Emri i guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë çon sërish në presidencë, kryeministrin Edi Rama. Mesditën e djeshme kryeministri mbërriti në zyrën e kreut të shtetit ku ka qëndruar për rreth 30 minuta. Takimi i panjoftuar nga dy institucionet, mësohet se ka pasur në qendër të diskutimeve zgjidhjen e situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë si dhe hapat në vazhdim për gjetjen e një zgjidhje të gjithëpranueshme.
Takimi
Për rreth 30 minuta Rama dhe Nishani kanë diskutuar për të dytën herë lidhur e emrin që do të pasojë Ardian Fullanin në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Institucionet zyrtare janë rezervuar në dhënien e informacionit mbi këtë takim por burime nga presidenca pohojnë se jo vetëm emri i ri i guvernatorit por dhe hapat e hedhur deri tani si dhe ata që do të vijojnë, për zgjidhjen e plotë të kësaj çështje, janë diskutuar mes dy krerëve të lartë të institucioneve. Takimi i djeshëm është i dyti i zhvilluar mes Ramës dhe Nishanit pas atij të së dielës së 7 shtatorit, po me të njëjtin argument. Baza ligjore e bën të nevojshëm gjetjen e gjuhës së përbashkët mes palëve. Sipas pikës 2, të nenit 161 të Kushtetutës, guvernatori zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës. Ndërkohë që sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, Presidenti i Republikës mund t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë si kandidaturë për postin e guvernatorit një prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, proces ky që pritet të nisë pasi të plotësohen 4 vendet bosh në këtë institucion. Kjo procedurë sipas njoftimit të Ramës, pritet të nisë këtë javë. “Do t’u drejtohemi shqiptarëve që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar për vendet në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Javën tjetër thirrja!”, - shkruante kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook”.
Seanca
Këtë javë pritet që shkarkimi i Fullanit të shkojë në seancë plenare. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit, me motivacionin “shkelje e etikës në punë dhe cenim i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë” është marrë tashmë në shqyrtim nga Komisioni i Ekonomisë, anëtarët e të cilit vendosën në unanimitet pro shkarkimit. Pas vendimit, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe njoftoi se propozimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të kalojë për votim në seancë plenare. “Relacionet e Komisionit bashkë me vendimet respektive të Komisionit do t’i paraqiten Kryetarit të Kuvendit dhe normalisht planifikohen që të jenë në rendin e ditës së seancës vijuese”, - njoftoi të enjten e kaluar Braçe. Por, asnjë prej procedurave parlamentare për Ardian Fullanin nuk do të ndodhë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit që pritet të merret sot.
Apeli
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do të përballet sot me trupin gjykues të kryesuar nga Alaudin Malaj në Gjykatën e Apelit në Tiranë, në lidhje me masën e sigurisë. Kjo seancë do të përcaktojë nëse ai do të qëndrojnë në paraburgim apo do të marrë një tjetër masë sigurie, që mund të jetë “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje” apo do të lihet i lirë. Por ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar tek ish-guvernatori, hetimet e organit të akuzës vazhdojnë, ku pritet që të dalin në dritë detaje të reja për super vjedhjen e 713 milionë lekëve në arkën e thesarit në Bankën e Shqipërisë. Po sot do të merret edhe vendimi ndaj kryeinspektores Elivar Golemi, si dhe do të vlerësohen ankimimet për inventarizuesit e arrestuar po për këtë çështje.