Pranë ambienteve të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është çelur panairi për “Punësim dhe emigrim në Kanada”. Kanadaja është një nga shtetet që mirëpret çdo vit me mijëra emigrantë nga e gjithë bota. Vendi ka burime të mëdha natyrore dhe ofron mundësi teknologjike, industriale dhe prodhuese. Nga data 25 deri në 28 tetor, panairi qëndron i hapur ndërsa mirëprte të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të jetojnë dhe punësojnë në Kanada. Aplikantët duhet të plotësojnë një formular me kriteret përkatëse, i cili do të mundësojë drejtpërdrejt emigrimin e tyre pas përzgjedhjes përfundimtare. Në krahasim me aplikimin për “Lotarinë Amerikane”, përzgjedhja këtu nuk do të jetë e rastësishme.
Në afatin kohor të një jave, përveç kryeqytetit, ky panair do të organizohet edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë, deri në datën 31 tetor. Organizatori i tij, Ervis Lako, tregon për gazetën “Shekulli” se negociatat për të hapur këtë panair kanë filluar në janarin e këtij viti.
Nën moton “Jeto dhe puno në Kanada”, bazuar në kriteret e vendosura, disa kompani kanadeze do të rekrutojnë punëtorë dhe do të jenë firmat e emigracionit që do të kujdesen në bazë të procedurave ligjore për transferimin e fituesve.
Ervis, ju jeni organizator i panairit. Mund të na tregoni rreth aplikimit?
Aplikimi do të jetë tërësor. Çdo qytetar i interesuar do të plotësojë një formular në të cilin duhet të shkruajë identitetin dhe punën që dëshiron të kryejë. Qytetari ka të drejtë që të shënojë më shumë sesa një preferencë. Ai duhet të plotësojë gjithashtu edhe përvojën e tij në Shqipëri dhe punët që ka kryer. Aplikanti kryen një pagesë, e cila mbahet si formë garancie. Cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një aplikant?
Kriteri kryesor është gjuha. Aplikanti duhet të t’i nënshtrohet testit të IELTSit. Kriteri tjetër që shihet me përparësi është përvoja profesionale, e cila duhet të jetë minimalisht 3 vjet.
Dhe si paraqitet fluksi i kërkesave?
Duhet ta pranojmë që fluksi është jashtëzakonisht i madh. Edhe nga panairi i parë ka pasur shumë aplikime, por duhet të them se deri më tani numri i ka kaluar 5 mijë persona vetëm në qytetin e Tiranës.
Duke parë këtë numër kaq të madh, si është ai në raport me pranimet nga shteti kanadez?
Numri i fituesve është shumë i vogël në krahasim me këto shifra, por duhet thënë nga ana tjetër se shumë aplikantë skualifikohen që në fillim, për shkak se ata nuk plotësojnë asnjë nga kriteret. Janë njerëz që nuk e kanë kualifikmin e duhur dhe më së shumti e shohin si mundësi emigrimi, për të zgjedhur një jetë tjetër, por pa i plotësuar standardet e domosdoshme.
Cilat janë profesionet që shteti kanadez i sheh me përparësi?
Fushat më të kërkuara janë kulinaria dhe ndërtimi. Një kuzhinier i mirë ka shanse më të mëdha për të qenë fitues. Gjithashtu kërkohen njerëz në profesionin e ndërtimit, kryesisht ata që kanë përvojë në punimet me gips, në lyerje me bojë etj. Duhet pasur shumë kujdes me formularin e aplikimit sepse ka raste kur shteti kanadez i rikthen fituesit pasi nuk janë të aftë në profesion. Gjithashtu, Kandaja mirëpret edhe njerëz të profesionit intelektual, si mësues, inxhinierë etj.
Sa kohë duhet të presë aplikanti derisa të përzgjidhet dhe a lejohen aplikimet familjare?
