Vjedhja e thesarit kamerat e sigurise vetem 40 dite filmime

Vjedhja e thesarit, kamerat e sigurise vetem 40 dite filmime

Banka e Shqipërisë i ka vendosur në dispozicion prokurorisë vetëm pamjet filmike të kamerave të sigurisë për 40 ditët e fundit të muajve maj-qershor, ndërkohë që organit të hetimit i mungojnë të dhënat filmike për periudhën nga viti 2011, e deri në maj 2014, pamje të cilat do t’i jepnin hetuesve përgjigje të mbështetur në prova për mënyrën se si u vodhën 713 milionë lekë.

Prokurorët duket se vijojnë të befasohen me këqyrjet e herëpashershme që kryejnë në degën e Thesarit dhe me siguri, evidentimi i faktit që ky objekt i rëndësisë së veçantë ruhet me kamera sigurie të thjeshta, i ka lënë ata pa fjalë.

Një burim jo zyrtar, i tha Top Channel se është kërkuar për t’u sekuestruar hard disku i dubluar që normalisht duhet të ishte i arkivuar, duke qenë se bëhet fjalë për një objekt të rëndësisë së veçantë, por kjo gjë nuk është bërë e mundur. Oficerët e policisë gjyqësore kanë administruar vetëm pamjet e 40 ditëve, pasi sistemi i kamerave i instaluar në degën e Thesarit, është i tillë që ruan filmimet vetëm për këtë periudhë. Pas këtij afati ato vetë-asgjësohen.

Nga ana tjetër, burimet shtuan se përveç operatorit te sigurisë, Dhimitër Davidi, nën arrest pasi ka konstatuar në dy episode Ardian Bitrajn duke dalë me thasë plastikë, janë nën hetim edhe punonjës të tjerë të Departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes së Bankës së Shqipërisë, së bashku me eprorët e tyre të Sigurisë, të cilët kishin për detyrë të vëzhgonin mes të tjerash veprimet e vartësve të tyre e po ashtu të përpilonin raporte të lëvizjeve të punonjësve.

Prokuroria sheh me dyshim edhe procedurën e asgjësimit të parave të dëmtuara, që sipas këqyrjeve paraprake, rezulton se një makineri e posaçme e Departamentit të Emisionit ka kapacitetin për të asgjësuar çdo ditë 400 mijë prerje kartëmonedhash.

Por, thotë prokuroria, ka mospërputhje mes procesverbaleve të nxjerra nga dy sektorët, ajo e Arkës për Veprim, që nxjerr nga tregu si të dëmtuara çdo ditë prerjet e dëmtuara dhe Arkës Stok, e cila pasi depoziton këtë vlerë, i jep të njëjtën vlerë me fonde të reja.

Ky proces kryhet brenda ditës mes të dyja zyrave, si lëvizjet fizike të fondeve, ashtu edhe veprimet kontabël që pasqyrojnë këto lëvizje, thonë pjesëtarët e grupit të hetimit. Por nga këqyrja rezulton se dokumentacioni ka kontradikta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama