Qeveria serbe konfirmoi dje vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Preshevë. Pohimi u dha dje në orët e vona të pasdites nga shefja e kabinetit të qeverisë serbe, Suzana Vasileviç.“Kryeministri shqiptar Edi Rama pas vizitës së nesërme në Beograd, në orët e hershme të mëngjesit të së martës do të udhëtojë për në Preshevë”, - ka deklaruar Vasileviç për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”. Ndërkohë burime për të njëjtën agjenci kanë mësuar se rreth 2000 policë në Beograd dhe rreth 200 të tillë në Preshevë do të jenë mikpritja e serbëve për kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sipas agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë” janë dhe rreth 200 gazetarë që do të ndjekin aktivitetit nga të cilët 50 shqiptarë. Presheva është bërë gati për mikpritjen e kryeministrit shqiptar ndërsa në pankarta të mëdha shkruhet “Mirë se vjen kryeministër”.
Vizita
Kryeministri Rama do të jetë sot në Serbi, në vizitën e shumëdebatuar nga politika rajonale, por dhe evropiane. Burime për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” kanë pohuar se janë rreth 2000 policë që janë aktivizuar për të ndjekur mbarëvajtjen e kësaj vizite e cila do të nisë me pritjen zyrtare të kryeministrit Rama nga homologu Vuçiç. Ceremonia zyrtare do të jetë në orën 11:00 dhe më pas do të vazhdohet në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave. Për të vijuar më tej me nënshkrimin e marrëveshjeve nga ministrat e Jashtëm. Në orët e mbrëmjes kryeministri Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit ku do të takohet me kryebashkiakun Sinisha Mali me të cilin do të ketë një bisedë joformale. Ndërsa e marta do të nisë herët për kreun e qeverisë shqiptare i cili së bashku me delegacionin që e shoqëron do të drejtohet për në Preshevë. Konfirmimi është thënë tashmë dhe nga qeveria serbe. Sipas “Presheva jonë”, pas takimit me krerët vendorë, Rama do të mbajë një fjalim në sheshin qendror të Preshevës e më pas do të ecë në këmbë, ku do të takohet edhe me qytetarët. Ndërsa më pas do të vizitojë edhe maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare. Kryeministri shqiptar, në vijim të vizitës së tij do të udhëtojë drejt Bujanovcit, qytetit tjetër të Luginës, ku do të takohet me zyrtarët lokalë, si dhe do të vizitojë edhe një shkollë të mesme. Lideri i LPD-së, Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit të Bujanovcit në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” ka deklaruar se Edi Ramën do ta presim si kryeministër tonin në Kosovën Lindore.
Pas deklaratave të Musliut edhe Ragmi Mustafa, kryetari i komunës së Preshevës ka deklaruar se popullsia e kësaj zone do ta presë Ramën në shesh, duke e konsideruar si kryeministrin e tyre. Për kreun e komunës së Preshevës, vizita e kryeministrit Rama do të hyjë në histori, sepse që kur është formuar shteti shqiptar asnjë kryeministër nuk ka shkelur tokën e Preshevës. Këto deklarata të Musliut dhe Mustafës kane shkaktuar reagime dhe kanë nervozuar autoritetet dhe disa liderë serbë në Beograd. Sipas shtypit serb “kryeministri shqiptar Edi Rama dëshiron çelësat e Beogradit dhe fjalim në Preshevë..”. Në një kohë që personalitete serbe kanë kritikuar Beogradin nëse do t’ia jepte çelësin e qytetit kryeministrit shqiptar. Sipas “Presheva jonë”, Çedomir Petroviç ka botuar artikullin me titull “Çka nëse Edi Rama do të na mbyllte?” (Šta ?emo ako nas Edi Rama zaklju?a?), botuar në gazetën “Novini” me titullin “Ne dhe Shqiptarët”.
Ministri serb Vulin sot në Preshevë
Ministri i Punës, Punësimit dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin viziton Preshevën një ditë para kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Agjencia e lajmeve “Presheva jonë”, shkruan se gjatë vizitës në Preshevë, ministri Vulin do të takohet me shefin rrethin e Pçinjit Budimir Mihajloviç dhe kryetarin e komunës Preshevë, Ragmi Mustafa. Gjithashtu, Vulin do të takohet me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale në Preshevë me Nazmi Jasharin, drejtor i filialeve të AKMsë si dhe në Vranjë me Darko Jankoviç etj.. Gjatë qëndrimit në Preshevë Vulin po ashtu do të vizitojë familjen Destani në Preshevë për t’u dorëzuar atyre një donacion. A thua kjo vizitë do të mund ta arsyetonte angazhimin serioz të qeverisë serbe në Luginën e Preshevës me një ndihmesë të një familjeje kur dihet se mijëra familje të tjera janë të varfra si pasoje e papunësisë së madhe në këto treva shqiptare në Jug të Serbisë”, - ngre pikëpyetjen “Presheva jonë”.