Procedura e përzgjedhjes zgjat deri në nëntë muaj dhe aplikantët i nënshtrohen disa takimeve, të cilat kryhen me forma të ndryshme komunikimi. Kriteret që ka vendosur shteti kanadez janë shumë strikte dhe numri i fituesve është i vogël. Ka edhe aplikime familjare, kur familjari merr leje dhe e elaboron, por kjo nuk varet nga ne.
Cili është roli juaj si ndërmjetës?
Në rolin e ndërmjetësit ne e kemi marrë këtë nismë edhe për një arsye tjetër. Kemi vendosur një shumë modeste pagese, duke konstatuar nga vitet e shkuara paaftësinë e kandidatëve në drejtimin profesional. Ne marrim përsipër të dërgojmë dosjet e aplikantëve me fotografi dhe referenca nga punëdhënësit e mëparshëm. Ne mbrojmë vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet në mënyrë që të mos hasen pengesa dhe aplikimet të jenë të vlefshme, por edhe qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm në këtë aspekt. Kanadaja kthen shumë emigrantë. Unë nuk mund të them statistika, por realisht numri i të rikthyerve është i madh.
Punësimi afatshkurtër dhe jetesa, si ndërmjetësohet
Kanadaja është një vend me bukuri dhe burime të shumta natyrore, si dhe me mundësi të mëdha ne edukim, teknologji, industri, kufizohet në jug me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka qasje me Amerikën e Jugut.
Kanadaja mirëpret më shumë se 1 në 10, nga gjithë emigrantët e botës dhe ka një nga përqindjet më të larta për emigracioni në botë. Kanadaja krenohet me sistemet e ngritura në shëndetësi e arsimim, nivelin e larte të jetesës dhe me ekonominë e fuqishme.
Kanadaja mirëpret dhjetëra mijëra njerëz nga gjithë vendet e botës, çdo vit, që vendosin te emigrojnë në Kanada. Vihet re një rritje e interesit të shqiptarëve që dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kanada, si dhe një interes i kompanive Kanadeze për të punësuar shqiptarë. Panairi për punësim dhe emigrim po përpiqet të sigurojë këtë lidhje mes shqiptarëve dhe kompanive Kanadeze, të sigurojë shqiptarët me mundësi emigrimi ne Kanada për punësim afatshkurtër apo edhe për të jetuar në Kanada.
Analizat mjekësore dhe dëshmia e penalitetit
Aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Intervista zhvillohet në Ambasadën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Në Shqipëri është një i tillë.
Ky kontroll duhet të bindë Ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Disa Ambasada pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij.
Nga ana tjetër, që Ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.
Objektivat e qeverisë dhe kriteret
Kanadaja është një vend që është krijuar dhe zhvilluar nëpërmjet emigracionit. Valët e emigracionit kanë qenë të shumta, por në shekullin e XX njihen disa si më të rëndësishmet: periudha midis dy luftërave botërore, periudha pas luftës së dytë botërore deri në fillimin e viteve '60 si dhe fillimi i viteve '90. Pavarësisht nga shifrat shumë të larta, në përgjithësi, dyert për emigrantë nga e gjithë bota kanë qenë gjithmonë të hapura.
Vetëm në vitet e fundit, Ministria e Emigracionit ka përcaktuar si kuotë-objektiv shifrën 225 mijë emigrantë, që duhet të pranohen çdo vit në Kanada. Kriteret e reja të pranimit të emigrantëve të pavarur, të vetëpunësuarve, sipërmarrësve dhe investitorëve u aprovuan në maj të vitit 1997. Këto kritere janë aktualisht në fuqi dhe është e nevojshme që çdokush që është i interesuar të emigrojë në këtë vend të njihet me to para se të fillojë aplikimin.
Duhet thënë që procesi i aplikimit ka koston e vet dhe njohja me kushtet e aplikimit është domosdoshmëri në mënyrë që të shmangen shpenzimet e panevojshme nga ata që nuk i plotësojnë kushtet për të fituar aplikimin. Objektivi i qeverisë kanadeze është të fusë çdo vit në Kanada njerëz të kualifikuar, që me eksperiencat e tyre profesionale të mund të kontribuojnë në mënyrë produktive në përparimin ekonomik të këtij vendi.