Në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit mbrëmjen e së shtunës vjen koncerti i violinistit të njohur Shkëlzen Doli. Për herë të parë Doli do të interpretojë me orkestrën simfonike të TKOB, një koncert që do drejtohet nga dirigjenti britanik Geoff Westley.
Ky i fundit, një emër i njohur në fushën e muzikës si dirigjent, orkestrues, producent, veçanërisht për drejtimin qysh në fillimet e karrierës së tij të “Jesus Christ Superstar”, drejtor muzike në grupin e njohur Bee Gees. Ai gjithashtu ka bashkëpunuar me Lucio Battisti, Claudio Baglioni, Renato Zero, Richard Cocciante e shumë të tjerë.
Mbrëmja e së shtunës do të çelet me një overturë nga “Dasma e Figaros” dhe më pas skena do të ndizet nga violina e Dolit, që do të luajë koncertin për violinë nr.5 të Moxart dhe Simfoninë nr.5 të Bethoven.
Surpriza e mbrëmjes do të jetë “Baresha” e Rexho Mulliqit, e cila do të interpretohet në skenë e përshtatur për violinë e orkestër nga Gerti Druga, nën interpretimin e Dolit.
Pjesëtar i Filarmonisë së Vjenës dhe ish-student i profesoreshës legjendare të violinës Evgenia Chugaeva, Shkëlzen Doli ka një pozicion unik të një muzikanti i cili është i aftë të kombinojë virtuozitetin e shkollës ruse të violinës me stilin e veçantë dhe tingullin e orkestrës së famshme të Vjenës.
Të ardhurat e mbledhura nga ky koncert do të shkojnë për “SOS”, fshatrat e fëmijëve në Shqipëri, si dhe do të shërbejnë për nisjen e një fushate të re nga kjo organizatë, ajo e advokimit të kujdesit me bazë familjare “foster homes”.
Fushata synon të nxisë zhvillimin e formave të ndryshme të kujdesit alternativ në interesin më të lartë të fëmijëve pa kujdes prindëror, nëpërmjet promovimit të kujdesit me bazë familjen, si pjesë e reformës së shërbimeve sociale në vend.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni është shprehur se koncerti i Dolit shënjon dhe fundin e sezonit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku më shumë se çdo herë ka spikatur rikthimi i emrave të mëdhenj të muzikës dhe baletit shqiptar me karrierë të suksesshme në botë si Inva Mula, Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa etj.