Guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni pritet të merret sot në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me vjedhjen e thesarit. Dëshmia e Gjonit ishte parashikuar që ditën e djeshme por prokuroria e shtyu paraqitjen, për shkak të takimit të saj me kryeministrin Edi Rama.
Gjoni pritet të paraqitet në prokurori rreth orës 09:00 të mëngjesit. Ajo ka pasur për detyrë të nxjerrë rregullore dhe urdhra të posaçme për të kontrolluar punën në departamentet e bankës, dhe dëshmia e saj është po aq e rëndësishme sa ajo e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.
Referuar kapitullit nr.2, dhe më konkretisht neni 5 të rregullores nr.13 të 22 shkurtit 2006, përgjegjësia e zëvendësguvernatores Gjoni është e njëjtë me atë të guvernatorit Fullani. Pikërisht në këtë nen thuhet se nismën propozuese për hartimin e akteve juridike e kanë: Këshilli Mbikëqyrës, Administratorët, që janë guvernatori dhe zëvendësguvernatori, Inspektori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e departamenteve.
Ky nen i cakton përgjegjësi jo vetëm guvernatorit për të nxjerrë akte juridike por dhe një sërë drejtuesish të tjerë, përfshirë këtu dhe Elisabeta Gjonin. Prandaj dëshmia e saj është bazë për të verifikuar veprimet dhe mosveprimet e saj që mund të kenë ndikuar në vjedhjen e thesarit.
Edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë kërkoi dje nga Presidenti Bujar Nishani, që të mos pengojë hetimet mbi Gjonin, pasi kjo e fundit është përgjegjëse po aq sa Fullani për skandalin e bankës.
“Elisabeta Gjoni, në cilësinë e zëvendësguvernatorit (detyrat e të cilit janë të qarta në ligj), në kushtet e mungesës së zëvendësguvernatorit përgjegjës për administrimin e bankës, me përgjegjësi të plotë edhe për këtë (sipas ligjit), është përgjegjëse po aq sa guvernatori për keqadministrimin me pasojë dëmin e rëndë ekonomik për bankën”, tha Braçe.