Vizatimet e atit Ne pikturat e Ferdinand Pacit

Vizatimet e atit Ne pikturat e Ferdinand Pacit

Ferdinand Paci/ Historia e artistit shkodran që jetoi dhe iku shpejt nga jeta... përmes vizatimeve të bëra pas viteve ‘60 dhe kujtimeve të mikut të ngushtë, piktorit Kujtim Buza

Gruaja në vizatimin e bërë me laps ka të njëjtin vështrim prej vitesh. Fustani i mbyllur deri në qafën e hollë dhe një shami që s’ka mundur t’i fshehë ballin e lartë, e bëjnë më tërheqëse portretin e saj. Ka një të fshehtë pas çdo gruaje dhe ky portret që duhet të jetë realizuar pas viteve ‘60 e tregon këtë. Adrian Paci është rritur duke i parë këto vizatime, që shpalosin një galeri personazhesh, plot botë, që duket sikur kanë në fytyrë historinë. Personazhe, përmes të cilave i dukej sikur zbulonte, atin e tij, i cili iku përgjithmonë kur ai ishte ende fëmijë, duke i lënë pas një koleksion të tërë pikturash, vizatimesh, ca të papërfunduara. Ndoshta ngjizja e tij drejt artit ndodhi natyrshëm teksa përballej çdo ditë me tablotë që i kishin zëvendësuar padashur atin. Është një koleksion i tërë pikturash, i lënë pas nga Ferdinand Paci, një prej piktorëve më të mirë në vitet ‘60-‘70, që e posedon sot familja Paci. Tablo dhe portrete që shpalosin dimensionin e një artisti që dukej sikur e kishte kapërcyer kohën. Një e verdhë që zhytet mes blusë dhe të gjelbrës të jep ndjesinë e një vere fantastike, në tablonë “Ditë vere” (1970), e cila ndodhet në koleksionin e Galerisë së Arteve në Shkodër. Ndërsa portretet në vizatimet që Adriani na tregon janë pa kohë.

 

Me një aftësi prej kirurgu Paci duket sikur ka hyrë në mendjet e tyre, për të parë prej andej mendimet që u lexohen në fytyrë. Këto portrete janë një udhëtim psikologjik në mendjen njerëzore, duke i bërë këto personazhe që janë marrë diku nga Veriu i Shqipërisë, të dashura edhe sot në shek XXI. Teksa shikon punët e lëna pas, ndien vrapin e artistit për t’i thënë të gjitha në pak kohë, sikur ta ndiente ikjen pa kthim. Pikturat e Ferdinand Pacit janë një prurje për artin figurativ në vitet ‘70, me kolorin e ngjyrave, apo intimitetin që përcjellin. Për Kujtim Buzën, mikun e tij të ngushtë, “Paci ishte një piktor i planeve të mëdha, i kompozimeve, veçanërisht kishte për zemër figurat e malësorëve, apo temat me motive nga Veriu i vendit”. Ai sjell shpesh në mendje energjinë e djaloshit shkodran gjatë kohës së Institutit të Lartë të Arteve. “Me Ferdinandin na bashkonin shumë gjëra, jo vetëm piktura. Ai ishte një student që kishte mendime, dhe ishte në rrethin e talenteve të reja.

 

Në atë periudhë ne botonim mendimet tona në gazetën e Institutit dhe Ferdinandi ishte aktiv me shkrimet e tij mbi artin. Ishim disa shokë që shkruanim si Llambi Blido, Nazhi Bakalli, Skënder Kamberi…”, kujton Buza. Sipas tij, Paci do t’i sillte pikturës shqiptare prurje akoma më të suksesshme për vetë orientimin që ai kishte nga piktura veneciane. Folës i mirë i italishtes, dhe i rritur në një ambient të influencuar nga arti italian, atij i pëlqente piktura italiane, dhe përpiqej të hapte një dritare në murin e kohës. Buza kujton ende sot diplomën e tij, me titullin “Dreka malësore”, një peizazh i mrekullueshëm i sofrës së veriut. Janë shumë kujtime që e çojnë Buzën në kohët e kaluara me mikun, që do t’i mungonte shumë gjatë jetës. Sa herë dëgjon opera i kujtohet Ferdinandi. “Kur punonte ai kishte dëshirë të këndonte arie, dhe e bënte gjithnjë këtë. E dëgjoja shpesh teksa këndonte opera me zërin e tij voluminoz…Ishte një djalë i këndshëm, i gjatë, që e donte artin”, thotë Buza. Pasioni për udhëtimet sidomos për veriun  vendit, nga ku ka marrë motive për në pikturën e tij, do t’i merrte dhe jetën, gjatë një aksidenti automobilistik kur ishte vetëm 35 vjeç. Buza e kujton atë mbrëmje kur bashkë me Fatmir Haxhiun u nisën në orën 2 të natës drejt Shkodrës me shpresën se do të mund ta shihnin gjallë mikun e tyre. Por vdekja nuk mund t’i marrë artistët.

