër prestigjioze, realizojnë konkurse të vështira. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Është vetëm një strategji për të mbajtur peng vendin e violinës. Mendoj që këtu flitet për interesa brenda Akademisë, një bërthamë e vogël brenda katedrës. Ndoshta u prit sa të rritej dikush për të trashëguar profesionin e babait…”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama