Vizita e Erdogan Nano zhduku bustin e Skenderbeut

Vizita e Erdogan, Nano zhduku bustin e Skenderbeut
Në një simpozium ndërkombëtar kushtuar historisë së Perandorisë Osmane që u zhvillua në Turqi në shtator 2010, ishte bërë thirrje për “ribërjen” e historisë së periudhës osmane. Rreth 70 ekspertë të periudhës së Perandorisë Osmane, 30 prej të cilëve të huaj, merrnin pjesë në simpoziumin që po mbahej në qytetin turk Bilexhik. Shumica e shkencëtarëve pjesmarrës  në simpozium mendonin se historianët perëndimorë janë të njëanshëm dhe shprehin mendime të gabuara lidhur me historinë e Perandorisë Osmane. Rektori i Universitetit të Bilexhikut, prof. dr. Azmi Jozxhan, deklaronte se njëra nga dobësitë kryesore është se historia osmane deri tani është shkruar nga të huajt. “Sipas kuptimit të tyre tradicional, turqit janë përshkruar si kolonizues të ashpër dhe pushtues, të cilët kanë shkaktuar gjakderdhje”, deklaroi Jozxhan duke shtuar se ”hulumtimet tregojnë se këto pohime nuk i përgjigjen të vërtetës. Duke grumbulluar në një vend shkencëtarë nga disa shtete, ne dëshirojmë të bëjmë hapat e parë në ndryshimin e historisë osmane, nëse kemi mundësi për këtë”.

Duke nisur që nga Shqipëria dhe më pas Kosova. Por nëse kërkesa e autoriteteve turke ndaj qeverisë së Kosovës për ribërjen e historisë daton vitin 2010, kur kjo kërkesë iu parashtrua ish-ministrit të Arsimit të Kosovës Enver Hoxhaj, në Tiranë kërkesat kanë qenë të rangut më të lartë. Dy herë brenda tre viteve, kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, u kërkoi zytarisht autoriteteve shqiptare që të rishikonin tekstet e historisë, për periudhën otomane, duke hequr ato që gjoja fyenin popullin turk dhe madje duke riparë rolin e Skënderbeut. Dhe ky i fundit ishte “kurbani” i vizitës së kryeministrit turk në selinë e qeverisë shqiptare mëse 6 vite më parë. Një ish-zyrtar i selisë së qeverisë Nano në atë kohë tregon se çfarë poshtërimi u bë në selinë e Ekzekutivit të një shteti sovran. Para se kryeministri Nano të priste në takim zyrtar homologun  e tij Erdogan, në 12 shkurt 2005, gjatë vizitës në selinë e qeverisë, nga zyra u hoq një statujë e vogël e Skënderbeut. “Ishte një zyrë e re që ishte bërë me oxhak dhe sipër tij ishte statuja e vogël, që u hoq përpara se kryeministrat të takoheshin”-kujton ish-zyrtari i administratës në shkurt 2005.

Ky do të ishte vetëm fillimi. Pak ditë më vonë, agjencia turke e lajmeve “Anadolu”, do të zbardhte bisedimet e mbajtura sekret mes dy kryeministrave, duke u shprehur se kryeministri turk Erdogan kishte kërkuar nga autoritetet shqiptare korrektësi historike, duke bërë thirrje për rishikimin e teksteve të historisë. Erdogan, sipas agjencisë “Anadolu” i kërkoi homologut shqiptar ngritjen e një komisioni ekspertësh dypalesh për rishikimin e teksteve të historisë dhe që “informacioni mbi marrëdhëniet Turqi-Shqipëri duhet të reflektohet korrektësisht në librat shqiptarë të historisë”. Këto detaje të bisedimeve u fshehën nga qeveria e Nanos, siç kishte ndodhur edhe me kërkesat e qeverisë greke për tekstet e historisë që përshkruanin pushtimin dhe masakrat e andartëve grekë në jug të vendit.

Kërkesa e zyrtare e kryeministrit turk për rishikimin e historise i kishte si referim periudhë kohore kur heroi kombëtar I Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skenderbeu, për gati një çerek shekulli përballoi sulmet e ushtrive osmane, duke u bërë jo vetëm mbrotës i vendit, por edhe pengesë e hordhive osmane për të kaluar matanë Adriatikut, në Perëndimin e krishterë.