 

Ata ridimensionohen me artin që kanë lënë pas. Ferdinand Paci iku shumë i ri, në kulmin e shpërthimit të tij artistik. Koleksioni i tablove që ai ka lënë pas, duket sikur e sjellin artistin në çdo kohë, si një zë figurativ të rëndësishëm në historinë e artit pamor në vend. I lindur në Shkodër në vitin 1940, ai do të ndiqte shkollën pedagogjike ku mori mësim nga Simon Rrota. Ai do të rritej artistikisht duke ndjekur modelin e artit të një grupi artistësh që kishin ardhur nga akademitë italiane. Në Tiranë ai vjen për të vazhduar Liceun Artistik, nën drejtimin e tre mësuesve që kishin studiuar në Itali, Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi e Kel Kodheli. Talenti i tij do të spikaste që gjatë viteve të Liceut me Portretin e “Nine Gurashit. Me duart e mbledhura në prehër Nina duket aq e paqtë teksa e sheh dhe sot. Një tablo me një stilistikë të arrirë, e bën këtë pikturë të të tërheqë me thjeshtësinë e vet. Studimet e mëvonshme në Institutin e Lartë të Arteve do të ndërtonin më mirë profilin artistik të artistit të ri. Pavarësisht se arti në atë kohë ishte i orientuar drejt një kornize zyrtare, në vizatimet e lëna prej Pacit, shohim një devijim nga kjo skemë. Por fryma skematike ndihet në tablotë e pashmangshme për çdo artist të asaj periudhe. Është impresionuese të krahasosh një seri vizatimesh të bëra gjatë viteve 1963-1965, në ekspeditat e Institutit të Lartë të Arteve në malësi e në fshatra të ndryshme të vendit me ato të vitit 1967, ku Ferdinandi bashkë me një grup artistësh të asaj kohe paraqet punën e aksionistëve në ndërtimin e hekurudhave, hidrocentraleve në ndërtimin e Shqipërisë socialiste. Një tis melankolie përshkon vizatimet e bëra gjatë ekspeditave, duke i bërë tepër të gjalla ndryshe nga ato çfarë shihen në punët që shprehin Shqipërinë e re.

Punët e Pacit, bashkë me veprat e realizuara gjatë asaj periudhe në Shqipërinë socialiste meritojnë të studiohen dhe të kenë vëmendjen e duhur në historinë tonë të artit. Dhe pse krijimtaria e tij është zhvilluar në një kohë të shkurtër ajo ka jetuar dhe presionin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën siç ishte revolucioni kulturor i vitit 1967, letra e hapur e Komitetit Qendror të PPSH-së kundër mbeturinave fetare dhe zakoneve prapanike, Plenumi i 1974 i Komitetit Qendror të PPSH kundër shfaqjeve të huaja ideologjike në art. Ishte e pashmangshme që krijimtaria e tij ashtu si e shumë artistëve të asaj periudhe të mos kishte brenda artin e soc-realizmit. Por ndërsa sheh këto vizatime sot, apo tablotë në koleksionin e Galerisë së Arteve Shkodër, kupton se gjuha e artit nuk ka kohë dhe kur ajo vjen nga thellësitë mund të magjepsë në çdo kohë. Ashtu si këto portrete malësorësh, të bëra me laps që Ferdinand Paci duhet t’i ketë takuar diku në fshatrat veriorë, gati gjysmëshekulli më parë…Portrete që sot janë një trashëgimi e vyer jo vetëm për familjen, por dhe për historinë e artit shqiptar në shekullin  XX.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama