Vjedhja e cuditshme

Vjedhja e cuditshme
Në Kanada humbet 18 milionë dollarë shurup panje

IAN AUSTEN, NYT

Besohet se qe një punë e kryer me një bashkëpunëtor të brendshëm. Hajdutët hynë në magazinë me një plan të përgatitur me kujdes dhe ngarkuan kamionë për shumë dhe shumë orë e në fund u larguan me 18 milionë dollarë mall të shtrenjtë.

Pyetja më e pazakontë qe se çfarë malli arritën të vjedhim që paska vlerë kaq të lartë? Bëhet fjalë për një shurup. Lëng panje që u vodh, diçka që njihet si rezervë botërore strategjike, nën pronësinë e një karteli kanadez.

Policia e Kebekut arrestoi tre njerëz që dyshohet se kanë lidhje me vjedhjen në magazinë në juglindje të qytetit të Kebekut. Autoritetet po kërkojnë për pesë të tjerë të dyshuar si të përfshirë, ndërsa në Kanada dhe në SHBA po punohet për të kapur së paku një pjesë të shurupit. Si përmasat, ashtu edhe angazhimi ndërkombëtar i vjedhjes, vuri në dukje edhe rolin e madh që Kebeku luan në industrinë ndërkombëtare të shurupit të panjës.

Në varësi të vitit, provinca kanadeze mund të prodhojë deri në tri të katërtat e kërkesës botërore për këtë mall. Dhe organizimi i kartelit duket se ka imituar shumë nga prodhuesit e tjerë të mallrave të lëngshëm në drejtim të shfrytëzimit të dominancës në treg.

“Është një lloj OPEC-u”, thotë Simon Trépanier, drejtori menaxherial i Federatës së Kebekut për Prodhuesit e Shurupit të Panjës. “Ne nuk prodhojmë të gjithë shurupin e panjës në botë, por prodhojmë 70 deri në 78 për qind të tij dhe kemi mundësi të përshtatim sasinë me kushtet e tregut”.

Që nga viti 1999, industria e shurupit të panjës ka përdorur një sistem marketingu që gjendet me bollëk në sektorin bujqësor të Kanadasë, veçanërisht bulmetet dhe pularitë.

E thënë thjesht, sistemi i menaxhimit të furnizimit përcakton kuota strikte për prodhuesit dhe në rastin e shurupit të panjës, u kërkon atyre ta shesin produktin përmes një federate. Lëngu që bëhet shurup panje, pasi zihet, shpesh rrjedh nga pema përgjatë një periudhe shumë të shkurtër në pranverë. Kushtet e motit mund të sjellin luhatje të çmendura në sasinë që mund të nxirret nga çdo pemë panje.

Për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, federata akumulon në magazinat e saj çdo pikë që anëtarët prodhues nxjerrin mbi kuotën e tyre të paracaktuar. Gjatë viteve të dobëta, kjo sasi furnizon tregun.

“Në Shtetet e Bashkuara ke rezerva strategjike nafte”, shpjegon Trépanier për të krijuar një analogji. “Nëna Natyrë nuk është bujare çdo vit, pra ne kemi rezervat tona strategjike botërore”. Ai vlerëson se aktualisht kjo rezervë përmban rreth 23 milionë litra shurup. Gjatë pranverës 2011 u prodhua aq shumë shurup sa federata mori me qira një magazinë të tretë, në një park industrial përgjatë autostradës për të vendosur mbiprodhimin. Sasia e tepërt u pasterizua dhe u vendos në 16 mijë fuçi, secila prej të cilave mbante rreth 194 litra. Lëngu u la në qetësi me përjashtim të inspektimeve dy herë në vit.

Një përfaqësues nga policia tha se vjedhësit morën me qira një pjesë tjetër të kompleksit të magazinave, për një biznes tjetër. Kjo gjë i mundësoi të sillnin kamionë të mëdhenj te ndërtesa. “Praktikisht ata ishin të brendshëm”, thotë policia. “Udhëheqësi i hajdutëve nuk qe nga federata, por pati akses te magazina pa tërhequr ndonjë dyshim”.

