Por në Shqipëri nuk është e thënë që gjërat të jenë edhe aq të thjeshta. Edhe nëse janë do t’i komplikojmë me zor. Kur afateve për kandidatura (30 shtator) po u vinte fundi, askush nuk zyrtarizonte asgjë. Asokohe kryetari i Qendrës Kinematografike, Xhevdet Feri, u shpreh se ishte Ministria e Kulturës ajo që do të merrej me këtë punë dhe se ai nuk dinte asgjë.
Kryetari i bordit të QKK-së, Kiço Blushi, u shpreh i habitur duke qenë në mosdije të plotë mbi këtë çështje. Ndërkaq kandidatura kishte shkuar që ç’ke me të. Të tjerë të interesuar për këtë çështje, që kishin “nuhatur” se në këtë mes po zjente diçka, kanë kontaktuar dhe me zyrtarë të Akademisë së Çmimeve në Los Anxhelos.
Në një nga këto komunikime, që mban datën 1 tetor, mësohet se William Goldenberg, asistent pranë Awards Department, Academy of Motion Picture Arts and Sciences, të jetë shprehur se “ka ende kohë për të bërë ndryshime, nëse vërtetoni se “Trishtimi i znj. Shnajder” nuk është zgjedhja e vërtetë nga bordi”. Më tej vijon se këtë mund ta bëjë vetëm ministri Ylli Pango me anë të një letre zyrtare, ku të thuhet se nuk është bërë ndonjë zgjedhje e tillë.
Ndërkohë në Tiranë nuk pranohej asgjë zyrtarisht, deri në momentin që Akademia e Çmimeve publikoi listën e kandidaturave, ku shquhet që në krye “Trishtimi i znj. Shnajder”. Në mes së kësaj mjegullnaje është e natyrshme që të tjerë kineastë, që shfaqën këtë vit prodhimet e tyre, apo morën edhe çmime, të ndihen të zhgënjyer e të revoltuar, siç është rasti i regjisorit Fatmir Koçi “Koha e kometës” e të cilit u shpall Filmi më i mirë shqiptar në verë 2008.
Kryetari i bordit, Kiço Blushi, ndihet i prekur nga gjithë kjo çështje. “Unë vazhdoj të mos di asgjë mbi mënyrën e përzgjedhjes së filmit që do të kandidojë për çmimin “Oskar” në kategorinë e Filmave të Huaj. Pasi kjo çështje u bë publike, kam biseduar gjatë me kryetarin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Feri, sipas të cilit vendimi që filmi i Piro Milkanit “Trishtimi i Zonjës Shnajder” të jetë kandidatura shqiptare, është firmosur nga ai, si kryetar i Qendrës dhe ministri i Kulturës.
Sipas tij, nuk janë përdorur emrat e bordit, por edhe sikur të ketë ndodhur kështu (ndonëse kemi mësuar se bashkë me filmin kandidat kanë shkruar edhe emrat e përzgjedhësve), ky vendim merrej në mënyrë kolegjiale dhe jo vetëm nga kryetari i qendrës. QKK ka një bord dhe kjo çështje duhej të diskutohej në të”, - thotë Blushi, teksa shton se ndër të tjera Feri është shprehur që vendimin mund ta kishte marrë edhe vetëm ministri i Kulturës, bashkë me atë të Punëve të Jashtme. “Për mua kjo është skandaloze, nuk është korrekte, i shkel të gjitha normat.
Politika nuk mund të vendosë për ngjarje të tilla. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu, madje edhe në kohën e diktaturës nuk merreshin mendimet në këtë mënyrë. Vendimet mund të ishin partiake, po shfrytëzoheshin forumet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. As në Kubë, apo Kamboxhia, nuk mund të vendoset në këtë mënyrë. Kjo formë është edhe më e shëmtuar se sa të shfrytëzoheshin emrat tanë”, - vazhdon Blushi.
Sipas tij, kjo çështje do të diskutohet edhe me anëtarët e tjerë të bordit, në mbledhjen e ardhshme. Por dihet se bordi mblidhet vetëm në rastin e shqyrtimit të projekteve dhe ka gjasa që mbledhja e radhës të shtyhet e atëherë e gjithë kjo histori do të jetë harruar. Për Blushin nuk ka asnjë rëndësi nëse “Trishtimi i znj. Shnajder” është ose jo filmi më i mirë. Për të ai mund të marrë edhe çmimin “Oskar”. “Nuk dua të merrem me këtë çështje.
Për mua e rëndësishme është mënyrase si u procedua dhe kjo mund të përsëritet edhe në vijim, jo vetëm nga QKK, por edhe organizma të tjera”. Thuhet se edhe në dy herët e tjera që Shqipëria ka pranuar ftesën e Akademisë (“Kolonel Bunker” dhe “Parrullat”) të jetë vepruar në mënyrë të ngjashme, por atëherë askush nuk është ndjerë. E deri sa gjërat të mos thuhen, do vazhdojë të merren vendime fshehur.
Gazeta: Shekulli