Në këtë vend të harruar të Ballkanit, ndër të tjera mund të vizitosh disa prej maleve më të bukura në Europë, me çmime shumë të lira. Në turneun 8- ditor që planifikuam të bënim në vendin ish komunist, pati shumë nga ato momente kur pyetëm veten; nëse ishte ky një vendim i mire, për shkak se terreni ishte jo pak i vështirë, plot rrëpira si edhe me pjesë të rrezikshme për t’u përshkuar. Për fat të mirë, rrugët kryesore dalin në sipërfaqe- megjithëse ka edhe një shtrirje të autostradës në jug- e gjithashtu shumë rrugë dytësore, veçanërisht në male.
Në grupin e shokëve të ekskursionit bënin pjesë: një biokimist, një inxhinier softuerësh, një menaxher supermarketi si edhe një kontabilist. Kur u afruam pranë zonës që do të vizitonim, të gjithë brohoritëm njëzëri: “Mirëseerdhët në Theth!” Ky fshat i vogël, do të ishte baza e qëndrimit tonë për dy netët e ardhshme. Vendi ngjante me një skenografi gjigande, rrethuar nga male që shkojnë deri në 9000 m lartësi.
Ndërsa u ulëm të darkonim gjellë tradicionale të zonës, gatuar me mish dhe perime në zjarr të ngadaltë, ashtu siç ka qënë e është traditë për vendin, gëzimi ynë u ndërpre në mes nga një shkëputje e përkohshme e energjisë elektrike. Për ta çuar deri në fund vaktin e papërfunduar, u detyruam të ndiznim disa pishtarë, të cilët gjithsesi e bënë atmosferën disi më romantike.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është shumë aktiv dhe njëkohësisht mjaft intrigues për vizitorët e huaj. Në këtë vend, të vetmit filma perëndimorë që lejoheshin gjatë pesë dekadave të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ishin ato të Norman Wisdom.
Ështe e qartë se nuk ishte aspak e lehtë, të vizitoje Parkun Kombëtar të Thethit. Kishte aq shumë për të parë; duke nisur që prej ujëvarave spektakolare, lumenjve të kristaltë e deri më thellë, në Kanionet e Grunjasit. Përpara se të ktheheshim në bazë, përmes një lugine të harlisur, ndaluam si mysafirë në një shtëpi fshati. Mikëpritja me raki të bërë vetë, ishte një nga detajet më të veçanta të asaj mbrëmje.
Pasi shijuam dy ditë qëndrimi në Theth, u drejtuam për në jug, duke mos harruar të ndalonim edhe në qytetin e Shkodrës, ku vizituam kështjellën e Rozafës. Duke qënë pjese e Republikës së Venedikut, deri me pushtimin otoman në shek. 15- të, Shkodra kishte ende një farë ndikimi nga kultura italiane në përgjithësi.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana e pasqyron edhe më shumë këtë ndikim, veçanërisht në stilin arkitekturor.
Udhëtimi ynë vijoi me jugun, fillimisht me Vlorën, e më pas me kodrat e buta të Llogarasë. Edhe pse ditët e planifikuara për shëtitje ishin tepër pak për të mësuar më shumë detaje mbi historinë dhe kulturën e Shqipërisë, nuk mundëm të mos ndaleshim edhe në qytetin e Krujës, i cili ndodhet një orë larg kryeqytetit. Ky qytet mund të konsiderohet një Mekë e vërtetë për gjuetarët e suvenireve. Dyqanet prej druri që shtrihen përgjatë gjithë rrugëve të ngushta me kalldrëm, ishin një tjetër veçanti e tij.
Mëngjesi ynë i fundit i ishte rezervuar Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Kakofonia e burive të makinave, sidomos në zemër të tij, në sheshin Skëndërbej, ishte një problem i vazhdueshëm. Në qendër të Tiranës, gjendet edhe monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Përgjatë gjithë bulevardit, ajo që të bënte përshtypje ishin kafenetë e mbipopulluara që vinin në rresht njëra pas tjetrës.
Tirana nuk është Parisi, apo Barcelona, por gjithsesi është një qytet i etur për të përqafuar atë që simotrat e saj europiane e gëzojnë prej kohësh.
Shqipëria është një vend mjaft ekzotik për turistët e huaj, edhe për shkak të plazheve me rërë të bardhë si edhe maleve të paeksploruara. Për këtë arsye, ajo duhet shumë shpejt të vendoset në listën e vendeve për t’u vizituar nga afër e për t’u shijuar.