Vit i ri godine e re

Vit i ri, godine e re

Ministria e Kulturës ka njoftuar zhvendosjen drejt godinës së re në mjediset e ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Pas muajsh rikonstruksion duket se gjithçka është gati për të mirëpritur stafin e ministrisë, e cila do ta nisë punën për vitin 2015 në zyra të reja. Ministria gjithashtu ka ndryshuar edhe logon e saj, ku shfaqet e vizatuar ndërtesa e re. Streha e re e Kulturës, te kultura e trashëgimisë…Me këto fjalë, shoqëruar nga një fotografi të godinës së restauruar të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro  ka lajmëruar zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës nga ndërtesa e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në  Rrugën e Kavajës, në godinën e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Duket se Ministria e Kulturës e ka nisur punën për vitin 2015 me moton “Vit i ri, godinë e re”. Me këtë lëvizje në ditët e para të vitit, duket se stafi i Ministrisë së Kulturës ka marrë hapësirat e nevojshme për të punuar, hapësira që duket se nuk ia ofronte godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve. Ministria gjithashtu ka ndryshuar edhe logon e saj, duke e prezantuar të renë ku shfaqej e vizatuar ndërtesa e ish-Kinostudios mesditën e së martës.

Për restaurimin e kësaj godine është punuar me intensitet jo vetëm për fasadën por edhe për brendinë, ku është treguar kujdes për të ruajtur formën origjinale që ka pasur përpara se ajo të shkatërrohej.

Punimet të lajmëruara muaj më parë nga arkitekti Artan Shkreli kanë nisur pas vendimit të Këshillit të Ministrave më 30 korrik 2014, kur godina katërkatëshe, e njohur si magazina e kostumografisë në ish-Kinostudio do të kalonte në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së  Kulturës.

Thuhet se punimet për rijetësimin e kësaj godine i ka kushtuar fare pak shtetit shqiptar, pasi kostot janë mbuluar nga firma fituese për restaurimin e mjediseve të ish-Kinostudios, ku pjesë e projektit ishte edhe ngritja e një ‘Muzeu Filmi’, projekti i iniciuar nga drejtori i “Alba Film”,  Fatmir Musaj, i cili do të përfshinte historikun e kinematografisë së realizuar brenda 50 viteve. Kjo firmë ka sponsorizuar edhe për përshtatjen e godinës në zyra dhe mjedise për ministrinë. Këtë fakt e ka bërë me dije arkitekti Artan Shkreli. Tashmë kjo godinë prej 5 janarit është “kthyer” në zyrat e reja të Ministrisë së Kulturës, ndërsa në godinën e vjetër ka nisur  shpërngulja. Është investuar gjithashtu edhe për fasadën dhe ndriçimin, kostot mësohet të jenë mbuluar sërish nga kjo firmë, çka do të thotë së shndërrimi i godinës nuk ka pasur kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Sipas arkitektit Shkreli, punimet kanë qenë të karakterit kozmetik. “Tirana fitoi një objekt destinuar për t’u zhdukur nga injoranca, babëzia dhe pafytyrësia, sikurse qenë destinuar edhe Piramida e Hotel Dajti”, – është shprehur në rrjetet sociale arkitekti Shkreli pasi ka publikuar një foto të shkrepur në mjediset e restauruara të godinës në fjalë me diçiturën “ Kinostudio vs. Ministria e Kulturës. Shkëlqimi dhe rënia, pastaj ringritja në një formë tjetër”.

Ndërtesa qendrore e ish-Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Sovjetik si vepër e madhe e miqësisë me sovjetët.

Punimet nisën në vitin 1948 dhe ndërsa ndërtesa u inaugurua më 10 korrik të vitit 1952 nga Enver Hoxha e Hysni Kapo si dhe nga ministri rus, Leviçkini. Drejtor i parë i Kinostudios “Shqipëria e re” ishte Nesti Zoto. Kjo ndërtesë ka mbajtur statusin monument kulture të kategorisë së dytë, ndërsa arkitektët e  kanë quajtur unikale dhe ndërtesë të stilit neoklasik.

Nga viti 2000, me vendim qeverie shumë nga ambientet janë vënë në shërbim të mediave dhe sektorit privat. Qëllimi ishte që ky kompleks të kthehej në një qendër kombëtare kulture. Në këtë godinë gjejnë strehë edhe një sërë institucionesh si Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Mendohet se përpos hapësirave më të mëdha që i nevojiteshin ministrisë për mbarëvajtjen e punës ka qenë edhe ideja për t’u gjendur pranë institucioneve të Kulturës. Ndërsa godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila mori funksionin e Ministrisë së Kulturës në vitin 2007 nën kujdesin e ministrit të asaj kohe, Ylli Pango, e cila u quajt për kohën një nga më modernet dhe që ka shërbyer deri më 4  janar të këtij viti si godinë ministrore, do të kalojë në një tjetër administrim.

Zëra thonë se do kalojë në administrim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, megjithatë ekzistojnë edhe dy variante të tjera. Mendohet se godina do të funksionojë si Instituti Italian i Kulturës ose Aleanca Franceze. Kjo lëvizje pritet të ndodhë për të krijuar më shumë hapësira për Bibliotekën Kombëtare, e cila prej disa kohësh ka shprehur ankesën  për mungesë të hapësirave për fondin e  librave. Megjithatë, se cili do të zhvendoset në godinën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

 

 

Godina

10 korrik 1952, inaugurohet Kinostudio “Shqipëria e Re”
Nga viti 2000, me vendim qeverie, shumë nga ambientet u vunë në shërbim të mediave dhe sektorit privat
30 korrik 2014, me VKM kalon në administrim të Ministrisë së Kulturës
5 Janar 2015, kthehet në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama