Vjedhja ne BSH me e madhe se 713 mln leke?

Vjedhja ne BSH me e madhe se 713 mln leke?

Për llogari të hetimeve që synojnë të gjejnë përgjegjësit dhe destinacionin e vërtetë të 713 milionë lekëve të vjedhura, Prokuroria e Tiranës ka vijuar gjatë së hënës marrjen në pyetje të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në cilësinë e personave që kanë dijeni për shkak të detyrës së tyre.

Anëtari i këtij këshilli, Petraq Milo është pyetur i pari dhe ka qëndruar në organin e akuzës të kryeqytetit për mbi një orë e 30 minuta. Pas tij është pyetur për gati dy orë anëtari tjetër, zoti Dhori Kule. Ndërkohë që edhe marrja në pyetje e zotit Ardian Civici ka zgjatur përafërsisht sa ajo e dy anëtarëve të tjerë të Këshillit.

Jozyrtarisht mësohet se të tre ata, me këndvështrimin e tyre kanë lehtësuar pozitat e Këshillit Mbikëqyrës, duke rënduar pozicionin e ish-guvernatorit Ardian Fullani, tashmë i paraburgosur tek burgu 302.

Sipas tyre, Këshilli Mbikëqyrës ka funksionuar pa rregullore dhe ishte detyrë funksionale e guvernatorit të bankës që të emëronte guvernatorin e dytë, një post ky që ka mbetur bosh, e që sipas tyre ka sjellë edhe mungesën e kontrollit në Departamentin e Emisionit.

Për shkak të axhendës së paparashikuar dhe të ngjeshur, prokurorët kanë toleruar mos paraqitjen e anëtares tjetër të këtij këshilli, zonjes Elisabeta Gjoni, aktualisht gurvernatore e komanduar. Ajo do të pyetet të martën jo vetëm për rregulloren, por edhe për firmën e hedhur prej saj për asgjesimin e disa milionë lekëve, proces ky që në fakt nuk është zbatuar, që nga prilli deri në qershor 2014.

Pikërisht në këtë drejtim, hetimet duket se po marrin një kthesë të re. Në rrugë jozyrtare mësohet se prokuroria po firmos kërkesat për thirrjen e ekspertëve të pavarur, të cilët do të ribëjnë nga e para ekspertizën në Departamentin e Thesarit.

Ky veprim hetimor pritet të kryhet sa më shpejt, për shkak të dyshimeve të forta të prokurorisë se Banka e Shqipërisë në auditin e saj mund të ketë qenë e pasinqertë, atëherë kur deklaroi se janë vjedhur vetëm 713 milionë lekë.

Prokurorët dyshojnë se vjedhja është edhe më e madhe dhe se tejkalon një ngjarje me vetëm një autor. Prokuroria dyshon se Bitraj nuk është protagonisti i vetëm dhe kryesor përgjatë vjedhjes dhe ai jo vetëm është ndihmuar nga Mimoza Bruzia dhe nipi i tij Klevis Bejtjaj, por me të kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë që ndodhen nën hetim e për të cilët po grumbullohen prova.

Prokurorët thonë se janë të pakta mundësitë që shuma prej 713 milionë lekësh të jetë nxjerrë e gjitha nga banka duke u fshehur në trup, sikurse rrefeu në fillim Bitraj. Pyetjes së Top Channel se cili mund të jetë ky mekanizëm, prokuroria i përgjigjet me një frazë të shkurtër “po punojmë për ta zbuluar”.

Të gjitha këto dyshime, nëse do të provohen qoftë edhe pjesërisht, mund të hedhin dritë mbi një skandal shumë herë më të madh dhe më tronditës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama