Në shkurt të vitit 1981, në Amerikë, disa gej u prekën nga një sëmundje misterioze. Aktorë dhe njerëz të famshëm nisën të vdisnin. Dikush foli për hakmarrje hyjnore. Por, kur u prekën edhe heteroseksualët frika i përfshiu të gjithë. Po nisnin 30 vitet më të këqija të jetës sonë...
“Ky nuk është vetëm ndëshkimi i Zotit për homoseksualët, është ndëshkimi që Zoti u ka dërguar shoqërive që tolerojnë homoseksualët”. Ishte vjeshta e vitit 1983, kur prifti Jerry Falwell tha në publik atë që shumë mendonin privatisht: mbi Amerikën mëkatare që kishte pranuar homoseksualët, gej dhe lezbike në shoqëri, hakmarrja e Zotit kishte shkaktuar një sëmundje të pashërueshme. Zërit të Falwell iu shtuan edhe ata të shumë pastorëve katolikë dhe protestantë, imamë dhe njerëzve të Kuranit. Në vitin 1983, sëmundja misterioze po shfaroste lagje të tëra të populluara nga gej, si ‘Castro’ në San Françisko, ‘Village’ në Manhantan apo ‘Dupontë Circle’ në Uashington, e kësaj sëmundjeje çdo ditë i shtohen pacientë të rinj të famshëm si aktorë, artistë, njerëz të famshëm, ndërsa i riu i parë që humbi jetën nga kjo sëmundje ishte kamarieri franko-kanadez Gaetan Dugas.
Në përcaktimin e parë zyrtar që mjekët i dhanë sëmundjes të cilën nuk e kishin hasur kurrë më parë, u shfaq fjala ‘Grids’: Gay Related Imuno Deficiency Syndrome, sëmundje si pasojë e mungesës së imunitetit e lidhur ekskluzivisht me gejt. Forma e rrallë e polmonitit që vriste pacientët ishte “polmoniti gej”, ndërsa forma e rrallë që prekte epidermën ishte quajtur sarkoma e gejve. Nuk ishte i vogël numri i mjekëve që në atë kohë refuzonin të trajtonin pacientët e prekur nga ‘Grids’. Do të ishin të nevojshme vite, studime dhe bashkëpunime të frytshme mes virologëve dhe epidemiologëve, për t’i dhënë virusit famëkeq emrin me të cilin e njohim sot. Gjithsesi, do të ishte e nevojshme fytyra e zbehtë e një djaloshi 13 vjeç nga Indiana, Ryan White, që ishte infektuar përmes transfuzionit të gjakut, për të prekur një komb të tërë e për t’i bërë ata të besonin se kësaj herë hakmarrja e Zotit nuk kishte lidhje fare.
Sigurisht që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra, dhe sot një i prekur nga AIDS nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ka prerë biletën drejt vdekjes, ashtu siç ndodhte në vitin 1981. Frika kolektive u përhap gjithandej për virusin e tmerrshëm, të cilit as vaksinat nuk i bënin dot gjë: ndryshoi zakonet, veset, frikat e shoqërisë, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Njerëzit nuk arrinin ta besonin dot se mjekët, ata që kishin ditur të shëronin sëmundje të tmerrshme, të luftonin epidemitë dhe bakteret vdekjeprurëse apo të bënin transplante organesh, nuk ishin në gjendje ta luftonin. Kishte që nga vitet e pandemisë së gripit spanjoll dhe pastaj nga ankthi i poliomielitit infantil në vitin 1952, që një sëmundje nuk kishte ndryshuar zakonet e jetës së përditshme të të gjithë njerëzve.
Turma e terrorizuar në ato vite filloi të ngrihej kundër mbylljes së pishinave, sterilizimit të shkollave, shkatërrimit të lokaleve për gejt, përzënies së prostitutave, kur u zbulua se virusi mund të transmetohej edhe mes sekseve të ndryshme. Pothuajse gjatë gjithë viteve ‘80-‘90, pavarësisht përpjekjeve të administratorëve në çdo pjesë politike dhe bindjes së Ronald Reaganit, më parë i akuzuar për indiferencë kundrejt “sëmundjes së gejve” dhe pastaj i bindur për të vepruar, prindërit e frikësuar deri në palcë i hiqnin fëmijët nga shkollat ku mund të identifikohej qoftë edhe një fëmijë i vetëm që rezultonte pozitiv ndaj virusit HIV. Tregimet e infermierëve, dentistëve, kirurgëve që ishin prekur nga sëmundja përmes gjakut të ndonjë pacienti të infektuar po lulëzonin nëpër media. Edhe të famshmit, që kishin miliona, nuk mund të bënin gjë. Përpara kësaj sëmundjeje ishin dorëzuar të gjithë. Gazetat tregonin se si kjo sëmundje nga viti në vit po përhapej në çdo cep të globit. AIDS u cilësua si patologjia e dytë më e frikshme pas kancerit, por para sëmundjeve kardiovaskulare, që vazhdojnë të mbeten në vendin e parë për sa i përket numrit të vdekjeve në vit. Tridhjetë vjet më vonë, mendimi i masës ka ndryshuar.
Amerikanët, që dikur e shihnin atë si emergjencën më të madhe shëndetësore ishin 46 për qind, ndërsa tani janë 6 për qind. Lajmet që i përkasin sindromit HIV janë reduktuar me 1 të pestën në krahasim me atë të viteve ‘80 dhe studimet e ndryshme shkencore tregojnë se sot, të prekesh nga kjo sëmundje, nuk do të thotë se e ke vdekjen të sigurt. Koha e mallkimeve ka kaluar. Shkenca më në fund ka sqaruar se ku dhe kur janë rreziqet e infektimit, sa e rëndësishme është të identifikohet prania e virusit në gjakun e pacientit përpara se AIDS të shpërthejë, sa e lehtë është të bllokosh zhvillimin, siç ishte rasti i famshëm i kampionit Magic Johnson, mbartës i HIV-it tashmë prej 20 vjetësh, pa asnjë simptomë në organizëm. Por pavarësisht kësaj, edhe ne sot e kemi të vështirë të ecim rrugëve të qytetit ku kjo sëmundje u zbulua për herë të parë, pa e ndjerë paksa frikën, qoftë edhe për pak.
David, pacienti nga Afrika e Jugut: “Seks, drogë dhe rock n’roll. Pastaj zbulova se isha infektuar. Jam 50 vjeç tani, dhe jam ende gjallë. As mjekët nuk dinë ta shpjegojnë pse. Ndoshta, sepse detyra ime nuk ka përfunduar”
Unë, pacienti i infektuar që jetoj ende
“Vazhdoj ende të zgjohem në mes të natës për të kuptuar se jam ende gjallë. Në fillim ishte një ndjesi si ajo e fajit. Përse pikërisht mua? Kam varrosur shumë prej miqve të mi të prekur nga kjo sëmundje. Pushova së i numëruari në vitin 1991. Jam gjallë për të treguar një ditë se dikur ekzistonte një sëmundje vdekjeprurëse e quajtur HIV. Jam këtu për të treguar këtë histori, historinë time”. Ata si ai numërohen me gishta. Ata që kanë arritur të mbijetojnë, edhe shkenca vet nuk di të shpjegojë përse. Në Universitetin e Kalifornisë, profesor Jay levy ka thuajse tridhjetë vjet që punon për të zbuluar misterin e atyre që janë infektuar e vazhdojnë të jetojnë. David është njëri prej tyre. Ja se si e tregon ai historinë e tij. “Për mjekët duhet të kisha vdekur 28 vjet më parë. Ta tregosh që nga fillimi historinë time, duket si një roman. Në Amerikën e vitit 1979, revolucioni seksual kishte arritur kulmin. Unë u arratisa nga Afrika e Jugut, ku kërkohesha nga policia sekrete. Kërkova Amerikën dhe përfundova në Los Angelos. Aty gjeta gjithçka: seks, drogë dhe rock n’roll. U gjenda mes një grupi të pasurish të West Coast. Jetë e privilegjuar dhe e egër.
Punoja dhe fitoja shumë për një 20-vjeçar. Kisha zbuluar se jeta është e bukur. Gjithçka ndodhi drejt fundit të vitit 1982. U zgjova i djersitur një natë. Kisha një kollë të rëndë, që më merrte frymën e që vazhdoi për më shumë se gjashtë javë. Pas largimit të simptomave, mendova se u shërova. E nisa atje ku e kisha lënë: seks, drogë dhe rock n’roll. Datat i kujtoj mirë. Ishte marsi i vitit 1983. Miku im, Michael kishte vdekur. Mjekët thanë se ishte prekur nga ‘Grids’: Gay Related Imuno Deficiency Syndrome. Kur mjeku më përsëriti simptomat, i tmerruar mendova se edhe unë i kisha pasur të njëjta. Bëra një analizë gjaku. Ishte pasditja e 13 marsit dhe ditëlindja ime e 22-të. Më tha se isha prekur nga ‘Grids’. Më dha vetëm gjashtë muaj jetë. E ndjeva se po vdisja. Kisha tentuar shumë herë vetëvrasjen në jetë për shkak të një adoleshence të vështirë. Mendova, përse të mos e bëj edhe kësaj here? Nuk dija ç’të mendoja më parë, edhe pse fiksimi i vetëm ishte vdekja që më dilte para syve në çdo sekondë.
Pasi u ndava me mjekun, u ktheva në shtëpi ku më prisnin miqtë për të festuar ditëlindjen. Unë nuk dija thuajse asgjë rreth kësaj sëmundjeje. Më kujtohej që kisha lexuar vetëm një artikull me emrin: ‘Sëmundja e re e gejve’. Vetëm në fund të atij viti, kësaj sëmundjeje ju vu emri me të cilin e njohim sot: AIDS. U bëra pjesë e vullnetarëve të një studimi të Universitetit të Kalifornisë. Isha mes kavjeve të para në botë për testet që do të bëheshin për virusin HIV. Frikë nga vdekja? Ishte katër korriku i vitit 1983. Papritur, m’u rikthye në mendje një libër që kisha lexuar që fëmijë, kur një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit në Gjermaninë naziste tregonte historinë e tij: ‘Në kërkim të një domethënieje të jetës’, Viktor Frankl.
Në çdo rrethanë, holokaust, pandemi, fatkeqësi natyrore, është gjithmonë dikush që mbijeton, thoshte Frankl. Aty mendova se, përse të mos isha unë që të mbijetoja për t’i treguar të tjerëve këtë katastrofë të quajtur AIDS. Unë e di që Zoti ekziston dhe është miku im më i madh. Për më tepër, e di që Zoti nuk bën gabime. Më ndihmoi të ndryshoja tërësisht jetën. U ktheva në Afrikën time, në Zambia, ku takova një mikun tim që bënte specializimin në klinikën ku unë kurohesha. Kemi shkruar katër libra së bashku, që kanë shitur miliona kopje në botë. Por, sot lufta ndaj AIDS ka përparuar. Nuk do të thotë më vdekje e sigurt. Për mua është bërë një zanat: ndihmoj njerëzit të gjejnë forcën për të ecur përpara.
Kujdesi për trupin nuk mund të ketë rezultat pa atë për mendjen. Kështu, prej 28 vjetësh bashkëjetoj me AIDS. Kam ndryshuar krejtësisht jetën për t’iu përshtatur trupit tim. Në orën tetë çdo mbrëmje jam në shtrat, ndërsa në 3 të mëngjesit zgjuar. Dëgjoj këngët e mia të preferuara, bëj joga, luaj me kafshët, studioj, shkruaj. Ndaj, i nis ditët plot energji për të ndihmuar të tjerët. E di ç’do t’i thosha sot një djaloshi që zbulon se ka marrë AIDS? Mos u mërzit. Sot kjo sëmundje është një zgjedhje, me kushtin që të mos kesh lindur me virusin HIV apo të mos kesh pësuar një akt seksual të padëshiruar. E kam fjalën, për 30 vjet me radhë janë dhënë të gjitha mesazhet. Nuk i ka lexuar? Nuk i ka dëgjuar?
Ka shumë pak njerëz në këtë botë që nuk e dinë se si merret kjo sëmundje. Është sëmundje që lidhet me stilin e jetesës, ashtu si kanceri dhe duhanpirja. Të sëmurët me HIV nuk janë viktima. Kanë bërë zgjedhje që i bënë të infektoheshin. Nuk u ngelet gjë tjetër vetëm të kujdesen për veten. Mua sëmundja më ndryshoi gjithçka, më bëri më të përgjegjshëm. Vazhdoj akoma jetën time seksuale, sigurisht me mbrojtjet e duhura. Tani po plakem. Po shkoj tek të 50-at. Nuk e mendoja kurrë se do të arrija deri këtu. Më jep forcë slogani im i vogël: jam ende gjallë”.