Ka mjaftuar vetëm një seancë që shqyrtimi gjyqësor ndaj ish guvernatorit Adrian Fullani nën hetim për tenderin e Hotel Dajtit dhe vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë të mbyllet.
Vetë Fullani zgjodhi të mos ishte i pranishëm në seancë, ku gjykatësi Artan Gjermeni pranoi kërkesën e avokatit Maksim Haxhia për gjykim të shkurtuar.
“Ardian Fullani është i pafajshëm, gjykimin e shkurtuar e kërkuam për ekonomi gjyqësore.”-deklaroi avokati Haxhia.
Me kërkesën për gjykim të shkurtuar u pajtua dhe Prokuroria, e cila nëpërmjet prokurorit Ndini Tavani kërkoi një afat të dytë për leximin e konkluzioneve të cilat do të jepen mesditën e 6 tetorit.
Më 4 Gusht Prokuroria e Tiranës do të bënte publike dy akuzat që rëndojnë ndaj ish guvernatorit, duke e bërë atë përgjegjës me veprimet e mos veprimet që ndikuan tek vjedhja e 713 milionë lekëve dhe tenderi i blerjes së Hotel Dajtit nga qeveria Berisha për 30 milionë euro.
Vetë Fullani ka mohuar akuzat duke pretenduar pafajësi. Hetimet prë të dyja akuzat nisën menjëherë pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së thesarit të BSH. Në total për këtë akuzë Prokuroria procedoi 11 persona mes tyre zyrtarë të bankës dhe në burg qëndrojnë vetëm Adrian Bitraj e Mimoza Bruzia.