Në fakt, 2 lekë për litër është taksa e re neto, por mbi të aplikohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar prej 20 për qind dhe në mënyrë automatike, rritja për qytetarët pasqyrohet me 2.4 lekë për litër. Bashkë me 5 lekëshin (6 lekë me TVSH) që filloi t’i vilej çdo litri karburant në gusht, totali që paguajnë qytetarët për Taksën e Qarkullimit është plot 8.4 lekë për çdo litër naftë apo benzinë të hedhur të serbatorin e makinës.
Nga gushti, një litër naftë apo benzinë është rritur me të paktën 25 lekë për litër. Kjo është rritja më madhe që kanë pësuar ndonjëherë karburantet në Shqipëri, përfshi edhe periudhën e vështirë që kaluan tregjet e hidrokarbureve në vitin 2007.
Aktualisht, një litër naftë në treg kushton mesatarisht 180 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 183 lekë për litër. Çmimi varion nga zona në zonë dhe sipas pikave të karburanteve. Çmimet më të shtrenjta hasen në Tiranë ku një litër naftë arrin deri 185 lekë, ndërsa benzina arrin deri në 186 lekë për litër. Një shtrenjtim i ri i karburanteve u bë gjatë muajit nëntor kur kompani të ndryshme lajmëruan për rritjen me 5 lekë për litër të naftës dhe benzinës për shkak të rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e çmimeve të karburanteve nuk mund të kalojë pa rritje fillimisht të kostos së transportit në Shqipëri. Duke marrë parasysh këtë, një rritje mëtejshme e kostos së transportit do të ndikonte në shtrenjtimin e shërbimeve apo të mallrave të konsumit të përditshëm në vend.
Qeveria ndërmori disa ndryshime thelbësore në taksat e makinave në verën e këtij viti, nga të cilat rrjedh edhe taksa e re mbi karburantet. Ekzekutivi miratoi heqjen e doganës për makinat duke rritur taksat për karburantin me qëllim kompensimin e të ardhurave që humbnin nga heqja e doganës. Në pamje të parë, ligji i ri favorizon blerjen e një makine, por e shtrirë në kohë, kostoja që duhet paguar për mbajtjen e saj, është më e lartë se sa tani. Diferencën në këtë rast e bën Taksa e Qarkullimit, e cila nga 1 janari do të vilet me 8.4 lekë për litër.
Për shkak të saj, pronari i një automjeti të prodhuar në vitin 2 000 për shembull paguan vërtetë më pak taksa krahasuar me atë ç’ka paguante deri në 24 gusht kur ndryshimet ligjore hynë në fuqi, por e përllogaritur në fund të vitit, kostoja vjetore e mbajtjes së asaj makine do të jetë më e lartë.
U penalizuan dyfish ata që kishin makina
Taksa Qarkullimit mbi karburantet u vendos pas heqjes së doganës së makinave, duke favorizuar makinat e reja në kurriz të atyre që kishin deri në atë moment një makinë në përdorim. Këta të fundit tashmë paguajnë dy herë, një herë për doganën e makinës dhe një herë tjetër taksën e re të qarkullimit sa herë shkelin pedalin e gazit.
Një përllogaritje e thjeshtë e kostos vjetore të mbajtjes së një makine me sistemin e ri të taksave, përfshirë edhe taksat e reja të karburanteve të nxjerr në përfundimin se mbajtja e një makine nga 1 janari e në vijim do të na kushtojë më tepër nga sa na kushtonte deri më tani, por edhe më shumë krahasuar me sistemin e vjetër të taksave.
Krahas taksimit të dyfishtë, ata që kishin një automjet deri në 24 gusht u penalizuan edhe nga zhvlerësimi i makinës për shkak të heqjes së doganës për makinat që hynin rishtazi në Shqipëri. Aktualisht në të gjithë vendin qarkullojnë rreth 350 mijë autovetura. Pra, ligji i ri për makinat ka prekur drejtpërdrejtë këtë pjesë të shoqërisë, të cilëve iu është zhvlerësuar automjeti dhe nuk mund ta shesin më me çmimin që kishin menduar më parë edhe në qoftë se kanë ndërmend të blejnë një makinë të re.
Nëse me këtë vendim privilegjohen ata që kanë blerë makina pas datës 24 gusht kur ligji hyri në fuqi, u penalizuan rendë ata që kishin një makinë në përdorim pasi nga njëra anë nuk përfituan nga heqja e doganës dhe nga ana tjetër, paguajnë taksë ekstra për karburantin.
Taksa e re, 6 mld lekë në arkën e shtetit
Më shumë se gjysma e çmimit final e karburanteve përbëhet nga taksat që vjel shteti
Qeveria parashikon të mbledhë 60 milionë dollarë plus gjatë vitit 2012 vetëm nga vjelja e Taksës së Qarkullimit mbi Karburantet. Kjo është shuma e vendosur nga ekzekutivi në relacionin që shoqëroi ndryshimet në ligjin “Për Taksat Kombëtare” të miratuara në korrik të këtij viti.
Taksa e qarkullimit është vetëm një ndër të ardhurat që shtetit vjel nga karburantet. Kryesoret janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të cilat ndikojnë më së shumti në formimin e çmimit final të një litri naftë apo benzinë që blejnë qytetarët. Akciza është fikse, 37 lekë për litër për naftën dhe benzinën, kurse TVSH varion sipas çmimit me të cilin karburanti hyn në doganë. TVSH-ja vilet pas aplikimit të akcizës mbi karburantet duke bërë që vlera e saj të shtohet dhe më tepër.
Nga përllogaritjet del se nëse një litër karburant futet sot në doganë me një kosto mesatare 80-85 lekë për litër. Në këtë kosto përfshihet çmimi i blerjes, transporti, siguracioni, etj., kurse pjesa tjetër e çmimit, deri në serbatorin e makinës, janë taksa dhe fitimi i kompanive të karburanteve.
Direkt pas futjes në doganë mbi këtë shifër aplikohet akciza, në masën 37 lekë për litër, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 20 për qind, taksa portuale, tarifa e IQT-së, tatimi mbi fitimin, depozita. Kështu, për çdo litër naftë të futur me këtë çmim, rreth 23.5 lekë janë TVSH, 37 lekë janë akcizë, 3 lekë janë taksë karboni, 7 lekë është taksa e re e qarkullimit si dhe taksa të tjera që paguajnë pikat e shitjes me pakicë. Nëse sot në treg një litër naftë shitet mesatarisht 180 lekë për litër, më shumë se gjysma e këtij çmimi përbëhet nga taksat.