Vitaminat kujdes mbiperdorimin. Jane me keq se ilacet

Vitaminat, kujdes mbiperdorimin. Jane me keq se ilacet
Vitaminat u zbuluan një shekull më parë dhe në atë periudhë dhanë një kontribut shumë të madh në shërimin e mjaft sëmundjeve që ishin shkaktuar nga kequshqyerja. Sot, shqetësimi kryesor ka të bëjë me përdorimin e tepruar të tyre, që mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh dhe patologjish.

Vitaminat mbushin 100 vjet. Ishte viti 1912 kur biokimisti polak Casimir Funk përdori për herë të parë termin “vitaminë” në Journal of State Medicine, duke hedhur kështu hipotezën në lidhje me ekzistencën e të paktën katër lloje vitaminave, të cilat kishin një ndikim shumë të madh në shëndetin tonë dhe mungesa e të cilave ishte thelbësore për sëmundje të tilla si beri-beri, skorbuti e të tjera. Sot në distancë njëshekullore nga shpikja e vitaminave, flitet jo vetëm për mungesën e tyre, por në radhë të parë dhe gjithmonë e më shumë për mbipërdorimin me tepri të këtyre substancave nga ana e njerëzve. Mbipërdorimi që në fakt është një fenomen fatkeqësisht në përhapje e sipër, sjell zhvillimin e patologjive kardiovaskulare dhe tumorale. Të paktën këtë kanë nxjerrë në dritë disa studime të fundit të shkencëtarëve amerikanë, vend në të cilin vitaminat konsumohen më shumë se askund tjetër dhe madje njerëzit kanë krijuar shumë varësi ndaj tyre.

Sipas mjekëve dhe specialistëve që janë për një përdorim të duhur të vitaminave, para se të fillojmë përdorimin e tyre duhet që të vërtetojmë në radhë të parë se kemi mangësi të caktuara të vitaminave të ndryshme në organizëm dhe kjo kërkon kryerjen e analizave të duhura dhe të specializuara. Deri në vitet ’90 sugjerohej përdorimi i vitaminave edhe pa iu nënshtruar analizave në lidhje me sasinë e tyre në trupin tonë, pra të analizave që mund të nxirrnin mangësi të tyre në organizëm. Shpesh njerëzit e tejkalonin shumë dozën e marrë, duke menduar se sa më shumë vitamina të merreshin, aq më mirë do të ishte për organizimin duke harruar se si gjithmonë dhe në çdo gjë, edhe në këtë rast teprim do të thotë prishje balance dhe shkaktim patologjish të reja.

Pra mbështetësit e kësaj teorie mendojnë se nëse një dozë bën mirë, një mbidozë bën akoma më mirë për organizmin. Por kjo është shumë e gabuar. Ndërgjegjësimi i qarqeve të caktuara mjekësore në lidhje me teprimin e përdorimit të vitaminave erdhi pas një gjyqi të shumëpërfolur dhe me shumë jehonë në Finlandë në lidhje me disa vdekje të shpeshta të personave që kishin një faktor të përbashkët: përdorimin e shpeshtë dhe në shkallë të lartë të vitaminave E dhe A. Të mos harrojmë se një mbingarkesë me vitamina mund të shkaktojë dëme në mëlçi dhe në veshka mes të tjerash, pra tek organet përpunuese të organizmit. Nëse njerëzit do të konsumonin vetëm ushqime, do të ishte shumë e vështirë që të tejkalonin nivelin e duhur të vitaminave, për të cilat ka nevojë organizmi i tyre. Problemi lind te konsumi i vitaminave kokërr, pra të prodhuara në farmaci që konsumohen me shumicë në Perëndim. Por si ushqime të ndryshme e si lëngjet e frutave për shembull janë të bombarduara me vitamina A dhe E, në mënyrë të tepruar dhe kjo për arsye komerciale dhe jo sepse është e dobishme për shëndetin.

Të mos harrojmë se pikërisht këto vitamina janë të pranishme thuajse në të gjitha produktet estetike, duke filluar nga kremrat e fytyrës, tek ato të trupit apo edhe kremrat për dobësim. Në këto rrethana ftesa për të gjithë njerëzit është që të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime origjinale dhe të braktisin produktet farmaceutike, apo edhe ato të prodhuara nga fabrika, të cilat kanë më shumë për zemër tregtinë se sa mirëqenien e vërtetë të konsumatorit, të cilin shpesh e dëmtojnë. Por një situatë ndryshe është për shembull ajo e rastit të Argjentinës, ku qeveria për të luftuar mungesën e ushqimit në shumë zona të varfra të vendit detyrohet që të shtojë në miellin e bukës vitamina të grupit B. Dhe kjo është miratuar me ligj. Ndërkohë që për sa u përket vendeve të zhvilluara duhet të ndryshohet tashmë qëndrim ndaj vitaminave dhe përdorimit të tyre. Më sipër thamë se teprimi mund të krijojë probleme në veshka dhe mëlçi, por sipas disa studimeve të fundit përdorimi i tepruar i vitaminave mund të shkaktojë edhe patologji tumorale. Në këtë rast bëhet fjalë për vitaminat, por dhe për mineralet, veçanërisht për kalciumin që nuk duhet tepruar kurrsesi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama