Më shumë aplikacione tani mund të organizohen në direktori, e iBook Store është në dispozicion si për iPhone ashtu edhe për iPod Touch. Si makina standarde kërkimi, pos Google, përdoruesit mund të shfrytëzojnë edhe Bing e Yahoo. Me këtë rast Apple ka paraqitur edhe zyrtarisht iAds, platformën e re të reklamimit për pajisjet e veta mobile. Bashkëpunimi tanimë është lidhur me dhjetëra kompani të ndryshme, e iAds platforma është integruar direkt në iOS 4. Programuesve të aplikacioneve pa pagesë u shkojnë 60 për qind të fitimit nga paraqitja e reklamave derisa ky shërbim fillon punën qysh me fillimin e muajit të ardhshëm.
Përfundimi legjendar i ngjarjeve “edhe një gjë ...” ka vërtetuar thashethemet e dikurshme për video chat - iPhone 4 ka edhe kamerë të përparme për këtë qëllim, e aplikacioni quhet FaceTime. Sistemi funksionon vetëm në pajisjet iPhone 4 me anë të rrjetit WiFi, pa konfigurim të veçantë. Kjo e fundit ka të bëj me këtë vit, gjersa Apple tanimë është duke negociuar me operatorët telefonik për zbatimin e kësaj mundësie edhe nëpërmjet rrjetit 3G.
Në fund edhe çmimet - iPhone 4 vjen me dy ngjyra (bardh e zi) si dhe kapacitete prej 16 e 32 GB me 199 e 299 dollarë. Shitja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillon më 24 të këtij muaji, e çmimi i pajisjes aktuale 3GS (8 GB) bie në 99 dollarë. Deri në shtator, pajisja do të duhej të gjendej edhe në shumicën e tregjeve ndërkombëtare dhe në 88 shtete.
Përditësimin në iOS 4 pronarët e iPhone 3G e 3GS do të mund ta bëjnë deri më 21 qershor, derisa ata të cilët posedojnë iPod Touch do të duhet të paguajnë për përditësimin e sistemit të tyre operativ.