Kur askush tjetër nuk qe përreth, hajdutët filluan gradualisht të zbraznin fuçitë e shurupit. Disa media vendore raportojnë se fuçitë u mbushën me ujë për të mos rënë fare në sy. Me kalimin e kokës, hajdutët arritën të përvetësonin 3 milionë litra nga shurupi. Trépanier thotë se vjedhja e tyre u zbulua në korrik, kur inspektorët zbuluan disa fuçi të boshatisura. Përmasat e vërteta të vjedhjes u bënë të ditura pas mbërritjes së policisë.

Policia u angazhua me të gjitha burimet e veta. Mbi 300 njerëz u morën në pyetje dhe 40 urdhra kontrolli u ekzekutua. Forcat kufitare të Kanadasë dhe SHBA-së u përfshinë në hetime. Si shumë hajdutë, banda e shurupit të panjës u përball me problemin se si të shpërndante dhe shiste sasi të mëdha të një malli që nuk lëvizet lehtë. Por ndryshe nga shumica e hajdutëve, policia e Kebekut thotë se ata arritën ta shesin mallin në këmbim të çmimeve reale të tregut dhe nuk bënë asnjë ulje.

Për shkak se hetimi nuk ka përfunduar ende, policia nuk dha detaje mbi procesin e rishitjes. Por bëhet e ditur se hajdutët krijuan një kompani si tregtare e ligjshme e shurupit të panjës në shtetin fqinj, ku ekziston një treg shumë më i vogël, por pa kartel për këtë mall. Ata qenë në gjendje të transportojnë shurupin e vjedhur në klientë të ndryshëm në Kanada dhe SHBA.

Duket se ata qenë shumë bindës. Policia beson se blerësit nuk ia kishin idenë se po blinin mall të vjedhur. Policia ka gjurmuar deri tani rreth dy të tretat e shurupit të vjedhur dhe po përpiqet ta konfirmojë, veçanërisht një sasi e madhe e situr në SHBA, që është edhe blerësi më i madh i prodhimit të ligjshëm të Kebekut.

Ross Feinstein, një zëdhënës për agjencinë e doganave dhe emigracionit në SHBA, tha se hetimet po kryhen për shurupin që ka kaluar kufirin. Por në fund mund të bëhet e vështirë të provohet se shurupi qe vjedhur. “Shurupi i Panjës nuk ka një kod identifikues”, thotë ai. Nuk ka mënyrë se si të dallohet.

Megjithëse shurupi i vjedhur qe i siguruar, Trépanier thotë se 7400 anëtarët e kartelit nuk janë të lumtur që mbi 3 milionë litra u zhdukën. Pavarësisht ngjarjes, Pascal Thériault, një profesor bujqësie thotë se karteli do të vijojë të ekzistojë edhe për shumë kohë. Megjithëse sistemi i mbyllur kufizon aftësinë e prodhuesve të mëdhenj për të zgjeruar aktivitetin, struktura e votimit në federatë është e tillë që ajo kontrollohet nga prodhuesit me kohë të pjesshme, shumica e të cilëve kanë për aktivitet kryesor fermat e bulmetit. Ata nuk kanë interes të kthehen te tregu i hapur dhe konkurrues.

Sistemi i menaxhimit të sasisë së hedhur në treg për prodhime të tjera bujqësore që Kanadaja ka prej dekadash, është përballur me protesta të pasuksesshme nga SHBA-ja dhe vendet e tjera kur diskutohet për liberalizimin e tregtisë. Megjithëse vjedhja aktuale qe një rekord, ajo nuk është e para e rëndësishme në historinë e shurupit të panjës. Më 2006, hajdutët arritën të përvetësonin 1.3 milionë dollarë lëng nga një magazinë. Ata nuk janë kapur ende.

Shurupi i panjës përdoret si ushqim zëvendësues për sheqerin. Është kulturalisht shumë i rëndësishëm në Kanada, ku flamuri kombëtar ka për simbol një gjethe panje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama