Ende pa kaluar pushtimi i alergjive pranverore, është radha e virozave të stinës së nxehtë të verës. Vitin që shkoi, në muajin gusht, në shkallë vendi numëroheshin rreth 3325 raste me diarre dhe 5125 infeksione të rrugëve respiratore të sipërme. Është ende herët për të folur për të njëjtën periudhë, por, nga një vizitë e bërë pranë këtij spitali dhe nga komunikimi me mjekët mësuam se prej disa javësh rastet e urgjencave të të sëmurëve të prekur nga sëmundjet virale dhe ato bakteriale që prekin sistemin gastrointestinal, kanë ardhur duke u shtuar. Aktualisht numërohen rreth 30 të tilla në ditë, vetëm nga ato që jemi mësuar t’i quajmë “helmime”.
Harrojeni për ca kohë fast-food-maninë, karrocat ambulante që vijnë vërdallë me salsiçe, qofte, byreqe, hallva e ëmbëlsira të “kohës së xhaxhit”... Një akullore e blerë shpejt e shpejt në ndonjë banak të radhës ndanë trotuarit, në pikun e vapës që po iu zinte frymën, mund edhe t’ju dalë për hundësh e të mos dini ku të futeni deri sa të arrini te dera e shtëpisë... Kafeja e mëngjesit? Bukuri! Vetëm, mos e pini “si pa mendje” gotën e ujit që vjen shoqëruar. Bën vaki, që me shumë gjasa, të jetë e depozitës që nuk është pastruar që në ’98-ën. Të paktën përgjatë verës, nëse ke luksin, punën e sotme, mund ta lësh e për nesër, e t’ia mbathësh në plazh, ndërsa gjellën e sotme, as mos të të bjerë në mendje ta lësh për nesër!
Nuk është nevoja besoj të themi që duart duhen larë shumë më shpesh (e meqë ra llafi, fëngu ka kohë që ka nxjerrë në shitje shishka të vogla me solucion antibakterial dezinfektant. Mbajeni ndonjë në çantë a mbi tavolinën e punës, se s’u bë qameti!), frutat nuk duhen ngrënë pa larë dhe...kur shkoni për vizita tek ndonjë i afërm a mik që është pa qejf, mos i çoni lëngje frutash “drejt e nga pema e barakës së lagjes”, (kudo qofshin, në tetrapak apo bidon plastik. Edhe kur e shkruajnë me të madhe se janë 100% lëng natyral frutash!). Janë një nga artikujt më të përfolur sa i takon helmimeve ushqimore gjatë stinës së nxehtë.
Nëse keni mundësi të qëndroni brenda në orarin e pikut të diellit, nga ora 11:00 – 17:00 pasdite, bëjeni. Të paktën fëmijët dhe pleqtë. Këta të fundit, sidomos nëse vuajnë nga diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare, trombozat. Priten ditë aq të nxehta, sa çadra e diellit nuk pinë ujë. E nëse keni menduar se “të të bie dielli në kokë” është një shprehje figurative, gaboheni. Është një nga goditjet më të këqija të urgjencave mjekësore që mund të shfaqen gjatë stinës së verës. Edhe pse nuk ndodh dendur, ajo mund të çojë deri në vdekje.
Ata që do të kapërcejnë kufijtë për kaluar pushime “më ekzotike” se në mëmëdhe, duhet të kenë gjithmonë parasysh “sëmundjen e udhëtarit”. Vendi i ri, zakone të reja, stomak i vjetër... Para se të eksperimentoni me pjatat e gatimet e shumëllojshme, tregohuni më racionalë dhe pyesni para se të provoni.
Nuk është se po bëjmë moralistët. Ju tashmë këto i dini sepse përsëriten vit pas viti, edhe sepse vit pas viti situata nuk është se vjen duke u përmirësuar. Përkundrazi, edhe pse mund të duket e çuditshme, shumë sëmundje infektive godasin më fort pikërisht gjatë stinës së bukur. Studimet e fundit kanë verifikuar që patologjitë e shkaktuara nga bakteret ashtuquajtura Gram-negative shtohen me rreth 17% për çdo 10 Gradë Celsius të rritjes së temperaturës.