 

Erdogan, Berishës: Rishikoni “gabimet” në tekstet e historisë

Në mars 2008, Erdogan erdhi sërish në Shqipëri, duke kërkuar rishikimin e teksteve të historisë. Në kuadër të vizitës zyrtare, ku u nënshkrua marrëveshja “Programi kuadër për bashkëpunimin në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve”, qeveria e Berishës bëjnë të ditur se kryeministri turk do të paraqesë një propozim për ngritjen e një komisioni të përbashkët për rishikimin e “gabimeve” të tekstet e historisë. Erdogan ishte mbështetës i qeverisë “Berisha” dhe dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, që të dy prenë shiritin e rrugës dhe tunelit Rrëshen-Kalimash, ndërtuar nga konsorciumi amerikano-turk, “Bechtel-Enka”. Berisha, pas ardhjes në qeverisje në 2005 ndërroi mendje për shitjen e “Albtelekom”, duke u tërhequr nga kritika për shitjen e bërë nga ish-kryeministri Nano në 2005, dhe ia la atë grupit turk “Çalik”.

 

Arbën Xhaferri

Fjalët e urta popullore kanë konotacione të shumëfishta dhe vlejnë për situata të ndryshme. Populli thotë “ujku qimen e ndërron, por vesin jo”. Kemal Ataturku, Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, e ndërroi karakterin e rendit shoqëror politik të Turqisë, por nuk arriti ta ndryshojë mendësinë e popullit, apo thënë më saktë të një elite që mendonte me kategori imperiale. Këto tendenca, ambicie imperiale si moto kryesore e kanë tezën se periudha osmane ka qenë një rrëfim i suksesshëm (suçess story) dhe jo një okupim i egër. Me këtë bëhen përpjekje që jo vetëm ta ndryshojnë të vërtetën historike, por edhe imazhin e turqve. Kjo tezë fillon nga konstatimi se Perandoria Osmane nuk ishte okupatore e jashtme, por erdhi në një hapësirë gjeografike të pasunduar, ngjashëm si popujt evropianë që krijuan shtetet e tyre të reja në Amerikë.

 

Shkrimtari Sabri Godo:  Skënderbeun nuk e heq askush

Sabri Godo shkrimtari i librit “Skënderbeu” ishte ndër zërat që e dënoi ashpër veprimin e qeverisë shqiptare në 2005, duke akuzuar Nano se ishte mundur të zhbënte historinë e lavdishme të vendit, duke hequr bustin e Skënderbeut dhe duke ribërë historinë. Ai ishte shprehur kundër ribërjes së historisë sepse siç shprehej: “Më duket një gjë krejt e habitshme sepse nuk mund t’i kërkosh një njeriu, që të ndryshojë të kaluarën, sepse kjo është jashtë fuqive të kujtdo qoftë. Ne nuk mund të bëjmë ndryshime të sforcuara në histori, sepse nuk e kemi një mundësi të tillë. Skënderbeu ne na është dhënë fillimisht përmes Barletit. Për kontributin e vërtetë të tij kanë dhënë një numër të madh albanologësh të huaj, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, dhe ne nuk mundet që tani ta ndryshojmë. Ashtu si nuk mund të mohojmë dokumentacionin, që është në arkivat e pothuaj tërë shteteve në Evropë, lidhur me Skënderbeun. Më në fund nuk kemi se çfarë t’u bëjmë as vetë kronistëve turq të cilët flasin për dhjetëra fushata, gati 20 fushata të pashallarëve turq kundër Skënderbeut dhe më në fund dy fushatat e mëdha të sulltanëve, Muratit të Dytë dhe të birit Mehmet Fatihut, të cilët rrethuan Krujën me këmbëngulje dhe më pas u detyruan që të tërhiqen me humbje. Ka një kronist turk që thoshte se sulltani hoqi dorë nga dëshira për të kapur nusen e fitores. Të gjithave këtyre nuk kemi se çfarë t’u bëjmë”-shprehej ai duke dënuar edhe heqjen e statujës së Skënderbeut gjatë takimit Nano-Erdogan.

“Na mbetet që të fshehim Skënderbeun dhe të nxjerrim Nanon, dhe kjo do të ishte një gjë e turpshme. Skënderbeun nuk mund ta lëvizë nga vendi, askush. As ndonjë parti politike apo kryeministër. Kështu që, nëse kjo ka ndodhur me të vërtetë, them se i është bërë një poshtërim këtij vendi. Pastaj do të duhej, që kur të vemi ne në Turqi, të kërkonim që të hiqeshin nga galeritë e tyre portretet e sulltanëve, që kanë pushtuar këtë vend. Ajo që më bën mua më tepër përshtypje është se cilado qoftë e vërteta dhe nuk besoj se ndokush të dalë në Turqi dhe të mbrojë agresionet dhe fushatat e përgjakshme, që bënë sulltanët turq njëri pas tjetrit për gati 5 shekuj. Ndaj dhe them se edhe në Turqi zor se ndokush do të pranonte që të ribëhej historia duke i dhënë ngjyrime të tilla”-shprehej autori i librit “Skënderbeu”.

Godo bënte thirrje për të mbrojtur historinë e Shqipërisë, duke mos e bërë atë një mall për treg për interesat tona politike të ditës. Ai bënte paralelizma me historinë e popujve të tjerë që krijojnë dhe ngrenë lart figura edhe kur nuk i kanë, ndërsa shqiptarët kanë Skënderbeun, që është çmuar nga tërë bota si një nga kapitenët e shquar në histori, dhe ndoshta i vetmi që ka mundur të përballojë fuqi të mëdha me trupa të pakta dhe këtë e kanë thënë kritikë të historisë së luftërave në anë të ndryshme të botës.

 

Historianët e Kosovës: “Sulltani në vend të Skënderbeut?!”

Historiani kosovar: “Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mundet t’i injorojë”

Një vit më vonë, pas vizitës së ministrit të arsimit të Turqisë në Kosovë dhe thirrjeve për rishikimin e gabimeve në tekstet e historisë, historianët kosovarë shprehen të hidhëruar se: “Një ditë, jo fort të largët, nxënësit kosovarë ndoshta nuk do ta dinë një prej kapitujve më të tmerrshme të historisë shqiptare – asaj të okupimit nga Perandoria Osmane, që sundoi këtë popull për pesë shekuj. Ndoshta nuk do ta dinë se vetëm disa vite më parë nga Kosova u degdisën në Turqi dhjetëra mijëra kosovarë, si pjesë e një plani djallëzor të hartuar në Beograd dhe Ankara, pas Luftës së Dytë Botërore. E, Sulltan Murati e Sulltan Mehmeti, një ditë, ndoshta do ta zëvendësojnë figurën e Gjergj Kastriotit”.

Frika e historianëve dhe intelektualëve në Kosovë, duket e justifikuar sepse, tashmë që Turqia edhe zyrtarisht i ka kërkuar Kosovës “korrigjimin” e historisë përmes ministrit të Arsimit, Omer Dincer, ndërsa homologu i tij kosovar, Ramë Buja e pranoi kërkesën, duke pohuar se një komision i posaçëm tashmë po punon për t’i jetësuar kërkesat turke për “korrigjimin e historisë”. Ndonëse ministri turk Dincer tha se: “

“Ne biseduam dhe kërkuam nga Ministria eliminimin e paragrafëve nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për historinë turke” ministri Ramë Buja tha se kërkesa e ministrit Dincer nuk është për ndryshim të historisë, por vetëm të bëhet korrigjimi i saj. ”U tha që do të korrigjohen ata kapituj ku ka pjesë fyese për popullin turk. Kjo do të korrigjohet dhe jo të ndryshohet historia, sepse nuk mund të ndryshojmë historinë, e cila ka ndodhur. Kjo do të ndodhë duke qenë të përbashkëta të dy komisionet shumë profesionale në këtë drejtim”-ishte shprehur ai.

Historianët janë të alarmua, duke theksuar se okupatori mbetet okupator, pavarësisht ndihmës që Turqia mund t’i japë Kosovës aktualisht. Hakif Bajrami, një nga historianët më të njohur në vend, duke folur për gazetën “Express” u shpreh se: “Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mundet t’i injorojë”, thotë Bajrami, për Express. “Krejt e dinë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka luftuar kundër turqve. Tash na me e fshi atë a? Krejt botën e japim, e Skënderbeun s’e japim”, -u shpreh historian Hakif Bajrami, duke përmendur disa prej krimeve të osmanllinjve: “Prej Shkupit e deri në Merdar, Pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 metra e ka ngulur në hunj nga një shqiptar. A t’i harrojmë ne ato? Jo, nuk duhet t’i harrojmë edhe nuk bën t’i harrojmë”. Dje reagoi edhe Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan. Ajo ka thënë për RTK se projekti me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, nuk përmban ndonjë qëllim të ndryshimit të historisë. “Me këtë marrëveshje synohet që gjeneratave të ardhshme të ju sigurohet mësimi i historisë me një botëkuptim objektiv që nuk ngërthen elemente urrejtjeje dhe që është e pastruar nga paragjykimet.”.

“Në takim, janë vlerësuar edhe mundësitë e bashkëpunimit te cilat do të mund të përdoreshin ne periudhat e ardhshme për pastrimin e elementeve të cilat përmbajnë shprehje te gabuara dhe paragjykuese të paraqitura në disa libra të mësimit fillor në pjesët ku flitet për turqit dhe periudhën e Perandorisë Osmane si dhe përmirësimin e disa hartave të cilat përmbajnë emërtime te papranueshme nga vendi ynë”-u shpreh e dërguara e Turqisë në Kosovë. Por historianët kosovarë kanë thënë se librat nuk përmbajnë elemente fyese, dhe se askush nuk mund të mohojë faktin se Perandoria Osmane ka qenë pushtuese.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama