Fillimisht për të siguruar jetesën, pasi të jetosh në Romë me mamanë me 360 mijë liretat në muaj të bursës, kur vetëm qiraja e shtëpisë ishte 500 mijë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Siç tregon ai duke qeshur, mëson se në Romë ekziston sheshi Navona: merr violinën, një kapele dhe nis t’i bjerë për të mbledhur para. E bën këtë gjë për nja dy-tre muaj, pastaj nis Konservatorin Santa Cecilia në Romë. Edhe këtu diplomohet që në moshën 17-vjeçare, duke u bërë i diplomuari më i ri në violinë në historinë e konservatorit roman. Krah studimit nisin edhe pjesëmarrjet në koncerte të ndryshme. Me të mbaruar në Romë, shkon për studime fillimisht në Austri e më pas në SHBA.
Por këtu vendos të lërë studimet në konservator e praktikisht nis t’i bjerë violinës në lokale të famshme, nga ku kanë dalë shumë prej instrumentistëve më të mirë që ka muzika blues, rock, country, hip-hop e kështu me radhë. Kthehet sërish në Romë, por me një vizion të ri. Këtu fillon të frekuentojë “Il Locale” dhe nis miqësinë dhe bashkëpunimin me Sergio Cammariere, Lucio Dalla, Max Gazè, Alex Britti. Pas shumë, shumë vitesh pune, koncertesh me të tjerë, Oleni nxjerr albumin e tij të parë “Unexpected” me trembëdhjetë pjesë nga po aq vende të botës. Është një udhëtim, siç e quan ai, në katër anët e botës, pa lënë jashtë Shqipërinë e Italinë. Për Shqipërinë ka zgjedhur “A kanë ujë ato burime”, të kënduar nga Elsa Lila, që, sipas tij, jo vetëm është më e mira, por e ka edhe shumë shoqe, jeton në Romë e janë shumë shpesh në kontakt. Për Italinë zgjedh këngën napolitane “Anema e core” dhe “kishte menduar të thërriste dy më të mirët, që për të janë numrat njësh: Sergio dhe Lucio”. E ka fjalën për Lucio Dalla dhe Sergio Cammariere.
Kështu në disk kam Lucion, Sergion, Elsën, por edhe të tjerë si Tony Levin (basist amerikan ndër më të njohurit në botë). Disku shpërndahet on-line, në tregun digjital, dhe sot është ndër më të kërkuarit. Oleni do të donte shumë të rikthehej në Shqipëri për të dhënë koncerte, por që nga viti 2002 vizitat e tij në Shqipëri janë thjesht për pushime. “Kam luajtur në Teatrin e Operës dhe në Pallatin e Kongreseve. Dhe janë pritur shumë mirë. E di që janë vendet më të rëndësishme, por mua do më pëlqente të bëja diçka tjetër. Nuk di nëse do arrijmë ta bëjmë, por do të desha që në bashkëpunim me kryebashkiakët të bëja një miniturne me nja dhjetë koncerte në teatrot e qyteteve.
Do më pëlqente shumë të shkoja në Durrës, në qytetin tim, të jepja një koncert. Unë s’kam dalë kurrë më në skenë në Durrës, kurrë. Kam luajtur në çdo cep të botës, atje jo. S’më ka arritur kurrë një telefonatë a një e-mail që të më thotë: “bëjmë diçka”. Se unë nuk është se do të shkoj vetëm, kur lëviz për gjëra të tilla, merr me vete gjithë grupin, muzikantët e bashkëpunëtorët. Po them se dalëngadalë dhe atje do të vijë momenti të bëhen gjëra të tilla. Nuk di nëse problemi është organizativ apo qëndron gjetkë, nuk ia kam idenë si funksionon atje.
Unë si artist e ndiej veten të sigurt e të qetë. Si shqiptar që jeton jashtë atdheut, më duket vetja si peshku jashtë ujit, sepse nuk ka kurrë asnjë lloj kontakti, as nga ambasada. Dikush që të të thotë: ne po organizojmë diçka, do të vish edhe ti? E këtu ka artistë të zotë, që nuk janë të dorës së dytë. Në të gjitha fushat e artit. Dhe padyshim ka shumë e shumë të tjerë, më pak të dukshëm, që në profesionet kanë arritur majat e karrierës. E Shqipëria nuk bën asgjë për t’i mbajtur pranë këta njerëz.”- shprehet “Paganini i ri” shqiptar.