Katër faqet e murit nuk mundet t’i shikosh. Sepse mijëra objekte të shfaqen para teje. Njëlloj si një skenë e çrregullt teatri me objektet të shumëllojshme e të mbërthyera fortë njëra pas tjetrës në mënyrë që të mos shkatërrohen. Teksa hedh hapin e parë për të hyrë brenda në dhomë, shikon dy statuja që qëndrojnë gati këtu në krah të majtë. Të dyja pranë njëra-tjetrës të veshura me kostum gri, mbajnë njërën dorë të mbyllur grusht. Të krijohet përshtypja sikur janë skulptura ushtarësh të derdhura në bronz që presin të sistemohen në ndonjë nga sheshet e Tiranës, por përbërja e tyre është më delikate, nuk mundet të përballojnë kohën e lagësht. Brenda janë të mbushura me shkumë, kurse dora e fundit është boja në ngjyrë gri.
Pas statujave të zënë sytë një kokë demi me brirë, të ndërtuar me shkumë deti, të lyer në bojë jeshile të errët të hedhur nëpër objekte të ndryshme. Tre kupa bronzi të radhitura njëra pas tjetrës me kujdes, një tufë lule shumëngjyrëshe, kosha të mëdha lulesh prej kashte, valixhe, mbulesa tavolinash, karrige të thjeshta të lyra me llak, poltroni, dollapë, helmeta, shpata, pushkë, rripa mesi, një orë e madhe dhome etj. Midis tyre gjendet tavolina modeste e Arben Gjeropit që prej 22 vitesh kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve.
Gjeropi ka përfunduar Liceun Artistik për pikturë. Fillimisht ka punuar në një ndërmarrje private për riprodhimin e pikturave, derisa siguroi vendin e punës ku është sot. Ai na tregon se në 22 vite punë i ka mësuar aq mirë kleçkat e një skenografi aq sa një ditë të bukur i lindi në kokë ideja për të filluar dhe Universitetin e Arteve.“ Po shikoj shumë që e bëjnë këtë, përse mos ta bëj dhe unë thashë me vete një ditë. Ndoshta kjo më ndihmon dhe në punën që unë bëj përditë, ku i dihet?!” Askush më mirë se ai nuk mund të gjejë se ku ndodhen objektet që duhet të zbresin në skenë gjatë shfaqjeve apo gjatë provave.
Qëkurse ka ardhur për herë të parë ka gjetur një sasi të madhe objektesh, aq sa për numrin e tyre ekzakt e ka të pamundur të flas. “Aq objekte sa duken në këtë dhomë, aq dhe nuk duken”. E thotë këtë sepse janë dhe shumë objekte me përmasa më të vogla që i ka sistemuar midis të tjerave. Janë aksesorë delikatë dhe të vegjël që nuk duken në sipërfaqe. Cilat janë objektet që duan më tepër kujdes? “Të gjitha objektet butaforike, që tashmë nuk mund të prodhohen dhe ndërtohen më në Shqipëri duan më shumë kujdes gjatë përdorimit”, thotë Gjeropi.
Nuk mund të bëhen më këtu sepse të gjithë butaforistët që kanë punuar në opera, përveçse kanë studiuar jashtë shtetit, tashmë ose janë të moshuar, ose nuk jetojnë më. Ai kujton Gori Vurrin, i cili prej vitesh ka dalë në pension. Përpos të tjerave në vendin tonë nuk ka një degë të caktuar që të specializohesh si butaforist. Tek-tuk ndonjë që punon mund të ketë mbaruar për pikturë ose skulpturë. Si është gjendja e tyre? Arbeni na tregon se deri tani nuk është dëmtuar asnjë objekt, pavarësisht gjendjes së vjetruar që kanë. “ Vetëm ndonjë gotë qelqi që i përket një periudhe të mëparshme mund të dëmtohet dhe të mos riparohet më. Kjo jo për pakujdesi, por sepse roli është i tillë që balerini duhet ta hedhë me forcë në tokë.
Gjithsesi unë i mbështjell me ngjitës që dhe po të thyhet të mos shpërndahet”, thotë ai. A ekziston një objekt që Gjeropi ka më përzemër ? Ai tregon se çdo objekt i realizuar asokohe është i dashur për të. Sepse në Shqipëri nuk mund të prodhohet më. “ Janë skulpturat e realizuara aq bukur. Është një pasqyrë të cilën e kam sistemuar me kujdes.” Por konkretisht ku janë përdorur këto objekte, në çfarë shfaqjesh? Mirëmbajtësi na tregon një djep të vogël të pikturuar një lule jashtë tij. Për herë të parë ky djep është përdorur në baletin “Halili dhe Hajria”.
Ka dhe objekte nga opera “Skënderbeu” të përdorura shumë vite më parë. “Është shpata, heshta, mburoja, një objekt i vogël në të cilin mbahen dhurata, një çakmak i vjetër, një kuti duhani etj.” Janë statujat që janë përdorur tek “Rigoletto” e Xhuzepe Verdit. Janë helmetat me shenjën e nazizmit, të përdorura tek “Komisari i dritës” etj. Ruhen dhe tapete të vjetra, sobë druri më gjithë tub, fuçi të mëdha vere, vazo të mëdha të derdhura në allci të lyra ngjyrë kafe dhe parulla të ndryshme. Të gjitha objektet i përkasin sistemit komunist.
Të gjitha objektet sinkronizohen me muzikën. Sepse çdo notë muzikore që luhet ka të pranishme një objekt. Nëse nuk sinkronizohen midis tyre nuk mund të ketë ndryshime skenike. Në këtë “bodrum” bëhen dhe spotet televizive, që nga montazhi, regjistrimi i zërit dhe dizajnimi. Tashmë është krijuar një mini-arkiv me kaseta të regjistruara që u dërgohet medieve brenda dhe jashtë vendit për të prezantuar shfaqjen. Janë dhe disa piktura të realizuar së fundmi që qëndrojnë të varura në atë dhomë që nuk di se ku duhet të përqendrosh shikimin më parë. Janë punë artistike të cilat i ka realizuar Gjeropi. “Piktura është një pasion i kahershëm imi, që kurrsesi nuk mund ta le pas dore. Sa herë kam ndonjë hapësirë të shkurtër, realizoj portrete apo peizazhe të ndryshme” përfundon ai.