Ndërkaq, është vërtetuar se disa lloje infeksionesh shpërhapen dhe zhvillohen gjatë stinës së nxehtë, deri në 47% më shumë se gjatë dimrit. Bashkëpunëtor në këtë pjesë është edhe fakti që lidhur me këto baktere, antibiotikët janë gjithmonë e më pak efikasë. “Bakteret Gram-negative shfaqin shpesh shqetësime në aparatin urinar, gastrointestinal dhe aparatin e frymëmarrjes”, thonë specialistët.
Jemi ende në qershor, dhe sa u takon virozave të stinës, sipas mjekëve të spitalit infektiv në QSUT, si dhe mjekëve në poliambulancat e lagjeve, ndoshta nuk është rasti të thuhet se ato janë në kulmin e tyre. Megjithatë është tamam koha të njihni disa këshilla rreth kujdesit që duhet treguar si dhe të njihni më nga afër simptomat e sëmundjeve me të cilat kërcënojnë temperaturat e larta.
Për këtë kemi biseduar me Elda Qyrja, mjeke infeskioniste pranë spitalit infektiv në QSUT. Sipas saj, rrezikshmëritë më të larta gjatë stinës së verës i paraqesin virozat gastrointestinale, infeksionet apo ftohjet e rrugëve të frymëmarrjes (fyti, anginat, tonsilitet purulente dhe folikulare) si dhe pickimet nga insektet e ndryshme që shkaktojnë më pas edh infektime të lëkurës. Më të rrezikuarit mbeten fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa viroza më e përhapur mbetet ajo e gastroenteriteve. Ndaj po ndalemi tek kjo e fundit. Për fat, nuk kërkon shërbim spitalor me afat të gjatë. Pra, në shumicën e rasteve, nuk është nevoja të shtroheni. Periudha e inkubacionit është e shkurtër dhe mjekimet janë të thjeshta.
Gastroenteritet, sindromat dhe kurat
“Ato mund të jenë virale ose bakteriale, të shkaktuara nga uji, ushqimet etj. Në shumicën e rasteve shfaqen me të vjella dhe në jo pak raste shoqërohen me diarre të ujshme, por pa njolla gjaku, apo me ethe, këputje të trupit dhe temperatura të larta. Situata mund të duket disi e frikshme në pamje të parë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët, por duhet theksuar se sado, është lehtësisht e kurueshme, zgjat pak kohë, dhe pas ndihmës dhe mjekimeve të para pacienti e merr veten shpejt. Periudha e inkubacionit është 12-48 orë. Fare pak raste mund të jenë në gradën që nevojitet regjimi spitalor.
Dhe këto, në pacientët që vuajnë edhe nga ndonjë tjetër sëmundje, si diabeti, hipertensioni apo sëmundjet metabolike etj.”, tregon Dr. Qyrja. Sipas saj, në rastin e gastroenteriteve virale, situata është lehtësisht e përmirësueshme pa kaluar fare nga antibiotikët. Mjafton që ushqimi të jetë i kontrolluar, të pihen lëngje të freskëta, por jo të paketuarat, çajra të gatitura në shtëpi, dhe Tresoli, që mund të merret në farmaci dhe ndihmon në hidratimin e trupit. Me të kaluar faza më kritike, mund të kalohet tek orizi i thjeshtë apo edhe makaronat e bardha, patatet e ziera dhe supat e perimeve
Viruset që mund të shkaktojnë këtë lloj infeksioni janë zakonisht 4: rotaroviruset (që godasin zakonisht fëmijët në moshë pediatrie), adenoviruset (që godasin fëmijët në gji dhe ata deri në 2 vjeç), caliciviruset (që infektojnë persona të të gjitha moshave), dhe në fund astroviruset (që zgjedhin fëmijët dhe të moshuarit).