Virusi i demokracise dhe shqetesimi i diktatoreve

Virusi i demokracise dhe shqetesimi i diktatoreve
Së pari ishte Ben Ali i Tunizisë, më pas Mubarak-u i Egjiptit. Tani Libia e Gaddafi-t. Nga Kuba në Kinë, diktatorët janë duke ndjekur ngjarjet në botën arabe, me shumë alarm dhe me bindjen e plotë të përhapjes së ideve për ndryshim, përmes internetit, edhe në vendet e tyre. Ata e dinë se tashmë është vendosur një radhë dhe se ata janë në “listë”

Dihet që Gadaffi, diktatori i Libisë, ka një shije ekstravagante dhe të fryrë. Veshjet e tij janë gjithnjë shumë të çuditshme në forma dhe në ngjyra, duke filluar nga e verdha e fortë e deri tek e kuqja e gjakut, apo e gjelbra vezulluese, për të mos përmendur bardhësinë e tunikave dhe veshjeve tradicionale. Koleksioni i tij i syzeve të diellit duket si i dizajnuar nga ndonjë stilist gjithashtu me shije ekstravagante dhe të çuditshme. Madje, lideri i revolucionit të dikurshëm, në një rast mbajti edhe një kurorë të vërtetë në kokë, atëherë kur vendosi që simbolikisht ta cilësonte veten si “mbretin e mbretërve” të Afrikës në Tripoli.

Por ekstravaganca dhe shija e çuditshme e këtij njeriu, i cili është i gatshëm të terrorizojë të gjithë popullin e tij, shtrihet edhe në fusha të tjera. Për shembull “Libri i Gjelbër”, i shpërndarë në miliona kopje në të gjithë vendin, është një nga librat bazë të cilin duhet me detyrim ta lexojë çdo qytetar libian, duke filluar nga nxënësit e shkollave e deri te pleqtë në pension. Të gjithë njerëzit e të gjitha shtresave të shoqërisë pritet që të “thithin” përmbajtjen e tij, e cila, sipas Gaddafi-t është një shkrim aq i rëndësishëm, që mund të konsiderohet si një “teori universale”. Gaddafi ka thënë për këtë libër të tij: “‘Libri i Gjelbër’ përfaqëson zgjidhjen e fundit ndaj problemit të qeverisjes dhe i tregon masave rrugën që ato duhet të ndjekin për të avancuar dhe për t’u zhvendosur nga epoka e diktaturave në atë të demokracisë”.

Shkëlqesia e tij, Moammar Gaddafi, 68 vjeç, vëlla dhe lider i revolucionit, një megalomanjak, njeri që nuk njeh asnjë mëshirë dhe nuk kultivon asnjë lloj dhembshurie, një diktator brutal që para se të bëhej partner i Perëndimit, ishte armik i tij i betuar, është padyshim një figurë unike në politikën ndërkombëtare. Ai është një njeri në të gjithë kuptimin e fjalës: i tmerrshëm. Në të shkuarën, Gaddafi ka mbështetur financiarisht çdo organizatë terroriste që ka ekzistuar, duke filluar nga ETA spanjolle e deri tek IRA irlandeze dhe më pas te palestinezët e Abu Nidal-it. Ai ka pasur dhe ka agjentët e tij të shërbimeve sekrete, të cilët kanë gjurmuar dhe qëlluar ushtarët amerikanë në klubin e natës “La Belle” në Berlin. Më pas, ai befas deklaroi se hiqte dorë nga të gjitha mjetet e dhunës dhe armët e shkatërrimit në masë në vitin 2003, duke u shndërruar në një njeri “paqësor” para Perëndimit dhe, mbi të gjitha, si një njeri reformator.

Gaddafi është një njeri shumë ekstravagant. Shfaqet kudo me truproja femra dhe gjatë vizitave që ka bërë jashtë vendit, si për shembull në Nju Jork, apo në Paris, ka këmbëngulur që t’i ngrenë të ashtuquajturën tendë beduini, në të cilën ka qëndruar në vend të akomodimit në hotel, shpesh edhe në praninë e ndonjërit nga fëmijët e tij të shumtë. Por, ndërsa shoqëruesit e tjerë kanë qenë të ndryshëm, një person ka qenë i pranishëm gjatë gjithë zhvendosjeve të tij: infermierja ukrainase, të cilën një ambasador amerikan e ka përshkruar si “një bionde me linja”.

Së fundi, thuhet se ajo është kthyer në Ukrainë pas trazirave të fundit që po përjeton Libia. Gaddafi është shumë harrakat dhe i çrregullt, një tjetër karakteristikë e tij. Dhe kjo edhe në mënyrën se si flet apo se si arsyeton. Në podiumin e Kombeve të Bashkuara flet shpesh vetëm rreth së njëjtës temë dhe madje ka pasur raste kur ka bërë skena dhe deklarata të çuditshme, si dhe ikje e braktisje ekstravagante të seancave. Por zakonisht, gjithnjë në fjalimet e tij ndërkombëtare tenton që të bindë botën se Izraeli ishte përgjegjës për vrasjen e Presidentit amerikan, Kennedy. Së fundi, në lidhje me Presidentin amerikan Obama ka deklaruar shprehimisht se ai “është djali ynë”.

“Ky njeri është një psikopat i vërtetë”, deklaroi për Gaddafi-n ish-presidenti egjiptian, Sadat. Ai parashikoi se Gaddafi do të kishte një vdekje të hershme nga një vrasës. Por në fakt ai që u vra në një atentat nuk ishte aspak lideri i Libisë, Gaddafi, por vetë Presidenti Sadat, që ishte edhe fitues i çmimit “Nobel” për Paqen. Ish-presidenti amerikan Regan e ka cilësuar një herë Gadaffi-n “një qen i çmendur” i Lindjes së Mesme dhe madje Regan urdhëroi edhe bombardimin e barakave ushtarake në Tripoli në vitin 1986.

Në këtë sulm humbi jetën vajza e adoptuar e liderit libian, por diktatori arriti që të shpëtonte pa iu prekur as qimja. Gaddafi, ky njeri që ka sunduar në skenën politike të Libisë për 42 vjet, është një monstër e vërtetë, që ka arritur të mbijetojë pikërisht falë së keqes që e karakterizon dhe së cilës i bindet. Ai është në pushtet që kur së bashku me një grup oficerësh të rinj përzuri mbretin Idriz, në një grusht ushtarak. Që nga ajo kohë ai “ka pritur e përcjellë” tetë presidentë amerikanë, gjashtë kancelarë gjermanë e kështu me radhë. Ai është një lider ekscentrik, i cili ka menduar dhe vazhdon që të mendojë se bota dhe vetë sistemi diellor sillet rreth tij.

 Me veshjet e tij shpesh prej klouni dhe me shumë ngjyra e forma dhe me mënyrat e komunikimit dhe zakonet e çuditshme dhe ekstravagante, Gaddafi shpesh është cilësuar në arenën ndërkombëtare pikërisht siç e ka pamjen, pra si një kloun, si një njeri që ka për qëllim vetëm të çudisë njerëzit përmes daljeve jashtë çdo etikete. Ndërkaq, në ditët e para të aktivitetit të tij në vendet arabe, ai konsiderohej si një farë Che Guevara i botës arabe dhe ky ishte opinioni i shumë leftistëve. Bindjet e tij se shkollimi duhet që të jetë falas dhe i detyrueshëm për femrat, se njerëzit ishin të aftë që të vetëqeveriseshin përmes krijimit të “komiteteve popullore”, tingëllonin shumë ndjellëse, të paktën në letër.

Gaddafi është lideri i një vendi në të cilin ndodhen 35% e rezervave botërore të naftës dhe deri së fundi, ai ka bashkëpunuar me Bashkimin Europian për valën e refugjatëve nga veriu i Afrikës. Edhe pse nuk mund të konsiderohet si një partner i favorizuar i Perëndimit, ai ka qenë një nga ata liderë me të cilët mund të bëje marrëveshje dhe këtë e di fort mirë Kryeministri italian Berlusconi, i cili, së fundi, në lidhje me ngjarjet në Libi tha se nuk donte që ta “shqetësonte Gaddafi-n” në një moment të tillë të vështirë për të.

Po a mund të vazhdojmë të themi se ai është lideri i vendit të tij, aktualisht që rebelët kanë marrë nën kontroll një pjesë të mirë të vendit dhe që përditë e më shumë po avancojnë të marrin edhe pjesën e mbetur ende nën zotërimin e Gaddafi-t? Po çfarë mund të ndodhë nëse Gaddafi mbetet i rrethuar në kryeqytet, i mbrojtur nga mercenarët e tij brutalë dhe të pamëshirshëm që janë besnikë dhe të bindur që ta mbrojnë sundimtarin edhe me jetën e tyre? A do të detyrohet bota që të ndërhyjë për të parandaluar një gjenocid të mundshëm dhe të paralajmëruar nga vetë Gaddafi në fjalimet e fundit televizive? A do të vendoset ndalim i fluturimeve dhe i aksioneve ekonomike?

Era e ndryshimeve nisi që të fryjë në botën arabe tetë javë më parë. Ajo që filloi si një puhi e lehtë u shndërrua brenda një kohe shumë të shkurtër në një stuhi të jashtëzakonshme, që rrëzoi qeveri dhe diktatorë, të cilët vetëm pak kohë më parë e shihnin pushtetin si të palëkundur. Në mënyrë ironike, e gjithë kjo situatë ndodh në një rajon që përjeton mungesë të zgjidhjeve të problemeve të tij që prej disa dhjetëvjeçarësh, shoqëritë e të cilit duket sikur kanë mbetur të ngrira në kohë. Protesta popullore detyroi largimin e turpshëm nga pushteti të diktatorit tunizian Ben Ali, dhe më pas e njëjta gjë ndodhi edhe me vetë Mubarak-un e Egjiptit. Një klasë e tërë të rinjsh të betuar që nuk e njohin frikën, ka dalë në rrugë dhe në mënyrë të suksesshme ia ka arritur qëllimit. Ata kanë denoncuar korrupsionin dhe sundimtarët e tyre, kanë kërkuar vende pune dhe liri demokratike. Asnjëri prej tyre, dhe kjo është diçka e mrekullueshme, nuk ka hedhur parulla fetare dhe anti-izraelite. Dhe islamikët, të cilëve kaq shumë u druhen në Perëndim, nuk kanë pasur asnjë ndikim.

Revolucioni në Libi, të cilin demonstruesit e kanë nisur thuajse dy javë më parë dhe që aktualisht rebelët kanë marrë në zotërimin e tyre një pjesë të madhe të vendit, nuk është tërësisht i ngjashëm me ato të vendeve të tjera arabe, tashmë të ndodhura. Në këtë ish-koloni italiane, askush nuk mund të vendosë një vijë ndarëse mes nxitjes së këtij revolucioni nga ana e rivalitetit të tribuve mes tyre dhe urrejtjes së njerëzve ndaj Gaddafi-t. Dhe një nga dallimet më të mëdha është se në Libi, ndryshe nga vendet e tjera, përgjakja ka qenë më e madhe.

Sakrifica njerëzore është e parrëfyeshme. Është e qartë një gjë, që fëmijët e Gaddafi-t prej kohësh i braktisën idealet e revolucionit libian, duke u shndërruar në uzurpatorë të pasurive të vendit dhe duke i shtrirë tentakulat e pushtetit në të gjitha sferat e mundshme të biznesit dhe të jetës. Ata kanë bërë vazhdimisht një jetë me luks jashtë normales. Për shembull, një nga djemtë e Gaddafi-t harxhoi miliona dollarë për të sjellë në një mbrëmje ditëlindje Mariah Carey për të kënduar. Një tjetër, bëri të njëjtën gjë me këngëtaren Beyonce dhe Usher. Pavarësisht censurës mediatike, lajmi për pagesa të tilla u përhap në mënyrë të menjëhershme përmes internetit dhe sigurisht, që nuk e la indiferente popullsinë.

Gjatë javës së fundit, Gaddafi ka bërë disa shfaqje publike të çuditshme. Së pari, këtë të hënë ai u shfaq para një kamera televizive, në një makinë të vjetër, për t’u thënë njerëzve se nuk e kishte lënë vendin, por ishte në qendër të Tripolit dhe se kishte situatën nën kontroll. Disa orë pas kësaj shfaqjeje të shkurtër, ai doli sërish në ekran, këtë herë për të përcjellë mesazhin se do të rezistonte deri në pikën e fundit të gjakut. Ai i quajti protestuesit ndaj të cilëve hapi zjarr “të droguar” dhe “minj të ndyrë”. Më pas akuzoi Bin Laden-in si “arkitekt” të këtyre revoltave dhe u tha njerëzve se, nëse kishin ndërmend që të vrisnin njëri-tjetrin, atëherë të vazhdonin ta bënin këtë gjë.

Ndërsa dalja më e tmerrshme ka qenë ajo e disa ditëve më parë, kur ai u shfaq në qendër të sheshit të kryeqytetit. Para një trume njerëzish, mbështetësish të tij, ai tha se qeveria do të armatoste të gjithë njerëzit në vend nëse kjo do të ishte e nevojshme. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të mbrohemi. Do të vdesim këtu në tokën e Libisë”. Ai i bëri thirrje rinisë së vendit që të qëndronte në shesh gjithë natën dhe të kërcente dhe këndonte sepse “Gaddafi është njëri prej jush”.
Muzgu i një despoti

Muzgu, ose perëndimi i despotit të Libisë qenka shumë i vështirë dhe i përgjakshëm edhe për shkak të strukturës unike të Libisë, duket se kemi të bëjmë me rastin më të përgjakshëm dhe më të dhunshëm në botën arabe. Megjithatë Libia është pjesë e një revolucioni shumë të madh që po ndodh në të gjithë Lindjen e Mesme dhe që mund të përhapet shumë përtej kufijve të kësaj zone globale. Analiza më optimiste vjen nga Izraeli, vendi që ka qenë më septiku për ndryshimet që po ndodhin në botën arabe. “Është e vështirë që të jesh një diktator, kur ne jetojmë në një botë transparente”, deklaroi presidenti izraelit, Shimon Peres, duke theksuar se kjo transparencë e re vjen nga “Facebook” dhe platforma të tjera të internetit që janë instrumente të lëvizjeve demokratike.

Në një fjalim në Parlamentin spanjoll në Madrid, ai tha se Izraeli është “i lumtur që është dëshmitar i këtij revolucioni demokratik që po ndodh në botën arabe”, deklaroi Peres, duke e quajtur këtë situatë si pa kthim pas. A mos vallë kemi mbërritur ndoshta jo në “fund të historisë” që disa e parashikuan në mënyrë premature në momentin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por të paktën, në përfundimin e sundimit të një grupi diktatorësh të pamëshirshëm?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama