Vitamina D mbron trupin ndaj një sërë sëmundjesh të rëndësishme, duke vepruar në mënyrë të drejtpërdrejtë me ADN-në tonë dhe me qelizat e trupit të njeriut. Ajo ka një efekt kontrolli ndaj gjeneve që përfshihen në sëmundje të tilla si skleroza, diabeti dhe kanceri. Këto janë rezultatet e një studimi të fundit shkencor që e nxjerrin më në pah vlerën e kësaj vitamine të çmuar. Është hera e parë që shkencëtarët kanë gjetur fakte direkte në lidhje me vlerat e mëdha të vitaminës që ndryshe konsiderohet edhe “Vitamina e diellit”. Kjo vitaminë përftohet në lëkurën e trupit në prani të diellit dhe kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë rrjetin gjenetik që është i përfshirë në sëmundje të ndryshme të trupit njerëzor. Edhe më parë ndikimi pozitiv që ka kjo vitaminë me sëmundje të ndryshme ka qenë i njohur.
Kështu për shembull, dihej përfshirja e saj në përmirësimin e sëmundjeve autoimunitare, artritit reumatoik dhe disa lloj diabeteve, por deri më tani shkencëtarët nuk kanë qenë të aftë që të tregojnë se në ç’mënyrë ndikon konkretisht vitamina në çrregullimet e ndryshme të trupit. Studimi i fundit sugjeron se ekziston një mekanizëm në trup që e dërgon këtë vitaminë direkt në pjesët e gjenit njerëzor që kanë lidhje me sëmundjet e sipërpërmendura, kryesisht sëmundje të çrregullimeve imunitare. Studimi nxjerr në dritë se një numër shumë më i madh gjenesh nga sa mendohej në fillim rregullohen nga ndikimi i vitaminës dhe madje çka është më e rëndësishme edhe vetë gjenet kanceroze. Në këtë rast kemi një ndikim jo direkt, por ajo çka është e rëndësishme është roli i madh i kësaj vitamine në mbrojtjen e gjeneve.
Në botë, sipas disa vlerësimeve, mendohet se rreth 1 miliard njerëz vuajnë nga mungesa e vitaminës D që mund të përftohet në sasi të vogla përmes ushqimit, në sasi më të mëdha përftohet nga ekspozimi i lëkurës në dritën e diellit. Pra, ky studim është i vdekshëm edhe për atë kategori njerëzish që gjeografikisht janë shumë më tepër të ekspozuar ndaj diellit krahasuar me pjesë të tjera të popullsisë që jetojnë në vende më “të errëta” dhe jo me shumë diel. Shkencëtarët për të dalë në këto përfundime kanë marrë në shqyrtim qelizën njerëzore dhe e kanë stimuluar atë me një sasi të madhe vitamine D.
Ata zbuluan se receptori proteinik i vitaminës D lidhej me shumë gjene dhe se ajo ka një ndikim shumë të madh edhe në ndryshimin dhe alternimin e aktivitetit të gjeneve të tjera. Shkencëtarët kanë skanuar gjithë rrjetin gjenetik dhe kanë parë se në cilat pjesë të tij ka një ndikim vitamina D, ndikim të drejtpërdrejtë, apo edhe dytësor. Tani është shumë e qartë se në ç’mënyrë ndikon ajo në veprimtarinë dhe drejtimin e shumë gjeneve.
Dhe bëhet fjalë jo për ndikimin anësor, por për ndryshimin e funksionimit të gjeneve në fjalë. Në trupin e njeriut ka shumë gjene që janë shumë të prekura nga influenca të ndryshme autoimune dhe duket se e vetmja që mund të ndikojë në përmirësimin e tyre është vitamina D. Kjo është arsyeja se përse, siç dihet në fakt, kjo vitaminë ka një rol shumë të madh në një spektër të gjerë sëmundjesh dhe përse njerëzit që jetojnë pranë diellit janë më të shëndetshëm se ata që jetojnë më larg tij. Statusi i vitaminës D është një nga më të fuqishmit krahasuar me vitaminat e tjera dhe llogaritet që kjo vitaminë të ketë njërin prej ndikimeve më të mëdha për sa i përket funksionimit të disa gjeneve.
Kjo është një gjetje shumë e rëndësishme, sepse në të tani do të bazohen jo vetëm medikamente të ndryshme, por edhe mënyra të reja jetese. Në këtë drejtim pajisja e trupit me vitaminë D, veçanërisht gjatë shtatzënisë është shumë e rëndësishme në formimin e mbarë të fetusit, por edhe në krijimin e një sistemi imunitar. Veç kësaj, prania e vitaminës D duhet që të jetë e madhe edhe gjatë viteve të para të jetës së fëmijës dhe kjo, madje mund të jetë thelbësore për shëndetin e mëpastajmë të individit.
Vitamina D përftohet në mënyrë natyrore nga lëkura, por vetëm në prani të diellit. Rrezatimi diellor përmban rrezet ultravjollcë B (UVB) të cilat krijojnë një substancë të veçantë në lëkurë që quhet 7-dehydrocholesterol. Shndërrimi mund të bëhet në mëlçi dhe në veshka dhe prej këtij të përftohet edhe forma aktive e vitaminës D.
Vitamina është gjithashtu e pranishme në sasi relativisht të mëdha edhe në produktet e detit dhe deri diku te veza. Deri më tani, mënyra më e mirë për të përftuar vitaminën D është ajo e kompozimit të trupit në diell për disa minuta çdo ditë. Por njerëzit me lëkurë shumë të çelur rekomandohen që të mos e djegin lëkurën, sepse kështu do të kishin efekt të kundërt.