Alban Meha ka gjetur akordin me Al Nassr për t'iu bashkuar klubit saudit. Bashkëbisedimet mes palëve kishin dështuar disa javë më parë dhe Meha ishte kthyer në Turqi, për të vazhduar me Koniaspor. Por gjërat kanë ndryshuar përsëri.
Meha ka dhënë një sinjal të qartë gjatë ditës së sotme nëpërmjet një postimi në Twitter, ku kishte vendosur stemën e klubit të Al Nassr. Ai është përshëndetur menjëherë nga mijëra tifozë të klubit të Arabisë Saudite të cilët i kanë uruar mirëseardhjen.
Ndërkaq, në faqen e internetit të Koniasporit, emri i Mehës nuk figuronte mes lojtarëve të regjistruar në këtë sezon dhe për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
Pak orë më vonë, klubi i Al Nassr ka konfirmuar firmën me futbollistin shqiptar, i cili i është bashkuar sauditëve të drejtuar nga Zoran Mamiç në fazën përgatitore që po zhvillon në Kroaci.