E pyesim në këtë intervistë jo vetëm për disa detaje të jetës së tij, por edhe për një incident në studion e së shtunës së kaluar, për të cilin në redaksi na kanë ardhur jo pak ankesa këtë javë nga lexuesit. Ka të bëjë me një krahasim të puthjes Adela-Bjordi me një puthje hipotetike Papa-Nënë Tereza. Pak e vështirë për tu përtypur në një kontekst religjoni.
1. Cila është historia e emrit Virus? Ua kanë vënë të tjerët, apo e keni zgjedhur vetë?
Virus, është nofka që e mbaj nga lufta. Nofkat, zakonisht, vihen për të fshehur identitete, dhe si e tillë më ka shërbyer edhe mua. Jam i sigurt se lexuesit tuaj e dinë që luftëtarët e UÇK-së, në fillim kanë qenë të detyruar të fshehin identitetet e tyre, për arsyen e vetme se, duke u zbuluar ata, rrezikoheshin familjet e tyre. Këtu flasim për fillimet e luftës, para daljes publike të UÇK-së.
Virus me kanë emëruar disa bashkëluftëtarë, që tani nuk janë më në mesin tonë, i takojnë pavdekësisë.
2. Çfarë profesioni keni?
Kam mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë, dega Aktrim, në klasën e Enver Petrovcit, pra profesioni im është aktor.
3. Gjatë transmetimit të shtunën e kaluar, ke krahasuar puthjen e Bjordit dhe Adelës, duke thënë, "e keni bërë sikur u puth Papa me Nënë Terezën". Ky krahasim i juaji ka sjelle reagime tek lexuesit, kemi patur ankesa ne redaksi. Keni për të sqaruar ndonjë gjë në lidhje me këtë?
Zakonisht krahasimet bëhen në raste të veçanta, dhe për rastin në fjalë unë nuk kisha asnjë paragjykim kur thashë kështu.
Unë e karikaturova (edhe karikatura ka vlera artistike), dhe bëra ketë krahasim. Nuk besoj se në këtë rast ka vend për reagime të natyrës shqiptare (fatkeqësisht veç tek ne reagimi ka konotacion negativ), sepse të dy që i mora shembull, përveç vlerave njerëzore sa jetuan në këtë botë, ata tani janë të shenjtë dhe i takojnë amshimit.
Ky krahasim erdhi si rezultat i ekzagjerimit të një puthjeje, që ka ardhur spontanisht dhe nga dy të rinj, por mënyra si u prezantua, ku, në 3 edicione radhazi folëm dhe u morëm me ta, më erdhi në majë të hundës.
Pra, për rastin që ne po flasim, në asnjë mënyrë krahasimi nuk kishte qëllim njollosjen e fytyrave të Papës dhe Nënës Terezë.
Në momentin që po bëja krahasimin, në mendje më erdhën shumë emra, por në të njëjtën kohë nuk gjeja asnjë mënyrë për t\'u krahasuar.
Më erdhën emra ministrash, politikanësh, deputetë, shkrimtarë, etj., dhe të gjitha ata ne po i shohim se puthen, njësoj sikur banorët në shtëpi, dhe po t\'i merrja për t\'i krahasuar cilindo nga emrat e këtyre, nuk do kishte efektin e të krahasuarit nga natyra reale, por ndoshta një ditë do them, nëse përsëritet puthja, se këta puthen njësoj sikur x apo y deputeti/e.
4. Jeni i martuar, keni të dashur?
Patjetër se po, dhe atë e dua jashtë mase. Nëna e Alaronit (djalit tim) është e dashura ime. Arbërie e ka emrin, është shqiptare nga Kosova, dhe përveç të tjerash, e kam mikun më të mirë në jetë. Falë saj unë jam në BB2.
5. Shpeshherë jeni shumë të ashpër me vlerësimet që jepni për banorët, pse?
I ashpër?! Më mirë do thosha direkt. Ndoshta keni të drejtë, sepse duke ndarë mendime së bashku me opinionistin tjetër, mikun tim, Arjan Konomi, ndoshta edhe dukem i tillë. Ai nga natyra e tij shumë pacifiste, mua domosdoshmërisht më ngjall ndjesinë e të qenit i ashpër.
6. Kë shihni në finale?
Asnjëherë nuk kam luajtur bastore. Kjo të jep të kuptosh se nuk jam parashikues i mirë. Për mua finalen e meritojnë Qetësori, Bio, Adela.
7. Çfarë nuk ju pëlqen tek ky edicion i BB-së?
Më vjen shumë keq që nuk jam në shtëpi. Por pas meje, tash po e shoh se shtëpisë i mungon Zhuljeta. Qofsha unë i gabuar, por kam përshtypjen se nga shtëpia kanë dalë ata që meritonin të ishin aty, dhe brenda ka, përveç të tjerëve, një tufë pensionistësh.
Gazeta: Shekulli